Unë jam si një argjendar i zoti që e dërgon shërbëtorin për të shitur ar në të gjithë vendin, duke i thënë: 'Duhet të bësh tre gjëra. Së pari nuk duhet t’ia besosh arin tim askujt përveç atyre që kanë sy të paqtë dhe të kthjellët. Së dyti mos ia beso atyre që nuk kanë ndërgjegje. Së treti, shite arin për dhjetë talenta pasi ta kesh peshuar dy herë! Atij që nuk pranon që ari im të peshohet dy herë, mos ia jep. Duhet të kesh kujdes nga tre armë që armiku im përdor kundër teje. Para së gjithash do të përpiqet të të ngathtësojë në ekspozimin e arit tim. Së dyti do të përpiqet ta përziejë arin tim me metale pa vlerë që ata që e shohin dhe e kontrollojnë të mendojnë se ari im është thjesht baltë dhe llum.
Së treti ai i mëson miqtë e tij si të të kundërvihen dhe të thonë papushim se ari im nuk është i mirë.' Unë jam si ai argjendar. Kam farkëtuar gjithçka në qiell dhe në tokë, jo me çekiçë dhe vegla, por me pushtetin dhe fuqinë Time. Gjithçka që është, ishte dhe do të jetë, paradihet prej Meje. As edhe krimbi më piciruk apo kokrriza më e vogël nuk mund të ekzistojnë apo të vazhdojnë të ekzistojnë pa Mua. As edhe gjëja më e vogël nuk i shpëton paradijes Sime, pasi gjithçka vjen nga Unë dhe paradihet prej Meje. Por midis gjithë gjërave që kam bërë, fjalët që kam folur janë më të vyeshmet, ashtu sikurse ari është më i çmueshëm se gjithë metalet e tjera.
Prandaj shërbëtorët e Mi, të cilët i shpërndaj në të gjithë botën me arin Tim, duhet të bëjnë tre gjëra. Para së gjithash, ata nuk duhet t’ia besojnë arin Tim atyre që nuk kanë sy të paqtë dhe të kthjellët. Ti mund të pyesësh: 'Ç’do të thotë të kesh sy të kthjellët?' Njeri me sy të kthjellët është ai që ka urti hyjnore dhe dashuri hyjnore. Por si mund ta marrësh vesh këtë? Është e lehtë. Ka shikim të kthjellët dhe mund t’i besohet ari Im atij personi që jeton sipas arësyes, që i largohet kotësisë dhe kureshtjes tokësore, që nuk do asgjë më tepër se Hyjin e vet. Ndërsa i verbër është ai që ka njohuri, por nuk e vë në zbatim dashurinë hyjnore që ka kuptuar. Duket sikur i ka sytë nga Hyji, por nuk është ashtu, pasi sytë i ka nga bota e i ka kthyer shpinën Hyjit.
Së dyti, ari Im nuk i duhet besuar atij që nuk ka ndërgjegje. Kush ka ndërgjegje përveç atij që i trajton të mirat e veta të përkohshme dhe kalimtare duke mbajtur parasysh përjetësinë, që e ka shpirtin në qiell dhe trupin në tokë, që mendon çdo ditë se do vijë koha ta lërë këtë botë dhe do t’i japë llogari Hyjit për veprat e veta? Ari Im i duhet besuar një njeriu të tillë. Së treti, ai duhet ta shesë arin Tim për dhjetë talenta pasi ta ketë peshuar dy herë. Çfarë simbolizon peshorja me të cilën peshohet ari përveç ndërgjegjes? Çfarë simbolizojnë duart që peshojnë arin përveç vullnetit dhe dëshirës së mirë? Cilët janë gurët e peshores përveç veprave shpirtërore dhe trupore?
Ai që dëshiron ta blejë dhe mbajë arin Tim, duhet ta shqyrtojë veten drejt në peshoren e ndërgjegjes së vet dhe të ketë parasysh se duhet të paguajë dhjetë talenta të peshuar me kujdes sipas dëshirave të Mia. Talenti i parë është shikimi i tij i disiplinuar. Kjo e bën të mbajë parasysh ndryshimin mes shikimit trupor dhe shpirtëror, se ç’dobi ka bukuria dhe pamja fizike, sa shkëlqim ka në bukurinë dhe lavdinë e engjëjve dhe të pushteteve qiellore që ia kalojnë në shkëlqim të gjithë yjeve të qiellit dhe se ç’gëzim të hareshëm provon shpirti në urdhëresat e Hyjit dhe lavdinë e Tij.
Ky talent, domethënë shikimi fizik dhe shpirtëror që gjendet në urdhëresat e Hyjit dhe në vetëpërmbajtje, nuk duhet peshuar me të njëjtën peshore. Shikimi shpirtëror vlen më shumë se ai trupor dhe peshon më tepër pasi sytë e njeriut duhet të qëndrojnë hapur përballë çka i sjell dobi shpirtit dhe i nevojitet trupit, por mbyllur përballë marrëzisë dhe paturpësisë.
Talenti i dytë është të dëgjuarit e mirë. Njeriu duhet ta dijë vlerën e fjalorit të pacipë, të marrë dhe qesëndisës. Nuk vlen më tepër se një flluskë sapuni. Prandaj njeriu duhet të dëgjojë lavdet dhe himnet e Hyjit. Ai duhet të dëgjojë veprat dhe thëniet e shenjtërve të Mi. Duhet të dëgjojë çfarë i nevojitet për të forcuar shpirtin dhe trupin në virtyt. Ky lloj dëgjimi peshon më tepër në peshore se dëgjimi i paturpësive. Ky lloj i mirë dëgjimi, kur peshohet në peshore me dëgjimin tjetër, do ta ulë fare peshoren nga ana e vet, kurse tjetri, lloji bosh i dëgjimit, do të ngrihet lart e s’do të peshojë fare.
Talenti i tretë është ai i gjuhës. Personi duhet ta peshojë madhështinë dhe dobinë e fjalëve inkurajuese dhe të matura në peshoren e ndërgjegjes së vet. Duhet të vëre re edhe dëmin dhe kotësinë e fjalëve boshe. Pastaj duhet t’i lërë fjalët e kota dhe të dojë fjalët e mira. Talenti i katërt është shija. Ç’është shija e botës përveçse mizerje? Cfilitje në fillim të një veprimi, trishtim në vazhdim, hidhërim në fund të tij.
Po ashtu njeriu duhet ta peshojë me kujdes shijen shpirtërore kundrejt asaj tokësore e do të shohë se shpirtërorja peshon më shumë se ajo tokësore. Shija shpirtërore kurrë nuk humbet, kurrë nuk bëhet e mërzitshme, kurrë nuk pakësohet. Kjo lloj shije fillon në të tashmen duke i vënë fre epshit me anë të një jete të vetëpërmbajtur dhe zgjat përgjithmonë në qiell me gëzimin e ëmbël që vjen nga Hyji.
Talenti i pestë është ai i shqisës së të prekurit. Njeriu duhet të peshojë shqetësimet dhe andrallat që ai provon për shkak të trupit, gjithë hallet tokësore, të gjitha problemet e shumta me të afërmin. E do të kuptojë mjerimin e tyre të madh. Le të peshojë edhe sa e madhe është paqja e shpirtit dhe e një mendjeje të mirë-disiplinuar, sa mirë është që të mos shqetësohesh për gjëra të kota dhe salltanete. E do të kuptojë sa ngushëllim sjellin. Kushdo që dëshiron të bëjë peshim të saktë, duhet t’i vërë shqisat e të prekurit shpirtëror dhe fizik në peshore dhe do të shohë se shpirtërori peshon më shumë se trupori. Kjo shqisë shpirtërore e të prekurit fillon të zhvillohet me anë të përballimit me durim të vështirësive, respektimit me besnikëri të urdhëresave të Hyjit dhe zgjat përgjithmonë duke çuar në pushim dhe prehje të paqtë. Ai që prehjes fizike, ndjenjave dhe gëzimit tokësor i jep më peshë se atyre të përjetësisë, nuk është i denjë ta prekë arin Tim apo të gëzojë lumturinë Time.
Talenti i gjashtë është puna njerëzore. Njeriu duhet të peshojë me kujdes në ndërgjegjen e vet punën shpirtërore dhe atë materiale. E para të çon në qiell, e dyta në botë; e para në jetën e amshuar pa vuajtje, e dyta në dhimbje dhe vuajtje të tmerrshme. Kushdo që dëshiron arin Tim duhet t’i japë më peshë punës shpirtërore që kryhet në dashurinë Time dhe për lavdinë Time dhe jo punës materiale, pasi gjërat shpirtërore zgjasin përjetë ndërsa gjërat materiale do të kalojnë.
Talenti i shtatë është përdorimi i duhur i kohës. Njeriu ka kohë të caktuara për t’iu përkushtuar vetëm gjërave shpirtërore, kohë të tjera për nevojat trupore pa të cilat jeta është e pamundur (nëse përdoren sipas arësyes, ato llogariten si përdorim shpirtëror i kohës) dhe kohë të tjera për veprimtari të dobishme fizike. Meqenëse njeriu duhet të japë llogari për kohën dhe veprat e tij, ai duhet t’i japë përparësi përdorimit shpirtëror. Pastaj të merret me punë materiale dhe ta organizojë kohën në mënyrë të tillë që gjërat shpirtërore të kenë përparësi ndaj atyre të përkohshmeve e koha të mos kalojë pa shqyrtim dhe peshim të drejtë.
Talenti i tetë është administrimi i drejtë i të mirave të përkohshme që i janë dhënë njeriut, gjë që do të thotë se një i pasur, për aq sa ia lejojnë kushtet, duhet t’i japë të varfrit me bamirësi hyjnore.
Por ti mund të pyesësh 'Ç’duhet të japë ai i varfër që nuk ka asgjë?' Ai duhet të ketë synimin e drejtë dhe të mendojë si vijon: 'Po të kisha ndonjë gjë, do të isha gati ta jepja bujarisht.' Ky synim i llogaritet si vepër. Nëse synimi i të varfrit është që të ketë pasuri të përkohshme si të tjerët por t’i japë një shumë të vogël dhe cikërrima të varfërve, ky synim i llogaritet si vepër e vogël. Prandaj një i pasur që zotëron shumë duhet të praktikojë bamirësinë. Një nevojtar duhet të ketë synimin për të dhënë dhe me këtë do të fitojë merita. Nëse dikush i jep më shumë peshë gjërave të përkohshme se atyre shpirtërore, nëse Mua më jep një kacidhe, botës i jep njëqind dhe vetes njëmijë, atëherë ai nuk përdor një kut të drejtë matjeje. Kush përdor një kut të tillë matjeje nuk meriton ta ketë arin Tim. Unë, dhuruesi i të gjitha gjërave, që edhe mund të marr mbrapsht çka kam dhuruar, meritoj pjesën më të vlefshme.
Të mirat e përkohshme u krijuan për t’u përdorur dhe për të plotësuar nevojat njerëzore, jo për salltanete. Talenti i nëntë është shqyrtimi i kujdesshëm i së shkuarës. Njeriu duhet të shqyrtojë veprat e veta, ç’lloj veprash ishin, sa ishin, si i ka korigjuar dhe me ç’meritë. Ai duhet edhe të mbajë parasysh nëse veprat e tij të mira ishin më të pakta se ato të këqijat. Nëse sheh se veprat e tij të këqija kanë qenë më të shumta se të mirat, atëherë ai duhet të ketë synim të përkryer për t’u ndrequr dhe të pendohet me të vërtetë për të pabërat e tij. Ky synim, nëse është i sinqertë dhe i palëkundur, do të peshojë më tepër në sytë e Hyjit se të gjitha mëkatet e tij.
Talenti i dhjetë është meditimi dhe planifikimi mbi të ardhmen. Nëse dikush synon të mos dojë asgjë përveç gjërave të Hyjit, të mos dëshirojë asgjë përveç atyre që ai di se i pëlqejnë Hyjit, që me vullnet dhe durim të përqafojë vështirësitë, qoftë edhe dhimbjet e ferrit nëse kjo do t’i jepte Hyjit ndonjë ngushëllim dhe do të ishte vullneti i Hyjit, atëherë ky talent ia kalon gjithë të tjerëve. Me këtë talent të gjitha rreziqet kalohen lehtë. Kushdo që i paguan këto dhjetë talenta e meriton arin Tim.
Por siç thashë, armiqtë e Mi duan t’i pengojnë ata që shesin arin Tim në tre mënyra. Së pari ata duan t’i bëjnë të ngathët dhe përtacë. Ka përtaci fizike dhe shpirtërore. Përtaci fizike është lodhja trupore nga puna, zgjimi, etj. Përtacia shpirtërore ndodh kur një njeri me synime shpirtërore, edhe pse e njeh gëzimin e ëmbël dhe hirin e Shpirtit Tim, preferon të prehet në këtë gëzim dhe jo të shkojë e t’i ndihmojë të tjerët që të bëhen pjesëtarë me të në gëzim. A nuk e provuan Pjetri dhe Pali ëmbëlsinë e gëzimit të pamatë që buron nga Shpirti Im? Nëse do të kishte qenë vullneti Im, ata do të kishin preferuar të fshiheshin thelle në tokë me gëzimin që kishin në zemër dhe jo të bridhnin nëpër botë.
Por me qëllim që të tjerët të bëheshin pjesëtarë në gëzimin e tyre të ëmbël, për të predikuar ata preferuan të dalin për hir të të tjerëve si edhe për lavdinë e tyre edhe më të madhe dhe të mos rrinë vetëm pa i forcuar të tjerët me hirin që u ish dhënë atyre. Edhe miqtë e Mi, pavarësisht se do të donin të rrinin vetëm e të shijonin gëzimin e ëmbël që tashmë kanë, duhet të dalin në mënyrë që të tjerët të bëhen pjesëmarrës në gëzimin e tyre. Ashtu sikurse dikush që ka zotërime të shumta nuk i përdor ato vetëm për vete por i ndan me të tjerët, po ashtu fjalët e Mia dhe hiri Im nuk duhen mbajtur fshehur por duhet t’u shpallen të tjerëve që edhe ata të inkurajohen.
Miqtë e Mi mund t’u japin ndihmë tre lloj njerëzve. Së pari të mallkuarve; së dyti mëkatarëve, domethënë atyre që bien në mëkat dhe ngrihen përsëri; së treti të mirëve që qëndrojnë palëkundur. Por ti mund të pyesësh: 'Si mundet dikush t’i ndihmojë të mallkuarit kur ata nuk e meritojnë hirin dhe është e pamundur që të kthehen në hirin e Hyjit?' Lërmë të të përgjigjem me anë të një shembulli. Është njëlloj sikur në fund të një humnere të kishte gropa të panumërta dhe çdokush që bie në të zhytet se s’bën në thellësi. Nëse dikush do të bllokonte ndonjë prej gropave, ai që do të binte nuk do të zhytej aq thellë. Kjo u ndodh të mallkuarve. Edhe pse për shkak të drejtësisë Sime dhe ligësisë së tyre të pandryshueshme ata duhet të dënohen kur të vijë koha që Unë e paradi, prapë ndëshkimi i tyre do të jetë më i lehtë nëse ata frenohen nga të tjerët që të mos bëjnë disa të këqija dhe shtyhen të bëjnë ndonjë të mirë. Në këtë mënyrë Unë jam i mëshirshëm ndaj të mallkuarve.
Në radhë të dytë, ata mund t’u japin ndihmë atyre që bien, por ngrihen prapë, duke i mësuar si të ngrihen, duke i ndihmuar që të mos bien dhe duke i udhëzuar si të përmirësohen dhe t’u bëjnë ballë pasioneve të veta.
Në radhë të tretë, ata mund të bëhen të dobishëm për të drejtët dhe të përsosurit. Vallë nuk bien edhe ata vetë? Patjetër që bien, por kjo është për lavdinë e tyre më të madhe dhe turpërimin e djallit. Ashtu si një ushtar që plagoset lehtë në betejë nxitet edhe më shumë nga plaga dhe bëhet më i zellshëm në betejë, po ashtu tundimi djallëzor i nxit të zgjedhurit e Mi edhe më shumë për luftën shpirtërore dhe për përvujtëri dhe ata përparojne edhe më me zell drejt fitimit të kurorës së lavdisë. Prandaj fjalët e Mia nuk duhen fshehur nga miqtë e Mi pasi, kur të kenë dëgjuar për hirin Tim, ata do të ndizen edhe më shumë me devotshmëri për Mua.
Metoda e dytë që përdor armiku Im është mashtrimi për ta bërë arin tim të duket si baltë. Për këtë, kur transkriptohet ndonjë prej fjalëve të Mia, transkriptuesi duhet të sjellë me vete dy dëshmitarë të besueshëm ose një njeri me ndërgjegje ta sprovuar për të vërtetuar se ai e ka shqyrtuar dokumentin. Vetëm atëherë ai mund t’i transmetohet kujtdo që e dëshiron, që të mos mbërrijë i paautentikuar në duart e armiqve të Mi të cilët mund të shtojnë ndonjë gjë të rreme që do t’i denigronte fjalët e së vërtetës në sytë e njerëzve të thjeshtë.
Metoda e tretë e armikut Tim është predikimi i shpërfilljes ndaj arit Tim. Prandaj miqtë e Mi duhet t’u thonë atyre që u kundërvihen: 'Ari i këtyre fjalëve përmban, si të thuash, vetëm tre mësime. Ato na mësojnë që të kemi frikën e Hyjit, të duam devotshmërisht, ta dëshirojmë qiellin me arësye. Shqyrtojini fjalët dhe gjykoni vetë e nëse gjeni ndonjë gjë tjetër në to, kundërshtojini!'"
|