Krishti i flet nuses për rrugën që të çon në parajsë, rrugë e cila u hap me ardhjen e Tij dhe për dashurinë e zjarrtë që Ai na tregoi duke duruar aq shumë dhimbje për ne që kur lindi e derisa vdiq, si dhe për rrugën që të çon në ferr që tani është zgjeruar dhe rrugën e ngushtë që të çon në parajsë.
Libri 2 - Kapitulli 15

Ti po pyet me vete se përse Unë po të tregoj gjëra të tilla dhe po të rrëfej kaq mrekullira. Po e bëj vetëm për ty këtë? Sigurist që jo, por për inkurajimin dhe shpëtimin e të tjerëve. Ti e sheh se bota ishte si një shkretëtirë ku kishte një rrugë që të çonte tatëpjesë në humnerën e madhe. Në humnerë kishte dy dhoma. Njëra ishte aq e thellë sa nuk kishte fund dhe ata që përfunduan atje poshtë kurrë nuk u ngjitën më. E dyta nuk ishte e thellë dhe e frikshme si e para. Ata që shkuan atje kishin ca shpresë se do të merrnin ndihmë; pritja qe e gjatë por jo e pashpresë, në errësirë por pa mundim. Ata që jetuan në dhomën e dytë thërrisnin çdo ditë në drejtim të një qyteti madhështor aty pranë që ish plot me çdo të mirë dhe gëzim.

Ata thërrisnin fort pasi e dinin rrugën që të çonte në qytet. Megjithatë pylli i egër ishte aq i dendur saqë ata nuk ishin në gjendje ta kalonin apo të ecnin sadopak përpara për shkak të dendësisë së tij dhe nuk kishin forcë që të hapnin një shteg nëpër të. Çfarë thonin ata? Ata thërrisnin: 'O Hyj, eja e na ndihmo, na trego udhën e na ndriço, ne po të presim,! Askush përveç Teje nuk mund të na shpëtojë!' Kjo thirrje arriti në veshët e Mi në qiell dhe ngjalli mëshirën Time. I prekur nga thirrja e tyre, Unë erdha në shkretëtirë si shtegtar.

Por përpara se t’i futesha punës dhe të vija në botë, një zë foli përpara Meje duke thënë: 'Sëpata është ngulur në pemë.' Ky ishte zëri i Gjon Pagëzorit. Ai u dërgua përpara Meje dhe thërriti në shkretëtirë: 'Sëpata është ngulur në pemë,' që do të thotë: 'Le të përgatitet gjinia njerëzore pasi sëpata është gati dhe Ai ka ardhur të përgatisë një udhë që të çon tek qyteti dhe po rrëzon çdo pengesë.' Kur Unë erdha punova nga lindja deri në perëndim të diellit, domethënë iu përkushtova shpëtimit të njerëzimit qysh se u mishërova e derisa vdiqa në kryq. Në fillim të aktivitetit Tim Unë shkova në shkretëtirë larg armiqve të Mi, më konkretisht larg Herodit që po më ndiqte; u vura në provë nga djalli dhe u përndoqa nga njerëzit. Më vonë, duke hequr mundime të mëdha, Unë hëngra, piva dhe iu nënshtrova, pa mëkat, të gjitha nevojave të tjera natyrore që njerëzit të besonin se me të vërtetë kisha marrë natyrë njerëzore.

Pasi e përgatita udhën që të çonte në qytet, domethënë në qiell, dhe i largova të gjitha pengesat që ishin krijuar, driza dhe ferra më gërvishtën gjoksin dhe goxha gozhdë më plagosën duart dhe këmbët. Dhëmbët dhe faqet m’u dërrmuan. Durova gjithçka me durim dhe nuk u ktheva mbrapsht por eca përpara edhe më me zell, si kafshë e shtyrë nga uria që, kur sheh një njeri që i drejton heshtën në bark, akoma më me vrull kërcen drejt heshtës për t’iu afruar njeriut derisa barku dhe gjithë trupi i bëhen shoshë. Po kështu Unë digjesha me aq dashuri për shpirtin saqë, edhe pse pashë dhe provova gjithë këto tortura të mëdha, sa më shumë njerëzit dëshironin të më vrisnin, aq më shumë Unë dëshiroja të vuaja për shpëtimin e shpirtrave.

Kështu eca në shkretëtirën e kësaj bote dhe e përgatita udhën me gjak dhe djersë. Bota me të drejtë mund të quhet shkretëtirë pasi nuk kish asnjë virtyt e ish katandisur në shkretëtirë vesesh. Kishte vetëm një rrugë nga ku gjithkush zbriste në ferr, të mallkuarit drejt mallkimit, të mirët drejt errësirës. Unë dëgjova me mëshirë dëshirën e tyre të hershme për shpëtim dhe erdha si shtegtar për të punuar. I panjohur për ta në hyjninë dhe pushtetin Tim, Unë përgatita rrugën që çon në qiell. Miqtë e Mi e panë këtë rrugë dhe vërejtën vështirësitë e punës Sime dhe dëshirën e zemrës Sime dhe shumë prej tyre më ndoqën me gëzim për një kohë të gjatë.

Por ka ndryshuar zëri që thoshte: 'Përgatituni!' Rruga Ime ka ndryshuar dhe shkurre e ferra janë rritur dhe ata që po ecnin në të kanë ndaluar. Rruga për në ferr është e lirë. Është e gjerë dhe shumë ecin nëpër të. Por për të mos lejuar që rruga Ime të harrohet dhe të lihet pas dore, miqtë e Mi të paktë ende e përshkojnë atë me dashurinë për atdheun e tyre qiellor, si zogj që kërcejnë nga shkurrja në shkurre, gati të fshehur, duke më shërbyer me frikë, pasi të gjithë sot mendojnë se kur ecën nëpër rrugën e botës ke lumturi dhe gëzim.
Për këtë arësye, duke qenë se rruga Ime është ngushtuar dhe rruga e botës është zgjeruar, tani Unë po u thërras miqve të Mi në shkretëtirë, domethënë në botë, që ata t’i shkulin shkurret dhe drizat nga rruga që të çon në qiell dhe t’ia rekomandojnë atë rrugë atyre që po ecin.

Siç është shkruar: 'Qofshin bekuar ata ata që, edhe pse nuk më kanë parë, besojnë'. Po ashtu lum ata që tani besojnë në fjalët e Mia dhe i vënë në zbatim. Siç e sheh, Unë jam si një nënë që rend për të takuar të birin endacak. Ajo mban një dritë për të që ai ta shikojë rrugën. Nga dashuria, ajo i del përpara dhe e shkurton udhën e tij. I afrohet, e përqafon dhe e përshëndet. Me një dashuri të tillë Unë do të rend për të takuar miqtë e Mi dhe të gjithë ata që kthehen tek Unë dhe do t’u jap shpirtrave dhe zemrave të tyre dritën e urtisë hyjnore. Do t’i përqafoj me lavdi dhe do t’i rrethoj me oborrin qiellor ku nuk ka as qiell sipër as tokë poshtë, por veç Hyji shihet; ku nuk ka as ushqim as pije, por vetëm shijim të Hyjit.

Rruga për në ferr është e hapur për të ligët. Pasi të kenë hyrë aty, kurrë nuk do të dalin më. Nuk do të kenë lavdi e lumturi e do të jenë plot me mjerim dhe turp pa fund. Prandaj po i flas këto fjalë dhe po rrëfej dashurinë Time, në mënyrë që ata që janë larguar të kthehen tek Unë dhe të më njohin Mua, Krijuesin e tyre, që ata e kanë harruar."