Krishti i tregon nuses se përse Ai flet me të dhe jo me të tjerë që janë më të mirë se ajo. Ai i urdhëron asaj të bëjë tre gjëra, tre ia ndalon, tre ia lejon dhe tre ia këshillon; një mësim shumë i dobishëm.
Libri 2 - Kapitulli 16

Shumë vetë çuditen pse Unë flas me ty dhe jo me të tjerë jeta e të cilëve është më e lavdërueshme se e jotja dhe më kanë shërbyer për një kohë më të gjatë. Do t’u përgjigjem me anë të një shëmbëlltyre: Një zotëri ka disa vreshta në rajone të ndryshme. Nga çdo vreshtë, sipas rajonit ku ndodhet, prodhohet verë me shije tipike. Kur shtrydhet rrushi, pronari i vreshtave ndonjëherë provon verën mediokre dhe më të dobët, jo atë më të mirën. Nëse ndonjë nga të pranishmit e sheh dhe e pyet zotërinë përse vepron kështu, ai përgjigjet se kjo verë iu duk e mirë dhe e ëmbël në atë çast. Kjo nuk do të thotë se zotëria i hedh verërat më të mira apo nuk i do, por i ruan ato për t’i përdorur për raste të veçanta, kur të jetë e përshtatshme. Kështu bëj Unë me ty.

Kam shumë miq jeta e të cilëve është për Mua më e ëmbël se mjalti, më e shijshme se çdo verë, më e shndritshme se dielli. Megjithatë të zgjodha ty, jo sepse ti je më e mirë se ata, apo si ata ose më e përgatitur, por sepse ashtu kam vendosur – Unë që mund t’i bëj të mençur të marrët dhe shenjtër mëkatarët. Fakti që të kam dhënë hir kaq të madh nuk do të thotë se i përçmoj të tjerët. Por ata i ruaj për t’i përdorur për raste të veçanta, siç e lyp drejtësia. Pra përvujtërohu dhe mos u merakos për asgjë përveç mëkateve të tua. Duaji të gjithë, edhe ata që duket se të urrejnë dhe flasin keq për ty, pasi ata të japin një mundësi më tepër për të fituar kurorën! Tre gjëra të urdhëroj. Tre gjëra të urdhëroj të mos i bësh. Tre gjëra të lejoj t’i bësh. Tre gjëra të këshilloj t’i bësh.

Pra të komandoj të bësh tre gjëra. E para, të mos dëshirosh gjë tjetër përveç Hyjit; e dyta, të zhvishesh nga çdo krenari dhe arrogancë; e treta, gjithmonë ta urresh epshin. Tre gjëra të urdhëroj të mos i bësh. E para, të mos i duash fjalët e kota e të turpshme e as, e dyta, të ngrënit e tepruar dhe salltanetet dhe së treti, t’u kthesh shpinën dëfrimeve dhe kotësisë së botës. Të lejoj të bësh tre gjëra. E para, të flesh me masë për hir të shëndetit; e dyta, të rrish zgjuar me masë për ta kalitur trupin; e treta, të hash me masë për ta forcuar dhe mbajtur gjallë trupin.

Të këshilloj tre gjëra. E para, të mundohesh të agjërosh dhe të kryesh vepra të mira që e meritojnë mbretërinë e qiellit; e dyta, ta përdorësh çka zotëron për lavdinë e Hyjit; e treta, të këshilloj të mendosh vazhdimisht për tre gjëra në zemrën tënde. E para, mendo për gjithçka që kam bërë për ty, si kam vuajtur dhe vdekur për ty. Ky mendim nxit dashurinë për Hyjin. E dyta, medito për drejtësinë Time dhe gjykimin e ardhshëm. Kjo ngjall frikë në mendje. Së fundmi, ka një gjë të katërt që Unë e urdhëroj, komandoj, këshilloj dhe e lejoj. Kjo gjë është bindja. Ta urdhëroj këtë sepse jam Hyji yt. Të komandoj të mos veprosh ndryshe, pasi jam Zotëria yt. Ta lejoj këtë pasi jam fati yt. Ta këshilloj edhe sepse jam miku yt."