Krishti i shpjegon nuses se hyjnia e Zotit e meriton të quhet virtyt, i tregon për rënien e njerëzimit të shtyrë nga djalli dhe për ilaçin që Krishti i ka dhënë njerëzimit.
Libri 2 - Kapitulli 17

Biri i Hyjit i foli nuses dhe tha: "A beson plotësisht se çka prifti mban në duar është trupi i Hyjit?" Ajo u përgjigj: "Plotësisht e besoj, njëlloj siç besoj se fjala që iu dërgua Marisë u bë mish dhe gjak në krahërorin e saj, po ashtu besoj se çka tani shoh në duart e priftit është Hyj dhe njeri i vërtetë." Zoti iu përgjigj: "Ai jam Unë që po të flas e që pa u ndarë nga natyra hyjnore u bëra njeri në krahërorin e Virgjërës, pa e humbur hyjninë Time. Hyjnia Ime me të drejtë mund të quhet virtyt, burim dhe fron i çdo urtie. Në natyrën hyjnore të gjitha gjërat që ekzistojnë janë sistemuar me urti dhe arësye.

Nuk ka as edhe një grimcë të vetme në qiell që të mos jetë krijuar dhe paraditur prej saj. As edhe një atom i vetëm në tokë, as edhe një shkëndijë në ferr nuk i shpëton kontrollit apo paradijes së saj. Po çuditesh që thashë 'as edhe një grimcë e vetme në qiell'? Mirë atëherë, grimca është ajo që vulos gjithçka. Është pika në fund të fjalisë. Në të vërtetë fjala e Hyjit i vë vulën gjithçkaje. Thashë 'as edhe një atom i vetëm në tokë,' sepse të gjitha gjërat tokësore janë kalimtare. Edhe atomet, sado të vogla qofshin, nuk janë jashtë planit dhe provanisë hyjnore. Thashë 'as edhe një shkëndijë në ferr,' sepse në ferr ka veç zili. Ashtu si shkëndija del nga zjarri, po ashtu të gjitha të këqijat dhe zilitë vijnë nga shpirtrat e ndyrë e, si pasojë, ata dhe pasuesit e tyre gjithnjë provojnë zili e asnjë lloj dashurie.

Pra në Hyjin ekziston çdo dije dhe fuqi, prandaj çdo gjë është e mirësistemuar e asgjë nuk ia kalon fuqisë së Hyjit e asgjë nuk ndodh pa arësye, por gjithçka zhvillohet sipas natyrës së vet. Natyra hyjnore, meqenëse mund të quhet me të drejtë virtyt, e shfaqi virtytin e saj më të madh në krijimin e engjëjve. Ajo i krijoi ata për lavdinë e saj dhe për të mirën e tyre, që ata të të kishin dashuri dhe bindje: dashuri për Hyjin; bindje ndaj Hyjit në gjithçka. Disa prej engjëjve shkuan në udhë të shtrembër me ligësi dhe ligësisht iu kundërvunë këtyre dy gjërave. Iu kundërvunë vullnetit të Hyjit në atë masë saqë filluan ta urrejnë virtytin dhe të duan çka ishte kundër Hyjit. Për shkak të vullnetit të lig, ata merituan të bien. Nuk e shkaktoi Hyji rënien e tyre, shkaktarë ishin vetë ata që abuzuan.

Kur Hyji pa se radhët e ushtrisë qiellore u pakësuan si rezultat i mëkatit të tyre, Ai përsëri e shfaqi fuqinë e hyjnisë së Tij. Ai krijoi qeniet njerëzore me trup dhe shpirt. U dha atyre dy të mira, lirinë për të bërë mirë dhe lirinë për ta shmangur të keqen sepse, duke qenë se nuk do të krijoheshin më engjëj, duhej që qeniet njerëzore të ishin të lira për t’u ngjitur, nëse dëshironin, në rangun engjëllor. Gjithashtu Hyji i dha shpirtit njerëzor dy të mira, konkretisht një mendje racionale për të dalluar të kundërtat dhe të mirën nga më e mira; dhe forcë për të vazhduar së bëri mirë. Kur djalli pa këtë dashuri të Hyjit për njerëzimin, ai, me zilinë e vet, mendoi: 'Pra Hyji ka bërë një gjë të re që mund të ngjitet në postin tonë dhe me përpjekjet e veta mund të fitojë atë çka ne humbëm nga neglizhenca!

Nëse arrijmë ta mashtrojmë e ta bëjë të bjerë, ai do të heqë dorë nga përpjekjet dhe atëherë nuk do të ngrihet në atë rang.' Pastaj, pasi kurdisën një plan mashtrimi, ata e mashtruan njeriun e parë dhe e mposhtën me lejen Time të drejtë. Por si dhe kur u mposht njeriu i parë? Pikërisht kur ai e braktisi virtytin dhe bëri çka ndalohej, kur premtimi i gjarprit i pëlqeu më tepër se bindja ndaj Meje. Për shkak të mosbindjes ai nuk mund të jetonte në qiell pasi e kish përçmuar Hyjin dhe as në ferr pasi shpirti i tij reflektoi e me kujdes shqyrtoi çfarë kishte bërë dhe u pendua për krimin e vet.

Për këtë arësye, Hyji i virtytit, duke mbajtur parasysh mjerimin e njeriut, sajoi një lloj burgu apo vend robërie ku njerëzit mund të arrinin ta njihnin dobësinë e tyre dhe të korigjonin padëgjesën e kështu të meritonin të ngriheshin në rangun që kishin humbur. Djalli ndërkaq, duke e ditur këtë, u përpoq ta vrasë shpirtin njerëzor me anë të mosmirënjohjes. Duke i ngulitur fëlliqësinë e tij në shpirt, ia errësoi arësyen dhe njeriu nuk pati më as dashuri për Hyjin as frikë prej Tij. Drejtësia e Hyjit u harrua dhe gjykimi i Tij nuk u mor seriozisht. Për këtë arësye, mirësia dhe dhuratat e Hyjit nuk u çmuan më dhe u harruan.

Prandaj Hyjin nuk e donin dhe ndërgjegja njerëzore ishte errur aq shumë saqë njerëzimi dergjej në një gjendje të mjerueshme dhe ra në një mjerim edhe më të madh. Edhe pse njerëzimi ishte katandisur në një gjendje të tillë, prapë virtyti i Hyjit nuk mungoi. Ai e shfaqi mëshirën e Tij kur i tregoi Adamit dhe të mirëve të tjerë se ata do të merrnin ndihmë në një kohë të volitshme. Kjo nxiti devotshmërinë dhe dashurinë e tyre për Hyjin. Ai gjithashtu e shfaqi drejtësinë me anë të përmbytjes në kohën e Noeut e i mbushi zemrat e njerëzve me frikën e Hyjit. Edhe pas kësaj djalli nuk rreshti së ngacmuari njeriun dhe e sulmoi me dy të këqija të tjera. Së pari, frymëzoi mosbesimin tek njerëzit; së dyti, mungesën e shpresës. Ai frymëzoi mosbesimin me qëllim që njerëzit të mos besonin në fjalën e Hyjit, por t’ia vishnin mrekullitë e Tij fatit. Ai frymëzoi mungesën e shpresës që ata të mos shpresonin në shpëtimin dhe fitimin e lavdisë së humbur.

Hyji i virtytit dha dy ilaçe për të luftuar këto dy të këqija. Kundër mungesës së besimit, Ai ofroi shpresë duke i dhënë Abramit një emër të ri dhe duke i premtuar atij se nga fara e tij do të lindte ai që ta udhëhiqte atë dhe imituesit e besimit të tij drejt trashëgimisë së humbur. Ai gjithashtu caktoi profetë të cilëve u rrëfeu mënyrën e shëlbimit dhe kohërat dhe vendet e vuajtjeve të Tij. Përsa i përket së keqes së dytë, mosbesimit, Hyji i foli Mojsiut dhe i rrëfeu vullnetin e Vet e i dha ligjin atij duke i provuar fjalët me shenja dhe vepra të mrekullueshme. E megjithatë djalli prapë nuk hoqi dorë nga ligësia e vet. Duke e shtyrë njerëzimin drejt mëkatëve gjithnjë edhe më të këqija, ai frymëzoi dy qëndrime në zemrën e njeriut: së pari, konsiderimin e ligjit si të padurueshëm dhe humbjen e qetësisë mendore gjatë përpjekjeve për të jetuar sipas tij; së dyti, ai frymëzoi mendimin se vendimi i Hyjit për të vdekur dhe vuajtur nga dashuria ishte shumë i pabesueshëm dhe tepër i vështirë për t’u besuar.

Prapë Hyji dha dy ilaçe të tjera për këto dy të këqija. E para, Ai dërgoi Birin e Tij në krahërorin e Virgjërës që askush të mos e humbiste paqen e mendjes kur mendonte sesa vështirë ishte të zbatohej Ligji dhe pastaj e zbuti atë. Përsa i përket së keqes së dytë, Hyji shfaqi kulmin e virtytit. Krijuesi vdiq për krijesën, i drejti për mëkatarët. I pafajshëm, Ai vuajti deri në pikën e fundit, siç ishte parakallëzuar nga profetët. Edhe atëherë ligësia e djallit nuk rreshti, por prapë u ngrit kundër njerëzimit duke frymëzuar dy të këqija të tjera. E para, e frymëzoi zemrën njerëzore t’i përbuzte fjalët e Mia, e dyta, t’i linte në harrësë veprat e Mia.

Virtyti i Hyjit ka ofruar dy ilaçe kundër këtyre dy të këqijave. E para është respektimi i fjalëve të Mia dhe imitimi i veprave të Mia. Prandaj Hyji të ka udhëhequr me Shpirtin e Tij. Gjithashtu Ai ua ka bërë të ditur vullnetin e Tij në tokë miqve të Vet nëpërmjet teje, veçanërisht për dy arësye. Së pari, për të shfaqur mëshirën e Hyjit, që njerëzit të mësohen të sjellin ndërmend dashurinë dhe vuajtjet e Hyjit. Së dyti, për t’i kujtuar ata për drejtësinë e kështu t’i tremben ashpërsisë së gjykimit Tim.

Prandaj thuaji atij personi se, duke qenë se mëshira Ime tashmë ka ardhur, ai duhet ta bëjë këtë të ditur që njerëzit të mësojnë të kërkojnë mëshirë dhe të kenë kujdes nga gjykimi që i pret. Përveç kësaj thuaji se, edhe pse fjalët e Mia janë shkruar, prapë ato së pari duhen predikuar dhe vënë në praktikë. Këtë mund ta kuptosh me anë të një metafore. Kur Mojsiu do të merrte Ligjin, u përgatitën një shkop dhe dy pllaka guri të latuara. Megjithatë, ai nuk bëri mrekulli me anë të shkopit kur nuk qe nevoja dhe rrethanat nuk e kërkonin një gjë të tillë. Kur koha e volitshme erdhi, atëherë u bënë një sërë mrekullish dhe fjalët e Mia u provuan me vepra.

Po ashtu, kur erdhi Ligji i Ri, së pari trupi Im u rrit dhe u zhvillua deri në kohën e caktuar dhe më pas u dëgjuan fjalët e Mia. Por edhe pse fjalët e Mia u dëgjuan, ato nuk patën forcë dhe fuqi në vetvete deri kur nuk u shoqëruan nga veprat. Dhe ato nuk u përmbushën deri kur Unë i përmbusha nëpërmjet mundimeve të Mia të gjitha gjërat që pata parakallëzuar për Veten. Po kështu ndodh tani. Edhe pse fjalët e Mia të përzemërta janë shkruar dhe i duhen transmetuar botës, prapë nuk mund të kenë ndonjë forcë derisa të mos nxirren krejtësisht në dritë."