Krishti i tregon nuses si Hyji u flet miqve të Vet me anë të predikuesve e nëpërmjet vuajtjeve. Krishti krahasohet me një pronar bletësh, kisha me një koshere dhe të Krishterët me bletët. Përse të Krishterët e këqinj lejohen të jetojnë mes të mirëve.
Libri 2 - Kapitulli 19

Unë jam Hyji yt. Shpirti Im të ka prirë që të dëgjosh, shohësh dhe ndjesh: të dëgjosh fjalët e Mia, të shohësh vegime, ta ndjesh Shpirtin Tim në gëzimin dhe devotshmërinë e shpirtin tënd. Mëshira Ime është e drejtë dhe drejtësia Ime e mëshirshme. Unë jam si një njeri që i sheh miqtë e vet tek largohen prej tij e i futen një rruge që shkon tatëpjetë e ku gjendet një humnerë e llahtarshme nga ku është e pamundur të dalësh. U flas këtyre miqve me anë të atyre që e njohin Shkrimin e Shenjtë. Flas me një frushkull, i paralajmëroj për rrezikin. Por ata bëjnë të kundërtën e asaj që u them. Shkojnë drejt rrënimit dhe nuk duan t’ia dinë për fjalët e Mia.

Kam vetëm një gjë për të thënë: 'Mëkatar, kthehu tek Unë! Ty të kanoset rreziku; ka kurthe gjatë rrugës që ti s’i sheh për shkak të errësirës së zemrës sate.' Ata tallen me çka them. E shpërfillin mëshirën Time. Megjithatë, edhe pse mëshira Ime është e tillë që Unë i paralajmëroj mëkatarët, drejtësia Ime është e tillë edhe sikur gjithë engjëjt t’i kapnin e kthenin nga ajo rrugë, ata prapë nuk do të ndryshonin për mirë nëse nuk e drejtojnë vullnetin nga e mira. Nëse vullnetin e kthejnë nga Unë dhe më japin pëlqimin e zemrës së tyre, as edhe të gjithë djajtë bashkë nuk do të mund t’i pengonin të ktheheshin.

Ekziston një insekt që quhet bletë e për të cilën kujdeset zotëria dhe mjeshtri i saj. Bletët i tregojnë respekt në tre mënyra sundimtarit të tyre, bletës mbretëreshë, dhe përfitojnë prej saj në tre mënyra. E para, bletët i çojnë mbretëreshës gjithë nektarin që mbledhin. E dyta, ata i qëndrojnë gatitu urdhrave të saj dhe kudo që ndodhen dashuria dhe mirësia e tyre i drejtohen gjithmonë mbretëreshës. E treta, ata e ndjekin dhe i shërbejnë asaj duke i ndenjur pranë. Në këmbim të këtyre tre gjërave, bletët marrin një shpërblim të trefishtë nga mbretëresha e tyre.

E para, ajo u jep sinjalin kur është koha për të dalë për punë. E dyta, ajo u jep udhëzime dhe dashuri. Për shkak të pranisë dhe sundimit të saj dhe për shkak të dashurisë që ajo ka për to dhe ato për të, të gjitha bletët janë të bashkuara me njëra-tjetrën në dashuri dhe secila gëzon për të tjerat dhe për përparimin e tyre. E treta, ato bëhen të frytshme në sajë të dashurisë reciproke dhe gëzimit të udhëheqëses së tyre. Ashtu si peshqit i lëshojnë vezët ndërsa lodrojnë së bashku në det dhe vezët bien në det e japin fryt, po ashtu edhe bletët bëhen frytdhënëse me anë të dashurisë reciproke dhe dashurisë dhe gëzimit të udhëheqëses së tyre. Me fuqinë Time të mrekullueshme, nga dashuria e tyre lind një farë që duket e pajetë dhe merr jetë nga mirësia Ime.

Mjeshtri, domethënë pronari i bletëve, i merakosur për to, i flet shërbëtorit: 'Shërbëtori im,' i thotë ai, 'më duket se bletët i kam sëmurë dhe nuk fluturojnë fare.' Shërbëtori përgjigjet: 'Nuk e marr vesh këtë sëmundje, por nëse është kështu, po të pyes si mund të mësoj për të.' Mjeshtri përgjigjet: 'Mund ta kuptosh sëmundjen apo problemin e tyre nga tre shenja. Shenja e parë është se ato janë të dobëta dhe të plogështa në fluturin, gjë që tregon se e kanë humbur mbretëreshën nga e cila merrnin fuqi dhe ngushëllim. Shenja e dytë është se ato dalin pa orar, që tregon se nuk marrin sinjal nga udhëheqësja.

Shenja e tretë është se ato nuk shfaqin dashuri për kosheren e prandaj kthehen në shtëpi duarbosh, duke u ngopur vetë por pa sjellë fare nektar si rezervë për të ardhmen. Bletët e shëndetshme dhe në formë janë të qëndrueshme dhe të forta në fluturim. Kanë orare të caktuara për të dalë dhe për t’u kthyer dhe sjellin me vete dyll për të ndërtuar banesat e veta dhe mjaltë për ushqim.' Shërbëtori i përgjigjet mjeshtrit: 'Nëse janë të padobishme dhe të sëmura, pse merresh ende me to dhe nuk i heq qafe?' Mjeshtri përgjigjet: 'I lë të jetojnë për tre arësye, pasi ato sjellin tre të mira edhe pse jo me pushtetin e vet.

E para sepse ato zënë banesat e përgatitura për to dhe karkalecat nuk vijnë t’i zënë banesat bosh dhe të shqetësojnë bletët e mira që kanë mbetur. E dyta, bletët e tjera bëhen më frytdhënëse dhe të përkushtuara në punë për shkak të punës jo të mirë të të këqijave. Bletët frytdhënëse i shohin të këqijat tek punojnë vetëm për të plotësuar tekat e veta dhe sa më shumë bletët e këqija u përkushtohen tekave të veta, aq më shumë bletët e mira i përkushtohen punës për mbretëreshën e tyre. Në radhë të tretë, bletët e keqija janë të dobishme për të mirat kur vjen puna për t’u mbrojtur. Pasi ekziston një insekt fluturues i mësuar të hajë bletë. Kur bletët e kuptojnë se insekti po vjen, të gjitha mbushen me urrejtje për të.

Edhe pse bletët e këqija e luftojnë dhe e urrejnë nga zilia dhe për vetëmbrojtje, ndërsa të mirat e bëjnë këtë nga dashuria dhe për drejtësi, si bletët e mira ashtu edhe ato të këqija punojnë së bashku për ta sulmuar këtë insekt. Nëse të gjitha bletët e këqija do të dëboheshin dhe do të mbesnin vetëm të mirat, ky insekt do t’i mposhte shpejt pasi atëherë ato do të ishin më pak në numër. Për këtë arësye,' tha mjeshtri, 'Unë i toleroj bletët e pavlera. Por kur të vijë vjeshta, unë do të kujdesem për bletët e mira dhe do t’i ndaj nga të këqijat e kush mbetet jashtë kosheres do të ngordhë nga i ftohti.

Por nëse mbesin brenda dhe nuk mbledhin, do të rrezikojnë të ngordhin urie, pasi kanë neglizhuar të mbledhin ushqim atëherë kur mundeshin.' Unë jam Hyji, Krijuesi i gjithçkaje; Unë jam pronari dhe zotëria i bletëve. Nga dashuria Ime e zjarrtë dhe me gjakun Tim Unë themelova kosheren Time, domethënë Kishën e Shenjtë ku të Krishterët duhet të grumbullohen të banojnë në bashkimin e fesë dhe me dashuri të ndërsjellë. Banesat e tyre janë zemrat e tyre dhe aty duhet grumbulluar mjalti i mendimeve dhe afeksioneve të mira. Ky mjalt sillet duke medituar mbi dashurinë Time në krijim dhe mundimet e Mia në shëlbim dhe përkrahjen dhe mëshirën Time të durueshme për ta nxjerrë njeriun nga rruga e gabuar dhe për ta shëruar.

Në këtë koshere, domethënë në Kishën e Shenjtë, ka dy lloj njerëzish, ashtu siç ishin dy lloje bletësh. Të parët janë të Krishterët e këqinj që nuk mbledhin nektar për Mua por për vete. Kthehen pa sjellë asgjë dhe nuk e njohin udhëheqësin e vet. Kanë thumb në vend të mjaltit dhe epsh në vend të dashurisë. Bletët e mira përfaqësojnë të Krishterët e mirë. Ata më respektojnë në tre mënyra. E para, më konsiderojnë udhëheqësin dhe zotërinë e tyre duke më ofruar mjalt të ëmbël, domethënë vepra dashurie që më pëlqejnë dhe janë të dobishme për ta. E dyta, ata janë gati ta zbatojnë vullnetin Tim. Vullneti i tyre përkon me Timin, të gjitha mendimet e tyre janë për mundimet e Mia, të gjitha veprat e tyre janë për lavdinë Time. E treta, ata më ndjekin, domethënë ata më binden në gjithçka.

Kudo ndodhen, qoftë jashtë ose brenda, qoftë në trishtim apo gëzim, zemra e tyre është gjithmonë e bashkuar me zemrën Time. Prandaj ata përfitojnë nga Unë në tre mënyra. E para në sajë të virtytit dhe frymëzimit që u jap, ata kanë orare fikse dhe të caktuara, errësirë natën dhe dritë ditën. Në të vërtetë ata e bëjnë natën ditë, domethënë e shndërrojnë lumturinë tokësore në lumturi të amshuar dhe lumturinë kalimtare në qëndrueshmëri të përjetshme. Janë të ndjeshëm për çdo gjë pasi i vënë në punë të mirat e tanishme për nevojat e tyre; janë të qëndrueshëm në vështirësi, syhapur në sukses, të përmbajtur në përkujdesin për trupin, të kujdesshëm dhe të matur në veprat e tyre. E dyta, njëlloj si bletët e mira, ata e duan njëri-tjetrin, e duan të afërmin si vetveten, por Mua më duan mbi gjithçka, edhe më tepër se vetveten.

E treta, ata bëhen frytdhënës në sajin Tim. Çdo të thotë të jesh i frytshëm përveçse të kesh Shpirtin Tim Shenjt dhe të jesh i mbushur me Të? Kushdo që nuk e ka dhe i mungon mjalti i Tij, është i pafrytshëm dhe i padobishëm; ai rrëzohet dhe zhbihet. Por Shpirti Shenjt e ndez me dashuri hyjnore personin në të cilin banon; Ai ia hap shqisat e mendjes; ia shkul krenarinë dhe mungesën e vetëpërmbajtjes; Ai e nxit shpirtin që të lëvdojë Hyjin dhe të përbuzë botën.

Bletët e pafrytshme nuk e njohin këtë Shpirt dhe prandaj e qesëndisin disiplinën e i largohen bashkimit dhe vëllazërisë së dashurisë. Janë duarbosh, pa vepra të mira; e bëjnë ditën natë, ngushëllimin gjëmë, lumturinë trishtim. E megjithatë Unë i lë të jetojnë për tre arësye. E para në mënyrë që karkalecat, domethënë të pafetë, të mos hyjnë në banesat e përgatitura. Nëse të ligët do të dëboheshin të gjithë menjëherë, do të mbeteshin vetëm pak të Krishterë të mirë dhe, për shkak të numrit të tyre të vogël, të pafetë, duke qenë më të shumtë në numër, do të vinin të banonin pranë tyre duke u shkaktuar shumë telashe. E dyta ata tolerohen për të vënë në provë të Krishterët e mirë pasi, siç e dini, qëndrueshmëria e të mirëve provohet nga ligësia e të ligëve.

Vështirësitë nxjerrin në pah sa durim ka njeriu, ndërsa begatia qartëson sa këmbëngulës dhe i përmbajtur është ai. Duke qenë se veset depërtojnë në karakteret e mira herë pas here dhe virtytet mund t’i bëjnë shpesh krenarë njerëzit, të ligët lejohen të jetojnë pranë të mirëve në mëyrë që të mirët të mos flenë mbi dafina nga lumturia e madhe apo t’i zërë gjumi nga apatia, si dhe që të mund ta ngulisin shpesh vështrimin tek Hyji. Aty ku ka pak luftë, ka edhe pak shpërblim. Në radhë të tretë, ata tolerohen për ndihmesën që japin në mënyrë paganët dhe të pafetë armiqësorë mos t’u bëjnë keq atyre që duken të Krishterë të mirë, madje t’i kenë frikë për radhët e tyre të shumta. Të mirët u bëjnë rezistencë të këqinjve nga drejtësia dhe dashuria për Hyjin, kurse të këqinjtë e bëjnë këtë vetëm për vetëmbrojtje dhe për t’i shpëtuar zemërimit të Hyjit. Kështu të mirët dhe të këqinjtë ndihmojnë njëri tjetrin, prandaj të këqinjtë tolerohen për hir të të mirëve dhe të mirët marrin një kurorë më të lavdishme për shkak të ligësisë së të ligëve.

Bletërritësit janë prelatët e kishës dhe sundimtarët, qoftë të mirë apo të këqinj. Unë u flas mbarështuesve të mirë dhe Unë, Hyji dhe Mbrojtësi i tyre, i paralajmëroj t’i ruajnë bletët e Mia. Le të meditojnë për ecejaket e bletëve! Le të shikojnë nëse janë të sëmura apo të shëndetshme! Nëse ndodh që nuk dinë si ta dallojnë këtë, ja ku janë tre shenja që u jap për ta kuptuar. Janë të padobishme ato bletë që janë të plogështa në fluturim, që nuk u përmbahen orareve dhe nuk kontribuojnë duke sjellë mjalt. Ato që janë të plogështa në fluturim janë ato që merakosen më tepër për gjërat tokësore se për ato të përjetshme, që i tremben vdekjes së trupit më tepër se asaj të shpirtit, që thonë me vete: 'Pse duhet të shqetësohem kur mund të rri i qetë dhe në paqe? Pse duhet ta mohoj vetveten kur mund të jetoj?'

Këta fatkeqë nuk reflektojnë që Unë, Mbreti i fuqishëm i lavdisë, zgjodha të jem i pafuqishëm. Unë kam qetësinë dhe paqen më të madhe dhe në në të vërtetë jam paqja vetë, e prapë zgjodha të heq dorë nga paqja dhe qetësia për hir të tyre dhe i çlirova nga vdekja. Ata nuk u përmbahen orareve pasi dëshirat e tyre priren drejt gjëravë tokësore, bisedat e tyre drejt gjërave të turpshme, mundimet e tyre drejt egoizmit, kohën e organizojnë sipas dëshirave të tyre trupore. Ata që nuk kanë dashuri për kosheren dhe nuk mbledhin nektar janë ata që bëjnë disa vepra të mira për Mua, por ama vetëm nga frika e ndëshkimit. Edhe pse bëjnë ndonjë vepër të përshpirtshme, prapë nuk heqin dorë nga egoizmi dhe mëkati. Duan ta kenë Hyjin, por pa hequr dorë nga bota dhe pa duruar mungesa apo vështirësi.

Këto janë bletët që nxitojnë në shtëpi me këmbë bosh, por nxitimi i tyre është i pamend pasi nuk fluturojnë me dashurinë e duhur. Prandaj, në vjeshtë, domethënë kur të vijë koha e ndarjes, bletët e padobishme do të ndahen nga të mirat dhe do të vuajnë uri të përjteshme për shkak të dashurisë dhe dëshirave të tyre egoiste. Duke qenë se janë tallur me Hyjin dhe e kanë përbuzur virtytin, do të shkatërrohen nga i ftohti i acartë, por pa u konsumuar.

Miqtë e Mi duhet të qëndrojnë syhapur ndaj tre të këqijave që mund t’u vinë nga bletët e liga. Së pari duhet të kujdesen që fëlliqësia e tyre të mos depërtojë në veshët e miqve të Mi, pasi bletët e këqija janë helmuese. Kur u mbaron mjalti, asgjë e ëmbël nuk mbetet në to; janë plot me hidhësi helmuese. Së dyti duhet të ruajnë bebëzat e syve nga flatrat e bletëve të këqija që janë të mprehta si gjilpëra. Së treti duhet të jenë të kujdesshëm të mos ia ekspozojnë trupat bishtave të bletëve, pasi ato kanë thumba që shpojnë thellë. Të diturit që studiojnë zakonet dhe temperamentin e tyre mund ta shpjegojnë kuptimin e këtyre gjërave. Ata që nuk janë në gjendje ta kuptojnë, duhet t’u ruhen rreziqeve dhe t’i shmangen shoqërisë dhe shembullit të tyre.

Përndryshe do ta mësojnë kur ta pësojnë çka nuk ditën ta mësojnë duke dëgjuar." Pastaj Nëna e Tij tha: "I bekuar je Ti, Biri im, Ti që je, që ishe dhe gjithmonë do të jesh! Mëshira Jote është e ëmbël dhe drejtësia Jote e madhe. Ti më sjell ndërmend, Biri im – për t’u shprehur figurativisht – një re që ngrihet në qiell e paraprirë nga një fllad i lehtë. Në re u shfaq një njollë e errët dhe dikush që ishte jashtë, duke ndjerë flladin e lehtë, ngriti sytë dhe pa renë e errët dhe mendoi me vete: 'Kjo re e zezë më duket se paralajmëron shi.' Dhe nxitoi drejt një strehe që t’i shpëtonte shiut.

Por të tjerët, që ishin të verbër ose që ndoshta nuk deshën t’ia dinë, nuk i vunë mend flladit të lehtë dhe nuk iu trembën resë së zezë, por kur e pësuan mësuan ç’donte të thoshte reja. Reja, duke mbuluar të gjithë qiellin, erdhi me oshëtimë të fortë dhe me një zjarr aq të furishëm dhe të fuqishëm saqë gjallesat vdiqën nga tronditja. Zjarri i përpiu njerëzit e kështu asgjë nuk mbeti.
Biri im, fjalët e Tua janë kjo re që duket e errët dhe e pabesueshme për shumë njerëz pasi nuk ia kanë vënë fort veshin dhe sepse u janë dhënë njerëzve të paditur dhe nuk janë shoqëruar me mrekullira. Këto fjalë u praprinë nga lutja ime dhe nga mëshira me të cilën Ti mëshiron dhe si nënë i afron të gjithë tek Ti.

Kjo mëshirë, si pasojë e durimit Tënd, është e lehtë si fllad i lehtë. E ngroh dashuria me të cilën Ti u mëson mëshirë atyre që ndezin zemërimin Tënd dhe u ofron mirësi atyre që nuk të marrin seriozisht. Prandaj të gjithë ata që i dëgjojnë këto fjalë, le t’i ngrenë sytë dhe dhe ta shohin dhe njohin burimin e tyre. Le të reflektojnë nëse këto fjalë shfaqin mëshirë dhe përvujtëri. Duhet të reflektojnë nëse kanë të bëjnë me gjëra të tashme apo të ardhshme, të vërteta apo gënjeshtra. Nëse zbulojnë se fjalët janë të vërteta, le të nxitojnë drejt një vendstrehimi, domethënë drejt përvujtërisë dhe dashurisë së vërtetë për Hyjin. Pasi kur të vijë drejtësia, shpirti do të ndahet nga trupi dhe do të përpihet nga zjarri e do të digjet brenda dhe jashtë. Patjetër që do të digjet, por pa u konsumuar. Për këtë arësye, Unë, Mbretëresha e mëshirës, u bëj thirrje banorëve të botës: le t’i t’i ngrenë sytë dhe të vështrojnë mëshirën! Paralajmëroj dhe lutem si nënë, këshilloj si zonjë sovrane.

Kur të vijë drejtësia do të jetë e pamundur t’i bëhet ballë. Prandaj kini fe të qëndrueshme dhe jini të vëmendshëm, provojeni të vërtetën në ndërgjegjen tuaj, ndryshojeni vullnetin tuaj dhe pastaj Ai që ju ka folur fjalë dashurie do tju tregojë vepra dhe prova dashurie!" Biri m’u drejtua mua duke më thënë: "Më sipër, përsa i përket bletëve, të tregova së ato përfitojnë tre gjëra nga mbretëresha. Tani po të them se ata kryqtarë që i kam vënë në kufijtë e tokave të krishtera duhet të jenë bletë të tilla. Por tani ata po luftojnë kundër Meje pasi nuk kujdesen për shpirtrat dhe nuk u dhimbsen trupat e atyre që kanë lënë pas gabimin dhe janë bërë pjesë e kishës Katolike dhe e Imja.

Ata i shtypin dhe i privojnë nga liritë e tyre. Nuk i mësojnë në fe, i privojnë nga sakramentet dhe i dërgojnë në ferr me ndëshkim edhe më të madh se ai që do të kishin merituar po të kishin qëndruar në paganizmin e tyre tradicional.
Përveç kësaj, ata luftojnë vetëm prej krenarisë dhe lakmisë. Prandaj po vjen koha kur do t’u thyhen dhëmbët, kur do t’u gjymtohet dora e djathtë, do t’u pritet këmba e djathtë që të zënë mend."