Akt-akuza e Birit ndaj një shpirti që do të dënohej në prani të nuses dhe përgjigja që Krishti i dha djallit që e pyeti se përse Ai e lejoi këtë shpirt dhe i lejon bakëqinj të tjerë të prekin apo të marrin trupin e Tij të vërtetë në kungim.
Libri 2 - Kapitulli 2

Hyji u shfaq i zemëruar dhe tha: "Kjo vepër e duarve të Mia, të cilës i pata taksur lavdi të madhe, më përbuz shumë. Ky shpirt, të cilit i ofrova gjithë kujdesin Tim të përzemërt, më ka bërë tre gjëra: i hoqi sytë prej Meje dhe i ktheu nga armiku. E nguliti vullnetin tek bota. E vuri besimin tek vetvetja sepse ishte i lirë të mëkatonte kundër Meje. Për këtë arësye, duke qenë se nuk u merakos të më ketë fare në konsideratë, bëra drejtësi të beftë ndaj tij. Duke qenë se e kishte ngulitur vullnetin e vet kundër Meje dhe kish vënë besim të rremë tek vetvetja, ia largova objektin e dëshirave të tij." Pastaj një djall bërtiti, duke thënë: "Gjykatës, ky shpirt është i imi." Gjykatësi u përgjigj: "’Ç’akuzë ke kundër tij?" Ai u përgjigj: "Akuza ime është akt-akuza që Ti i bën, pra që të ka përçmuar Ty, Krijuesin e vet, dhe për këtë arësye shpirti i tij është bërë shërbëtori im.

Përveç kësaj, duke qenë se ai u mor papritmas nga jeta, si mundet krejt papritur të fillojë të të pëlqejë? Pasi kur kish trup të shëndetshëm dhe jetonte në botë, ai nuk të shërbeu me zemër të sinqertë sepse më shumë donte gjërat e krijuara, nuk bëri durim në sëmundje e as nuk reflektoi për veprat e Tua ashtu siç duhej. Në fund ai nuk digjej nga zjarri i dashurisë. Ai është i imi pasi Ti e more nga jeta papritmas."

Gjykatësi u përgjigj: "Shpirti, kur nuk ka kryer vepra të dënueshme, nuk mund të dënohet pse vdes papritur. Vullneti i njeriut nuk dënohet përgjithmonë pa e peshuar mirë çështjen." Pastaj Nëna e Hyjit erdhi dhe tha: "Biri im, nëse një shërbëtor dembel ka një mik që ka miqësi të ngushtë me zotërinë e tij, a nuk do t’i vijë ky mik i ngushtë në ndihmë? A nuk do të shpëtohet ai, nëse e kërkon një gjë të tillë, për hir të tjetrit?" Gjykatësi u përgjigj: "Çdo vepër drejtësie duhet të shoqërohet nga mëshira dhe urtia – mëshira e zbut ashpërsinë, urtia siguron drejtësi. Por nëse shkelja është e tillë që nuk meriton tolerim, vendimi prapë se prapë mund të zbutet për hir të miqësisë, pa e shkelur drejtësinë. Pastaj Nëna e Tij tha: "I bekuari Biri im, ky shpirt më ka patur vazhdimisht në mendje dhe më ka nderuar dhe shpesh kish zakon të merrte pjesë në festat solemne, edhe pse ishte i ftohtë ndaj Teje. Prandaj ki mëshirë për të!"

Biri u përgjigj: "E bekuara Nënë, në Mua ti sheh dhe di gjithçka. Edhe pse ky shpirt të kish në mendje, këtë e bënte më tepër për interesat e përkohshme sesa për të mirën e tij shpirtërore. Ai nuk e trajtoi trupin Tim tejet të pastër ashtu siç duhej. Goja e tij e fëlliqur e pengonte t’i gëzohej dashurisë Sime. Dashuritë dhe qejfet mondane i fshihnin vuajtjet e Mia prej tij. Duke e marrë krejtësisht të mirëqenë faljen Time, ai nuk mendonte për fundin e vet dhe kjo ia përshpejtoi vdekjen. Edhe pse është kunguar vazhdimisht, kjo nuk e përmirësoi shumë pasi ai nuk përgatitej siç duhej. Kush dëshiron ta pranojë në kungim Zotërinë dhe bujtësin e tij fisnik, jo vetëm që duhet të përgatisë dhomën e miqve, por edhe të gjitha enët. Ky njeri nuk veproi kështu pasi, edhe pse e pastronte shtëpinë, ai nuk e fshinte me kujdesin që ngjall respekti. Ai nuk e shtronte dyshemenë me lulet e virtyteve e as i mbushte enët e gjymtyrëve me vetëpërmbajtje. Prandaj ti e sheh fare mirë se e meriton dënimin.

Vërtet jam i pacënueshëm dhe i pakuptueshëm dhe gjendem kudo në sajë të hyjnisë Sime, por gëzimin e gjej tek të dlirët pavarësisht se hyj si tek i miri ashtu edhe tek i mallkuari. Të mirët marrin trupin Tim që u kryqëzua dhe u ngjit në qiell, që u simbolizua paraprakisht nga mana dhe nga mielli i së vesë. Po kështu bëjnë edhe të këqinjtë, por ndërsa për të mirët ai vlen për t’i forcuar dhe ngushëlluar më tepër, të këqinjtë i çon në dënim akoma më të drejtë pasi ata, edhe pse të padenjë, nuk kanë frikë t’i afrohen një sakramenti kaq dinjitoz." Djalli u përgjigj: "Nëse ai të afrohej padenjësisht, duke merituar kështu ndëshkim më të ashpër, atëherë përse e lejove të të afrohej dhe të të prekte?"

Gjykatësi u përgjigj: "Ti nuk më pyet i shtyrë nga dashuria, pasi ti nuk ke fare dashuri, por është pushteti Im që të detyron të pyesësh për hir të nuses Sime që po dëgjon. Ashtu sikurse si i miri dhe i keqi u sollën me Mua për të provuar realitetin e natyrës Sime njerëzore dhe të përvujtërinë Time të durueshme, po ashtu si i miri dhe i ligu ushqehen me Mua në altar – të mirët që të përsosen më tej, të këqinjtë që të mos kujtojnë se tashmë janë dënuar e, duke marrë trupin Tim, të mund të kthehen, me kusht që të jenë të vendosur të bëjnë kthesë. Ç’dashuri më të madhe mund t’u tregoj sesa duke hyrë, Unë më i pastri i të pastërve, edhe në enën më të fëlliqur (edhe pse, si dielli material, Mua asgjë nuk më ndot)? Ti dhe miqtë e tu e përçmoni këtë dashuri sepse e keni ngurtësuar veten ndaj dashurisë."

Pastaj Nëna foli përsëri "I miri Biri im, sa herë që të afrohej ai ishte i respektueshëm ndaj Teje, edhe pse jo ashtu siç duhet. Gjithashtu ai pendohet që të ka fyer, edhe pse jo përsosshmërisht. Biri im, për hatrin tim, llogarite këtë në favor të tij." Biri u përgjigj: "Siç tha profeti, Unë jam dielli i vërtetë, edhe pse jam shumë më i mirë se dielli material. Dielli material nuk i përshkon dot malet dhe mendjet, ndërsa Unë po.

Një mal mund ta pengojë diellin material që ta ndriçojë tokën që gjendet mbrapa tij, por ç’mund të më pengojë Mua përveç mëkatit që nuk e lejon shpirtin të përshkohet nga dashuria Ime? Edhe sikur një pjesë e malit të hiqej, toka prapa tij prapë se prapë nuk do të ngrohej nga dielli. Dhe nëse Unë hyj në një pjesë të pastër të një mendjeje, ç’ngushëllim mund të kem nëse më vjen erë e rëndë nga një pjesë tjetër? Prandaj njeriu duhet të lirohet nga çdo fëlliqësirë dhe pastaj nga pastërtia do të burojë gëzim i ëmbël." Nëna u përgjigj: "U bëftë vullneti Yt me çdo mëshirë!"

SQARIM
Ky ishte një prift që shpesh ishte paralajmëruar për sjelljen e tij të pakontrolluar dhe nuk zinte mend. Një ditë, kur doli në lëndinë për t’u kujdesur për kalin e tij, u dëgjua një shkreptimë dhe rrufeja e goditi për vdekje. Trupi i mbeti krejtësisht i paprekur me përjashtim të pjesëve intime që u dogjën plotësisht. Pastaj Shpirti i Hyjit tha: "Bijë, ata që bëhen skllevër të kënaqësive të tilla mjerane meritojnë të heqin në shpirt çka ky njeri pësoi në trup."