Trishtimi që tre vetë i shkaktojnë Hyjit. Që nga fillimi Hyji themeloi tre gjendje, konkretisht atë të klerikëve, të mbrojtësve dhe të punëtorëve. Mosmirënjohësit do të ndëshkohen, ndërsa mirënjohësit do të fitojnë lavdi.
Libri 2 – Kapitulli 20

U shfaq gjithë ushtria e madhe qiellore dhe Hyji i foli asaj duke thënë: "Edhe pse ti di dhe sheh gjithçka në Mua, prapë, duke qenë se është dëshira Ime, do ta shpreh ankimin Tim para jush në lidhje me tre gjëra. E para është se ato koshere të bukura të ndërtuara në qiell qysh nga përjetësia e nga ku bletët e padenja dolën jashtë, janë bosh. E dyta është se gropa pafundësisht e thellë, nga e cila nuk të shpëtojnë as shkëmbinjtë e as pemët, rri hapur gjithmonë. Shpirtrat zbresin në të si bora që bie nga qielli në tokë. Ashtu sikurse dielli e shkrin borën dhe e bën ujë, po ashtu shpirtrat shkrihen nga çdo e mirë prej asaj torture të tmerrshme dhe dënimet e tyre ripërtërihen. Ankesa e tretë është se pak njerëz e vënë re rënien e shpirtrave dhe banesat bosh nga të cilat engjëjt e këqinj ikën. Prandaj kam të drejtë që ankohem.

Qysh nga fillimi Unë zgjodha tre njerëz. Po flas figurativisht për tre gjendje në botë. Së pari zgjodha një klerik për ta shpallur vullnetin Tim me fjalë dhe për ta treguar me vepra. Së dyti zgjodha një mbrojtës që t’i mbronte miqtë e Mi me jetën e vet dhe që të ishte i gatshëm të bënte gjithçka për Mua. Së treti zgjodha një punëtor që të punonte me duart e tij për të siguruar ushqimin trupor me anë të punës.
I pari, domethënë kleriku, tani është bërë lebroz dhe memec. Gjithkush që e vështron për të parë një karakter të virtytshëm në të, zmbrapset nga çka sheh dhe nguron t’i afrohet për shkak të lebrës së krenarisë dhe lakmisë. Kur dëshiron ta dëgjojë, prifti i lidhet gjuha kur duhet të më lëvdojë Mua e i zgjidhet për të lëvduar veten.

Pra si mund të hapet shtegu për në rrugën që çon në gëzimin e madh kur ai që duhet t’u prijë të tjerëve në këtë rrugë është kaq i dobët? Dhe nëse ai që duhet ta shpallë atë është memec, nga do të dëgjohet ky gëzim qiellor? I dyti, mbrojtësi, dridhërohet në zemër dhe duart nuk i punojnë. Ka frikë se mos i skandalizon njerëzit dhe humbet reputacionin. Duart nuk i punojnë sepse nuk kryen asnjë vepër të shenjtë. Përkundrazi, gjithçka bën e bën për botën. Kush pra do ta mbrojë popullin Tim nëse ai që duhet të jetë udhëheqësi i tij ka frikë?

I treti është si gomari që e ul kokën poshtë dhe rri me të katër këmbët bashkë. Me të vërtetë njerëzit janë si gomari që nuk dëshiron asgjë përveç gjërave tokësore, që neglizhon gjërat e qiellit dhe shkon në kërkim të të mirave kalimtare. Ata kanë katër këmbë pasi kanë pak fe dhe shpresa e tyre ka ngrirë; e treta, ata nuk kanë vepra të mira dhe, e katërta, e kanë mendjen vetëm të mëkatojnë. Prandaj janë gjithnjë gojahapur nga grykësia dhe lakmia. Miqtë e Mi, si mundet që ajo alamet grope pafund të zvogëlohet apo që kosherja të mbushet me njerëz të tillë?"

Nëna e Hyjit u përgjigj: "Qofsh bekuar, Biri im! Ankimi Yt është i drejtë. Miqtë e Tu dhe unë mund të të themi vetëm një fjalë justifikimi për të shpëtuar njerëzit. Është kjo: 'Ki mëshirë, Jezu Krisht, Biri i Hyjit të gjallë!' Kjo është thirrja ime dhe e miqve të tu." Biri u përgjigj: "Fjalët e tua janë të ëmbla për veshët e Mi, shija e tyre ma gëzon gojën, ato më hyjnë në zemër me dashuri. Unë kam një klerik, një mbrojtës dhe një fshatar. I pari më jep kënaqësi si një nuse që një dhëndër i ndershëm e dëshiron dhe e pret me dashuri hyjnore. Zëri i tij do të jehojë siç jehon zëri në pyll. I dyti do të jetë gati ta japë jetën për Mua dhe nuk do t’i trembet qortimeve të botës. Do ta armatos me armët e Shpirtit Tim të Shenjtë. I treti do të ketë një fe aq të fortë sa do të thotë: 'Besoj fort njëlloj sikur ta shihja atë çka besoj. Shpresoj gjithçka që ka premtuar Hyji.' Ai do të ketë synimin për të bërë mirë, për t’u rritur në virtyt dhe për ta shmangur të keqen.

Në gojën e të parit do të vendos tre thënie për t’u shpallur. Thënia e parë do të jetë: 'Ai që ka fe, le t’i vërë në zbatim ato që beson!' E dyta: 'Ai që ka shpresë të fortë, le të jetë i qëndrueshëm ne veprat e mira.' E treta: 'Ai që do përsosshmërisht, le të dëshirojë fort që ta shohë objektin e dashurisë së tij!' I dyti do të punojë si një luan i fuqishëm, duke marrë masat e duhura kundër dredhive dhe duke këmbëngulur vazhdimisht. Dhe i treti do të jetë i mençur si gjarpri që qëndron mbi bishtin e vet dhe e ngre kokën nga qielli. Këta të tre do të zbatojnë vullnetin Tim. Të tjerë do t’i ndjekin. Edhe pse flas për tre vetë, me anë të tyre nënkuptoj shumë." Pastaj Ai i foli nuses duke thënë: "Qëndro e palëkundur! Mos u merakos për botën apo për qortimet e saj pasi Unë, që kam dëgjuar çdo lloj akuze, jam Hyji yt dhe Zoti yt."