Virgjëra e lavdishme i mëson bijës së saj për urtinë shpirtërore dhe tokësore dhe se cila prej tyre duhet zbatuar. Urtia shpirtërore çon në ngushëllim të përjetshëm pas një lufte të vogël, ndërsa urtia tokësore çon në mallkim të përjetshëm.
Libri 2 - Kapitulli 22

Maria tha: "Shkruhet se 'nëse dëshiron të bëhesh i urtë, urtinë duhet ta mësosh nga një i urtë.' Kështu pra po të sjell një shembull figurativ të një njeriu që donte të mësonte urtinë dhe pa para tij dy mësues. Ai u tha atyre: Vërtet që do të doja të mësoja urtinë, mjaft që ta dija se ku më çon dhe ç’dobi e ç’qëllim ka.' Një prej mësuesve u përgjigj: 'Nëse do të ndiqje urtinë time, do të të çoj në një mal të lartë ku të shpie një rruge e vështirë dhe shkëmbore, e pjerrët dhe e vështirë për t’u ngjitur. Nëse përpiqesh për këtë urti, do të fitosh diçka që është e errët së jashtmi por e shndritshme nga brenda. Nëse e mban shtrënguar, do ta plotësosh dëshirën.

Si rreth do të të rrethojë e do të të tërheqë nga vetja gjithnjë e më tepër, gjithnjë e më ëmbëlsisht, derisa lumturia të të pushtojë të tërin.' Mësuesi i dytë tha: 'Nëse ndjek urtinë time, ajo do të të çojë në një luginë të begatë e të bukur me fruta të çdo lloji. Shtegu është i butë nën këmbë dhe zbritja nuk është shumë e lodhshme. Nëse këmbëngul në këtë urti, do të fitosh diçka që është e shndritshme nga jashtë por që kur e përdor humbet. Do të kesh edhe diçka që nuk zgjat por mbaron papritmas. Edhe një libër që kur e mbaron së lexuari zhduket bashkë me të lexuarit dhe s’mbetet tjetër veç plogështisë.'

Kur i dëgjoi këto, ai mendoi me vete: 'Po dëgjoj dy gjëra të mrekullueshme. Nëse i ngjitem malit, këmbët do të më dobësohen dhe shpina do të më lodhet. Pastaj, nëse e fitoj atë gjë që së jashtmi është e errët, ç’e mirë më vjen? Nëse përpiqem për diçka që nuk ka fund, kur do të provoj ndonjëherë ngushëllim? Mësuesi tjetër premton diçka që është e shndritshme nga jashtë por nuk zgjat, një lloj urtie që do mbarojë pasi të lexohet. Ç’dobi kam nga gjërat e paqëndrueshme?' Ndërsa po mendonte kështu me vete, papritmas u shfaq një tjetër njeri në mes të dy mësuesve dhe tha: 'Edhe pse mali është i lartë dhe i vështirë për t’u ngjitur, mbi mal gjendet një re e shndritshme që do të të ngushëlllojë.

Nëse ambalazhi që në pamje është i errët hapet disi, ari do të bëhet i yti dhe do të jesh i lumtur me të përgjithmonë.' Këta dy mësues janë dy lloj urtish, konkretisht urtia e shpirtit dhe urtia e trupit. Lloji shpirtëror kërkon që ta mohosh veten për Hyjin dhe të aspirosh për gjërat qiellore me çdo dëshirë dhe vepër.
Urtia nuk është me të vërtetë e tillë nëse veprat e tua nuk përkojnë me fjalët. Kjo lloj urtie çon në një jetë të bekuar. Por kërkon një vendosmëri të palëkundur si shkëmb dhe ngjitje përpjetë, pasi t’i bësh ballë pasioneve duket rrugë e vështirë dhe shkëmbore. Kërkon ngjitje përpjetë për t’iu larguar kënaqësive dhe ndereve tokësore. Edhe pse është e vështirë, prapë për atë që reflekton sa e shkurtër është koha, se bota do të mbarojë dhe e mban mendjen gjithnjë tek Hyji, mbi mal do të shfaqet një re, domethënë ngushëllimi i Shpirtit Shenjt.

Është i denjë për ngushëllimin e Shpirtit Shenjt ai që nuk kërkon ngushëllues tjetër përveç Hyjit. Si do t’i kishin marrë përsipër detyrat e vështira dhe të mundimshme të zgjedhurit e Hyjit nëse Shpirti i Hyjit nuk do të kishte bashkëpunuar me vullnetin e tyre të mirë si të ish një vegël e dobishme? Vullneti i tyre i mirë e tërhoqi Shpirtin tek ta dhe dashuria hyjnore që ata kishin për Hyjin e ftoi Atë pasi u përpoqën me gjithë zemër dhe dëshirë derisa u forcuan me vepra.

Fituan ngushëllimin e Shpirtit dhe arin e gëzimit dhe dashurisë hyjnore që jo vetëm i bëri të aftë të përballojnë vështirësi të panumërta, por edhe u dhuroi gëzim ndërsa vuanin, sepse mendonin shpërblimin që i priste. Ky gëzim u duket i errët dashamirësve të kësaj bote, pasi ata duan errësirën. Po për dashamirësit e Hyjit, ai është më i shndritshëm se dielli dhe shkëlqen më shumë se ari, pasi lënë mbrapa errësirën e veseve dhe i ngjiten malit të durimit duke kundruar renë e ngushëllimit që kurrë nuk mbaron por fillon në të tashmen dhe përparon derisa arrin përsosmërinë. Urtia tokësore çon në një luginë mjerimesh që duket madhështore, e bukur, komode. Kjo lloj urtie do të mbarojë shpejt dhe nuk sjell dobi tjetër përveç asaj që i paraqet syve dhe veshëve.

Prandaj, bija ime, kërkoje urtinë nga i urti, domethënë nga im Bir! Ai është vetë urtia nga e cila vjen çdo urti. Të lutem si nëna fëmijës së vet: duaje urtinë që është si ar nga brenda por jo tërheqëse nga jashtë, që digjet brenda nga dashuria por kërkon përpjekje nga jashtë dhe jep fryt me veprat e saj. Nëse lodhja të shqetëson, Shpirti i Hyjit do të të ngushëllojë.

Përpiqu dhe vazhdo të përpiqesh si ai që nuk pushon së bëri diçka derisa sa t’ia marrë dorën. Mos u kthe derisa të arrish në majë të malit! Me këmbëngulje arrihet gjithçka. Vepra, sado fisnike të jetë, nuk ka dobi nëse nuk çohet deri në fund. Përpara pra drejt urtisë shpirtërore! Do të të çojë në mundim fizik, në përçmimin e botës, në ca dhimbje dhe në ngushëllim të përjetshëm. Por urtia tokësore është e gënjeshtërt dhe fsheh një thumb. Do të të çojë në akumulimin e të mirave të përkohshme dhe në prestigjin e tashëm por në fund në dëshpërimin më të madh nëse nuk je e kujdesshme dhe nuk merr masat e duhura."