Virgjëra e lavdishme i tregon bijës për përvujtërinë e saj dhe e krahason përvujtërinë me një mantel. Karakteristikat e përvujtërisë së vërtetë dhe frytet e saj të mrekullueshme.
Libri 2 - Kapitulli 23

Shumë vetë çuditen përse unë flas me ty. Sigurisht që e bëj për të treguar përvujtërinë Time. Nëse një gjymtyrë e trupit është sëmurë, zemra nuk gjen paqe derisa ajo të shërohet dhe pasi shërohet zemra gëzon edhe më shumë. Po ashtu, sado që të mëkatojë dikush, nëse ai kthehet tek unë me gjithë zemër dhe me vendosmëri të sinqertë për të korigjuar gabimin, unë menjëherë jam gati ta mirëpres kur ai vjen. Dhe nuk marr parasysh sa shumë mund të ketë mëkatuar, por shikoj synimin që ai ka kur kthehet.

Të gjithë më thërrasin 'Nëna e mëshirës.' Vërtet, bija ime, mëshira e tim Biri më ka bërë të mëshirshme dhe shfaqja e mëshirës së Tij më ka bërë të dhembshur. Prandaj mjerë ai që, kur mundet, nuk i drejtohet mëshirës sime. Eja pra, bija ime, dhe fshihu nën mantelin tim! Manteli im nuk është tërheqës së jashtmi, por shumë i dobishëm nga brenda për tre arësye. E para, ai mbron nga stuhitë; e dyta, mbron nga i ftohti i acartë; e treti, mbron nga shtrëngatat.

Ky mantel është përvujtëria ime. Dashamirësit e botës e përçmojnë dhe mendojnë se ta ndjekësh është një budallallëk prej të marri. A ka gjë më të përçmueshme se dikush të të quajë të marrë e ti të mos zemërohesh e mos t’ia kthesh me të njëjtën monedhë? A ka më keq se të heqësh dorë prej gjithçkaje dhe të jetosh në varfëri të plotë? A ka gjë më të padurueshme për shpirtrat e dhënë pas botës sesa ta fshehësh dhimbjen dhe ta konsiderosh veten më të padenjë dhe më të ulët se kushdo tjetër? E tillë ishte përvujtëria ime, o bijë. Ajo ishte gëzimi im, dëshira ime. Unë vetëm mendoja si t’i pëlqeja tim Biri. Ata që më ndoqën përfituan nga përvujtëria ime në tre mënyra.

Së pari, ajo i ndihmoi në kohë të këqija, domethënë kur i shanë dhe tallën. Stuhia e fuqishme e godet personin nga çdo anë dhe e bën të ngrijë. Po ashtu tallja e vë përfund shpejt të padurueshmin që nuk reflekton për realitetet e ardhshme; ajo e largon shpirtin nga dashuria. Ai që reflekton me kujdes mbi përvujtërinë time, duhet të mbajë parasysh ato gjëra që unë, Mbretëresha e Gjithësisë, m’u desh të dëgjoja e për pasojë duhet të kërkojë përlëvdimin tim dhe jo të vetin.
Le të sjellë ndërmend se fjalët nuk janë tjetër veç ajër dhe shpejt do të qetësohet. Pse janë kaq të paaftë njerëzit e kësaj bote për të duruar fjalët fyese në mos sepse ata kërkojnë lavdinë e vet dhe jo të Hyjit? Nuk kanë përvujtëri sepse mëkati ua ka errur sytë. Prandaj edhe pse ligji i shkruar thotë se nuk u duhet vënë veshi fjalëve fyese, prapë është virtyt dhe meritë të dëgjosh me durim dhe t’i tolerosh fyerjet për shkak të Hyjit.

E dyta, përvujtëria ime është mbrojtje nga i ftohti që përvëlom, domethënë nga miqësia trupore. Pasi ka një lloj miqësie ku tjetrin e duam për hir të të mirave të tanishme, si miqësia e atyre që flasin në këtë mënyrë: Më jep të ha tani e unë do të të jap të hash, pasi nuk ka ka ç’më duhet se kush do të të ushqejë pas vdekjes! Më respekto e unë do të të respektoj, pasi nuk më duhet hiç ç’lloj respekti na pret në të ardhmen.' Kjo është një miqësi e ftohtë, pa ngrohtësinë e Hyjit, e fortë si borë e ngrirë përsa i përket dashurisë dhe dhembshurisë për nevojtarët dhe nuk meriton shpërblim.

Kur prishet miqësia dhe tavolina pastrohet, humbet pa asnjë dobi çdo e mirë që vinte prej saj. Por ai që imiton përvujtërinë time i bën mirë gjithkujt për hir të Hyjit, si armiqve ashtu edhe miqve: miqve, sepse ata gjithmonë e nderojnë Hyjin; dhe armiqve, sepse ata janë krijesa të Hyjit dhe mund të bëhen të mirë në të ardhmen.

Në radhë të tretë soditja e përvujtërisë time është mbrotje nga shtrëngatat dhe papastërtitë që vinë nga retë. Retë nuk formohen përveçse nga lagështia dhe avujt që ngrihen nga toka. Kur ngrihen në qiell për shkak të nxehtësisë, ato kondensohen në shtresat e larta dhe në këtë mënyrë tre gjëra prodhohen: shiu, breshëri dhe bora. Reja simbolizon trupin e njeriut që vjen nga papastërtia. Trupi, ashtu si retë, sjell tre gjëra me vete. Sjell të parët, të dëgjuarit dhe të prekurit. Meqenëse trupi arrin të shikojë, ai dëshiron gjërat që sheh. Dëshiron gjëra të mira dhe forma të bukura; dëshiron prona të shumta.

Çfarë janë gjithë këto gjëra në mos një lloj shiu që vjen nga retë dhe e njollos shpirtin me grykësinë për fitime, me ankthin e preokupimeve, me trazimin e mendimeve të kota dhe trishtimin për humbjen e gjërave? Duke qenë se trupi ka veshë, ia ka ënda të dëgjojë lëvdata për veten, për miqësitë tokësore. Dëgjon çka i ka ënda trupit por i bën keq shpirtit. Ç’janë këto gjëra në mos borë që shkrihet shpejt dhe e ftoh shpirtin ndaj Hyjit dhe e verbon ndaj përvujtërisë?

Duke qenë se trupi provon ndjesi, ia ka ënda të provojë kënaqësi dhe të çlodhet fizikisht. Kujt i përngjan kjo përveçse breshërit që formohet nga ngrirja e ujrave të papastërta dhe e shterpëzon jetën shpirtërore të njeriut, e bën këmbëngulës në gjërat e shekullit dhe lehtësisht të prirur ndaj kënaqësive fizike? Prandaj, nëse njeriu dëshiron të ruhet nga kjo re, ai duhet të rendë drejt përvujtërisë sime dhe ta imitojë atë. Ajo e ruan nga grykësia e syve që të mos shohë dhe dëshirojë gjëra të palejueshme; e ruan nga zbavitjet e veshëve që të mos dëgjojë asgjë që bie ndësh me të vërtetën; e ruan nga epshet që të mos bëhet pre e impulseve të paligjshme.

Të garantoj se soditja e përvujtërisë sime është si një mantel i mirë që i ngroh ata që e veshin; domethënë jo vetën ata që e veshin në teori por edhe në praktikë. Një mantel material nuk ngroh aspak nëse nuk vishet. Po ashtu përvujtëria nuk u sjell asnjë dobi atyre që thjesht mendojnë për të e nuk përpiqën ta imitojnë secili sipas mënyrës së vet. Pra, bija ime, mbështillu fort me mantelin e përvujtërisë pasi gratë e botës veshin mantele që bien në sy nga jashtë por në fakt nuk janë fort të dobishëm. Shmangi fare veshje të tilla pasi nëse dashuria për botën nuk të neveritet, nëse nuk mendon vazhdimisht për mëshirën e e Hyjit ndaj teje dhe mosmirënjohjen tënde ndaj Tij, nëse nuk ke gjithnjë ndërmend çfarë ka bërë Ai dhe ç’bën ti dhe shpërblimin e drejtë që të pret për këtë, nuk dotë jesh e aftë ta kuptosh përvujtërinë time.

Përse u përvujtërova kaq shumë dhe meritova kaq shumë hire në mos sepse mendoja dhe e dija veten që isha asgjë dhe nuk kisha asgjë nga vetja. Prandaj unë nuk kërkoja lavdinë time por vetëm atë të Bamirësit dhe Krijuesit. Prandaj, bijë, strehohu në mantelin e përvujtërisë sime dhe mendoje veten mëkatare mbi të gjithë! Pasi edhe nëse sheh të tjerë që janë të ligë, ti nuk e di se si do të jetë e ardhmja e tyre nesër; ti as nuk e di synimin e tyre apo vetëdijen e tyre për çka bëjnë, nuk e di nëse veprojnë ashtu nga dobësia apo me vullnet të plotë. Prandaj nuk duhet ta vësh veten para të tjerëve dhe nuk duhet të gjykosh asnjë në zemrën tënde."