Krishti e këshillon nusen për gjërat që duhen mbajtur në tre shtëpitë. Buka simbolizon vullnetin e mirë, pija reflektimin dhe mishi urtinë hyjnore. Urtia hyjnore nuk vjen nga erudicioni por vetëm nga zemra dhe jeta e mirë.
Libri 2 - Kapitulli 25

Unë që po të flas jam Krijuesi i gjithçkaje dhe i krijuar prej askujt. Nuk ka patur asgjë para Meje dhe nuk mund të ketë asgjë pas Meje, pasi gjithmonë kam qenë dhe gjithmonë jam. Unë jam Zoti fuqinë e të cilit askush nuk mund ta përballojë dhe nga i cili vjen çdo fuqi dhe sovranitet. Po të flas si një burrë i flet gruas së tij:

Grua, na duhen tre shtëpi. Në njërën duhet mbajtur buka, pija dhe mishi. Por ti mund të pyesësh: ç’simbolizon buka? Mos e kam fjalën për bukën që gjendet në altar? Kjo me të vërtetë është bukë përpara se të thuhen fjalët "Ky është trupi im," por pasi thuhen këto fjalë, nuk është më bukë por trupi që mora nga Virgjëra dhe që u kryqëzua në kryq. Por këtu nuk e kam fjalën për atë bukë. Buka që duhet të mbajmë në shtëpi është vullneti i mirë dhe i sinqertë. Buka materiale, nëse është e pastër, ka dy efekte të mira. E para ajo forcon dhe fuqizon gjithë damarët, arteriet dhe muskujt. E dyta, ajo thith çdo papastërti të brendshme dhe e merr me vete kur del duke e pastruar njeriun. Në këtë mënyrë vullneti i mirë jep fuqi.

Nëse njeriu nuk do tjetër përveç gjërave të Hyjit, nuk punon për tjetër gjë përveç lavdisë së Hyjit, dëshiron me gjithë zemër ta lërë botën dhe të rrijë me Hyjin, ky synim e forcon në mirësi, rrit dashurinë e tij për Hyjin, e bën ta përbuzë botën, i kalit durimin dhe i ripërtërin shpresën për të trashëguar lavdinë e me gëzim përqafon çdo gjë që i ndodh. Në radhë të dytë, vullneti i mirë largon çdo papastërti. Ç’është papastërtia që i bën dëm shpirtit në mos krenaria, lakmia dhe epshi? Megjithatë, kur papastëria e krenarisë apo ndonjë ves tjetër hyn në mendje, ajo largohet nëse personi arësyeton në këtë mënyrë: 'Krenaria është e pakuptimtë pasi përfituesi nuk ka meritë për të mirat që i jepen, por dhuruesi. Lakmia është e pakuptimtë pasi asgjë tokësore nuk merret me vete pas vdekjes. Epshi nuk është tjetër përveçse ndyrësi. Prandaj këto gjëra nuk i dua dhe dëshiroj të ndjek vullnetin e Hyjit tim shpërblimi i të cilit kurrë nuk mbaron, dhuratat e të cilit kurrë nuk vjetërohen: Kështu çdo tundim për krenari a lakmi do të largohet prej tij dhe ai do të qëndrojë në synimin e drejtë për të bërë mirë.

Pija që duhet patur në shtëpi është reflektimi rreth gjithkaje që duhet bërë. Pija materiale ka dy efekte të mira. E para ndihmon tretjen. Kur dikush vendos të bëjë diçka të mirë, përpara se ta bëjë mendohet dhe reflekton ç’lavdi i vjen Hyjit prej saj, ç’dobi i vjen të tjerëve, ç’e mirë shpirtit të tij dhe, nëse sheh se ia vlen, e bën e kështu çfarë kryen ka sukses ose, si të thuash, tretet mirë. Pastaj nëse ndodh ndonjë gabim në gjërat që bën, ai diktohet shpejt. Nëse ka ndonjë gjë që nuk shkon, korigjohet shpejt dhe çdo vepër do të jetë e drejtë dhe racionale e do të ndikojë për mirë tek të tjerët.

Personi që nuk tregon reflekton para se të veprojë dhe nuk kërkon të mirën e shpirtrave apo lavdinë e Hyjit, edhe nëse puna i shkon mirë për ca kohë, prapë në fund do të dështojë. Në radhë të dytë, pija shuan etjen. A ka etje më të keqe se mëkati i lakmisë dhe zemërimit? Nëse njeriu mendon paraprakisht se ç’dobi vjen prej tij, sa keq do të përfundojë, ç’shpërblim do të ketë nëse nuk bën kthesë, atëhere hiri i Hyjit ia shuan shpejt etjen, mbushet me dashuri për Hyjin dhe me dëshira të mira e gëzohet që nuk bëri çka pati ndëmend. Do të refkletojë për këtë rast që në të ardhmen t’i shmangë ato gjëra që çojnë në mëkat nëse nuk mendohet mirë. Nusja ime, kjo është pija që duhet ruajtur në qilarin tonë.

E treta, atje duhet të ketë edhe mish. Mishi ka dy efekte. E para ai është i shijshëm dhe i bën më mirë trupit sesa buka e thatë.
E dyta, i bën më mirë lëkurës dhe gjakut sesa vetëm buka dhe pija. Mishi shpirtëror ka një efekt të ngjashëm. “Ç’simbolizon mishi? Sigurisht urtinë hyjnore. Urtia hyjnore i shijon atij që ka vullnet të mirë dhe nuk do tjetër përveç asaj që do Hyji dhe reflekton përpara se të bëjë diçka që të sigurohet se ajo është për lavdinë e Hyjit.

Tani ti mund të pyesësh: 'Ç’është urtia hyjnore?' Pasi shumë janë njerëz të thjeshtë dhe dinë vetëm një lutje – lutjen Ati Ynë, madje as këtë nuk e dinë taman.
Të tjerët janë shumë eruditë dhe kanë njohuri të shumta. A është kjo urti hyjnore? Në asnjë mënyrë. Urtia hyjnore nuk gjendet në erudicion, por në një zemër dhe jetë të mirë. Është i urtë ai që reflekton me kujdes rreth rrugës që të çon në vdekje, për vdekjen dhe gjykimin pas vdekjes. Ka mishin e urtisë dhe të reflektimit të shenjtë ai që i largohet kotësisë dhe salltaneteve të botës dhe kënaqet thjesht me gjërat e nevojshme duke u përpjekur për Hyjin aq sa mundet.

Kur njeriu reflekton për vdekjen dhe se nuk do të marrë asgjë me vete, kur njeriu mendon për gjykimin e tmerrshëm të Hyjit ku asgjë nuk mund të fshihet dhe asgjë nuk shpëton pa u ndëshkuar, kur reflekton për paqëndrueshmërinë dhe kotësinë e botës, a nuk do t’ia dorëzojë me gëzim Hyjit vullnetin e vet e do të heqë dorë nga mëkati? A nuk i forcohet trupi dhe i përmirësohet gjaku, domethënë a nuk i largohet çdo dobësi e trupit si dembelizmi dhe shthurja morale dhe i ripërtërihet gjaku i dashurisë hyjnore? Kjo ndodh ngaqë ai arësyeton drejt se duhet dëshiruar e mira e përjetshme dhe jo ajo kalimtare.

Prandaj urtia hyjnore nuk gjendet taman në erudicion por në veprat e mira, pasi shumë janë të urtë për gjërat e botës dhe dëshirat e tyre por janë krejtësisht të pamend përsa i përket vullnetit dhe urdhëresave të Hyjit dhe mbajtjen nën kontroll të trupit. Këta njerëz nuk janë të urtë por të marrë dhe të verbër pasi kuptojnë gjërat kalimtare që janë të dobishme për pak kohë, por përbuzin dhe harrojnë gjërat e përjetshme. Të tjerët janë të marrë në drejtim të gëzimeve dhe reputacionit mondan, por të urtë në konsiderimin e gjërave të Hyjit dhe të flaktë në shërbimin e Tij.

Njerëz të tillë janë me të vërtetë të urtë pasi i shijojnë mësimet dhe vullnetin e Hyjit. Me të vërtetë janë të ndriçuar dhe i mbajnë sytë hapur duke reflektuar në ç’mënyrë mund ta fitojnë jetën dhe dritën e vërtetë. Ndërsa të tjerët ecin në errësirë dhe u duket më bukur të rrinë në errësirë dhe jo të kërkojnë rrugën që çon drejt dritës. Prandaj, nusja Ime, le të grumbullojmë këto tre gjëra në shtëpitë tona, pra vullnet të mirë, reflektim të shenjtë dhe urti hyjonre. Këto janë gjërat për të cilat duhet të gëzohemi. Edhe pse këshillën po ta jap ty, në ty kam parasysh të gjithë të zgjedhurit e Mi në botë, pasi shpirti i drejtë është nusja Ime e Unë jam Krijuesi dhe Shëlbuesi i tij."