Virgjëra i jep bijës këshilla për jetën. Krishti i flet nuses për veshjet që duhen mbajtur në shtëpinë e dytë. Këto veshje simbolizojnë paqen me Hyjin, paqen me të afërmin dhe veprat e mëshirës dhe të vetëpërmbajtjes. Një shpjegim i mrekullueshëm i gjithë këtyre gjërave.
Libri 2 - Kapitulli 26

Maria tha: "Fiksoje mirë stemën e pasionit të tim Biri në teshat e tua ashtu siç bëri shën Lorenci. Çdo ditë ai reflektonte kështu me vete: 'Hyji është Zoti im, unë jam shërbëtori i tij. Zotin Jezu Krisht e zhveshën dhe e vunë në lojë. Vallë është e drejtë që unë shërbëtori i Tij të vishem me rroba të stolisura? Atë e fshikulluan dhe lidhën. Vallë a është me vend që unë shërbëtori i Tij, nëse vërtet jam shërbëtori i Tij, të mos provoj dhimbje apo prova?' Kur e shtrinë mbi thëngjij dhe dhjam të nxehtë, në mes të zjarrit i ngriti sytë nga qielli dhe tha: 'I bekuar je Ti, Jezu Krisht, Hyji dhe Krijuesi im!

E di se nuk i kam jetuar mirë ditët e mia. E di se kam bërë pak për lavdinë Tënde. Prandaj, duke e njohur mëshirën Tënde, të lutem të më gjykosh me mëshirë.' Pasi tha kështu, shpirti i tij u nda nga trupi. E sheh, bija ime? Edhe pse e deshi aq shumë tim Bir dhe vuajti aq shumë për lavdinë e Tij, prapë tha se ishte i padenjë të shkonte në qiell. Atëherë si mundet që ata që jetojnë sipas dëshirave të veta të jenë të denjë? Prandaj sill gjithnjë ndërmend pasionin e tim Biri dhe të shenjtërve të Tij. Ata nuk i duruan vuajtje të tilla pa shkak, por që t’u jepnin të tjerëve një shembull si të jetonin dhe të tregonin ç’shpagim të rreptë im Bir do të kërkojë për mëkatet, pasi Ai nuk do që as edhe mëkati më i vogël të kalojë pa u shlyer."

Pastaj Biri erdhi dhe i foli nuses duke thënë: "Të tregova më parë se ç’duhej grumbulluar në shtëpitë tona. Mes të tjerave duhej të kishte tre lloj veshjesh: e para, të linjta që prodhohen nga liri që rritet në tokë; e dyta, të lëkurta që bëhen me lëkurë kafshësh; e treta, me mëndafsh që vjen nga krimbat e mëndafshit. Veshjet e linjta kanë dy efekte të mira. E para, janë të buta në kontakt me trupin. E dyta, nuk e humbasin ngjyrën e, sa më shumë lahen, aq më shumë zbardhen. Veshjet e dyta, domethënë ato prej lëkurë, kanë dy efekte.

E para, mbulojnë turpet e njeriut; e dyta, mbajnë ngrohtë nga i ftohti. Lloji i tretë i veshjeve, domethënë të mëndafshtat, kanë dy efekte. E para, duken të bukura dhe fine; e dyta, janë shumë të shtrenjta për t’u blerë. Veshjet e linjta që janë të buta mbi lëkurë simbolizojnë paqen dhe harmoninë. Shpirti i devotshëm duhet t’i veshë ato në marrëdhënie me Hyjin që të ketë paqe me Hyjin e të mos dojë gjë tjetër përveç asaj që do Hyji, të mos njolloset me mëkate pasi nuk ka paqe mes Hyjit dhe shpirtit nëse shpirti nuk pushon së mëkatuari dhe nuk i vë fre vetes.

Ai duhet të jetë në paqe edhe me të afërmin, domethënë të mos i shkaktojë telashe por ta ndihmojë nëse ka probleme e të tregojë durim nëse ai mëkaton kundër tij. A ka siklet më të madh për shpirtin sesa gjithmonë të dëshirojë të mëkatojë dhe kurrë mos të ngopet, gjithmonë të digjet nga dëshira e kurrë të mos gjejë prehje? Ç’e plagos më thellë shpirtin se zemërimi ndaj të afërmit dhe zilia për gjërat e tij? Prandaj shpirti duhet të jetë në paqe me Hyjin dhe me të afërmin pasi asgjë nuk jep më prehje se mosmëkatimi dhe mosmerakosja për botën, asgjë nuk është më e ëmbël se të gëzohesh për të mirat e tjetrit dhe t’i dëshirosh atij atë që dëshiron për vete.

Rrobat e linjta duhen veshur direkt mbi lëkurë pasi paqja, më tepër se virtytet e tjera, duhet vendosur më afër zemrës, aty ku Hyji dëshiron të çlodhet. Ky është virtyti që Hyji rrënjos dhe mban ngulitur në zemër. Ashtu si liri, paqja lind dhe rritet nga toka pasi paqja dhe durimi i vërtetë burojnë nga reflektimi mbi dobësitë personale. Njeriu i bërë nga toka duhet të mbajë parasysh dobësinë e vet, pra që ai zemërohet shpejt nëse e fyejnë, lëndohet shpejt nëse i bëjnë keq. Dhe nëse reflekton në këtë mënyrë, ai nuk do t’i bëjë një tjetri atë që vetë nuk mund ta durojë, sepse do të mendojë: 'Ashtu siç jam unë i dobët, ashtu është edhe i afërmi im.

Ashtu si unë nuk dua t’i toleroj gjëra të tilla, ashtu nuk do edhe ai.' Gjithashtu paqja nuk e humbet ngjyrën, domethënë qëndrueshmërinë, por qëndron konstante pasi, duke i parë dobësitë e të afërmit tek vetja, njeriu bëhet më i gatshëm t’i tolerojë lëndimet. Nëse paqja në një farë mënyre njolloset nga padurimi, sa më shpesh dhe sa më shpejt bëhet larja me anë të pendesës, aq më i pastër dhe i shndritshëm njeriu bëhet përpara Hyjit. Njeriu lumturohet më tepër dhe bëhet më i matur në tolerim sa më shpesh irritohet e më pas lahet përsëri, pasi i gëzohet shpresës së shpërblimit që pret t’i vijë nga paqja e brendshme dhe bëhet edhe më i kujdesshëm që të mos mëkatojë me padurimin e vet.

Lloji i dytë i veshjeve, domethënë të lëkurtat, simbolizon veprat e mëshirës. Veshjet e lëkurta bëhen nga lëkura e kafshëve të ngordhura. Ç’simbolizojnë këto kafshë përveçse shenjtërit e Mi që ishin të thjeshtë si kafshët? Shpirti duhet të mbulohet me lëkurët e tyre, domethënë duhet të imitojë dhe të kryejë vepra mëshire. Këto kanë dy efekte. E para, mbulojnë turpin e shpirtit mëkatar dhe e pastrojnë që të mos duket i njollosur para syve të Mi. E dyta, e mbrojnë shpirtin nga i ftohti. Ç’është i ftohti i shpirtit në mos zemërgurësia e shpirtit ndaj dashurisë Sime? Veprat e mëshirës janë efektive kundër të ftohtit pasi e mbështjellin shpirtin që të mos vdesë nga i ftohti. Nëpërmjet këtyre veprave Hyji e viziton shpirtin dhe shpirti i afrohet akoma më shumë Hyjit.

Lloji i tretë i veshjeve, ai i bërë nga mëndafshi i krimbave të mëndafshit, që duket shumë i shtrenjtë për t’u blerë, simbolizon zakonin e mirë të vetëpërmbajtjes. Ky është i bukur në sytë e Hyjit, të engjëjve dhe të njerëzve. Është edhe i shtrenjtë për t’u blerë pasi njerëzve u duket e vështirë ta frenojnë gjuhën nga fjalët e kota dhe të tepërta. Duket edhe e vështirë të shkohet kundër vullnetit vetjak. Por edhe pse mund të jetë e vështirë, është në çdo drejtim gjë e dobishme dhe e bukur.
Prandaj, nusja Ime, në të cilën kam parasysh të gjithë besnikët e Mi, në shtëpinë e dytë duhen akumuluar paqja me Hyjin dhe të afërmin, veprat e mëshirës që konsistojnë në keqardhjen dhe ndihmën për fatkeqët dhe vetëpërmbajtjen nga orekset trupore.

Edhe pse lloji i tretë është më i shtrenjtë se të tjerët, ai është më i bukur se të tjerët e asnjë virtyt tjetër nuk duket i bukur pa të. Vetëpërmbajtja prodhohet nga krimbat e mëndafshit, domethënë nga reflektimi mbi mëkatet kundër Hyjit, nga përvujtëria dhe duke marrë shembull nga vetëpërmbajtja Ime, sepse Unë u bëra si krimb për hir të njerëzimit. Njeriu duhet të shqyrtojë në shpirtin e vet si dhe sa ka mëkatuar kundër Meje dhe si i ka shlyer mëkatet. Pastaj do ta zbulojë vetë se asnjë përpjekje apo vetëpërmbajtje nga ana e tij nuk mund t’i shlyejë mëkatet që ka bërë kundër Meje.

Gjithashtu ai duhet të mendojë për vuajtjet e Mia dhe të shenjtërve të Mi, si dhe për arësyen që më shtyu të vuaja. Pastaj me të vërtetë do ta kuptojë se nëse kërkoj shpagim të rreptë nga shenjtërit e Mi të bindur, aq më shumë do të hakmerrem ndaj të pabindurve. Prandaj një shpirt i mirë duhet patjetër të praktikojë vetëpërmbajtjen duke patur parasysh se mëkatet janë të këqija dhe e rrethojnë shpirtin si krimba. Kështu, nga këta krimba të ulët, ai do të mbledhë mëndafsh të çmuar, domethënë zakonin e pastër të vetëpërmbajtjes në të gjitha gjymtyrët. Hyji dhe gjithë ushtria qiellore gëzohen nga kjo. Gëzim i përjetshëm do t’i jepet atij që e grumbullon dhe që në të kundërt do ta priste dëshpërimi i përjetshëm nëse vetëpërmbajta nuk do t’i kishte ardhur në ndihmë."