Krishti i tregon nuses për natyrën e Tij të pandryshueshme dhe mbi mënyrën si realizohen fjalët e Tij edhe kur nuk pasohen menjëherë nga vepra. Ne duhet t’ia besojmë vullnetin tonë tërësisht vullnetit të Hyjit.
Libri 2 - Kapitulli 28

Biri i foli nuses dhe tha: "Pse shqetësohesh kaq shumë që ai person tha se fjalët e Mia janë gënjeshtra? Vallë më vjen ndonjë e keqe nga nga përçmimi i tij, apo mos do të më vinte ndonjë e mirë nga lëvdatat e tij? Unë padyshim jam i pandryshueshëm, nuk mund të zmadhohem a zvogëlohem dhe nuk kam nevojë për lëvdata. Kush më lëvdon i bën mirë vetes, jo Mua. Unë jam e vërteta dhe gënjeshtër nuk del e as mund të dalë nga buzët e Mia pasi gjithçka që kam thënë me anë të profetëve apo miqve të Mi të tjerë, qoftë në shpirt apo në trup, kur i ka ardhur koha është realizuar siç e kisha ndërmend.

Fjalët e Mia nuk janë gënjeshtra pse njëherë them një gjë dhe herë tjetër them diçka tjetër, një herë diçka më eksplicite e pastaj diçka më të errët. Për të provuar vërtetësinë e besimit tek Unë si dhe zellin e miqve të Mi, Unë në mënyra të ndryshme tregova aq sa mund të kuptohej për mirë a për keq nga të mirët dhe të këqinjtë, sipas ndikimeve të ndryshme të Shpirtit Tim, duke u dhënë kështu mundësinë e kryerjes së veprave të mira në rrethanat e tyre konkrete.

Unë mora natyrë njerëzore në një Person me natyrën Time hyjnore, prandaj ndonjëherë kam folur me natyrën Time njerëzorë si subjekt i natyrës Sime hyjnore, herë të tjera me natyrën Time hyjnore si Krijues i natyrës Sime njerëzore, siç del qartë nga Ungjijtë. Prandaj edhe pse të paditurit apo denigruesit mund të shohin kuptime kontradiktore në to, prapë ato janë fjalë të vërteta në pajtim me të vërtetën. Gjithashtu, jo pa arësye, disa gjëra i kam thënë në mënyrë të errët, pasi ishte me vend që në një farë mënyrë plani Im të mbahej fshehur nga të ligët dhe në të njëjtën kohë të gjithë të mirët ethshëm të shpresonin hirin Tim dhe të fitonin shpërblimin për shpresën e tyre. Përndryshe, nëse do të ishte kuptuar se plani Im do të realizohej në një kohë të caktuar, atëherë gjithkush do ta kishte humbur shpresën dhe dashurinë për shkak të vonesës së gjatë.

Unë gjithashtu premtova një sërë gjërash që nuk u realizuan për shkak të mosmirënjohjes së njerëzvë që jetonin në atë kohë. Nëse do të kishin pushuar së bëri vepra të këqija, Unë patjetër që do t’u kisha dhënë çka u pata premtuar. Prandaj nuk duhet të trazohesh pse thonë që fjalët e Mia janë gënjeshtra. Pasi çka njerëzisht duket e pamundur, për Mua është e mundur. Miqtë e Mi gjithashtu çuditen që fjalët e Mia nuk pasohen nga veprat. Por prapë edhe kjo nuk është pa shkak.

A nuk iu dërgua Mojsiu Faraonit? E megjithatë shenjat nuk pasuan mënjëherë. Përse? Sepse nëse shenjat dhe mrekullitë do të kishin ardhur menjëherë, zemërgurësia e Faraonit dhe fuqia e Hyjit nuk do të kishin dalë në pah e as mrekullitë nuk do të ishin shfaqur qartë. Faraoni prapë do të ishte dënuar për ligësinë e vet edhe sikur Mojsiu të mos kish ardhur, pavarësisht se zemërgurësia e tij nuk do të ishte marrë vesh. Kjo po ndodh edhe tani. Prandaj, bëju e fortë! Vërtet plugun e tërheqin qetë, por drejtimin ia jep vullneti i bujkut. Po kështu edhe pse ti mund t’i dëgjosh dhe t’i kuptosh fjalët e Mia, ato nuk dalin e as realizohen sipas vullnetit tënd por sipas Timit. Pasi unë e njoh përbërjen e tokës dhe mënyrën si duhet punuar. Ndërsa ti duhet të ma besosh gjithë vullnetin tënd Mua dhe të thuash: 'U bëftë vullneti yt!'"