Gjon Pagëzori e paralajmëron nusen me anë të një shembëlltyrë ku Hyji simbolizohet nga një laraskë, shpirti nga të vegjlit e saj, trupi nga foleja, kënaqësitë e kësaj bote nga kafshët e egra, krenaria nga zogjtë grabitqarë, drithërimat e kësaj jete nga gracka.
Libri 2 - Kapitulli 29

Gjon Pagëzori i foli nuses dhe tha: "Zoti Jezus të ka thirrur nga errësira në dritë, nga papastërtia në pastërti të përkryer, nga një vend i ngushtë në të gjerë. Kush është në gjedje t’i shpjegojë këto dhurata, apo si mund ta falenderosh Atë aq sa duhet? Mjaft të bësh sa mundesh! Ka një lloj zogu që quhet laraskë. Ajo i do të vegjlit e vet pasi vezët nga ata dalin kanë qenë në krahërorin e saj. Zogu bën një fole për vete me gjëra të vjetra dhe të përdorura për tre qëllime.

E para, si vend çlodhjeje; e dyta, për t’u mbrojtur nga shiu dhe thatësira e madhe; e treta, për të ushqyer të vegjlit kur dalin nga veza. Zogu i ngroh vezët duke u qëndruar butësisht sipër. Kur të vegjlit lindin, nëna i nxit të fluturojnë në tre mënyra. E para, duke u dhënë ushqim; e dyta, duke i nxitur me zërin e vet; e treta, duke fluturuar vetë për t’u dhënë shembull. Ngaqë e duan nënën, të vegjlit, pasi mësohen me ushqimin e nënës, fillimisht dalin pak nga pak përtej folesë me nënën që u prin. Pastaj shkojnë edhe më larg, deri ku munden, derisa bëhen të aftë në artin e fluturimit.

Ky zog simbolizon Hyjin që ekziston përjetësisht dhe kurrë nuk ndryshon. Nga krahërori i hyjnisë së Tij dalin gjithë shpirtrat racionalë. Një fole përgatitet për çdo shpirt me gjëra të përdorura sepse shpirti bashkohet me një trup argjile nëpërmjet të cilit Hyji e ushqen me ushqimin e afeksioneve të mira, e mbron nga zogjtë e mendimeve të këqija dhe e ruan nga shiu i veprave të këqija. Çdo shpirt bashkohet me trupin që ta sundojë trupin dhe jo të sundohet prej tij e kështu ta shtyjë trupin të luftojë dhe të kujdeset për të në mënyrë inteligjente. Po kështu, si një nënë e mirë, Hyji e mëson shpirtin të përparojë drejt gjërave më të mira dhe i mëson ta lërë ngushticën për të zhvendosur në hapësira më të mëdha. Së pari Ai e ushqen duke i dhënë inteligjencë dhe arësye sipas kapaciteteve të secilit dhe duke i treguar mendjes se çfarë duhet të zgjedhë dhe çfarë të shmangë.

Ashtu si laraska në fillim u prin të vegjëlve jashtë folesë, po ashtu njeriu fillimisht mëson të bluajë mendime qiellore dhe të reflektojë sa e ngushtë dhe e ulët është foleja e trupit, sa të shndritshme qiejt dhe sa të gëzueshme gjërat e përjetshme. Gjithashtu Hyji i prin shpirtit me zërin e vet kur thërret: 'Ai që më ndjek, do të jetojë; ai që më do, nuk do të vdesë.' Ky zë çon drejt qiellit. Ai që nuk dëgjon është i shurdhër ose mosmirënjohës ndaj dashurisë amtare. E treta, Hyji i prin shpirtit me fluturimin e Vet, domethënë me shembullin e natyrës së Tij njerëzore. Kjo natyrë e lavdishme njerëzore kishte si të thuash dy flatra. Flatra e parë ishte pastërtia e Tij e panjollë; flatra e dytë është përsosmëria me të cilën bëri gjithçka. Me këto dy flatra natyra njerëzore e Hyjit fluturoi nëpër botë. Për këtë arësye shpirti duhet t’i ndjekë ato aq sa mundet dhe nëse nuk mund të bëjë kështu me vepra, të paktën synimi i tij le të jetë i tillë.

Kur zogu i vogël fluturon duhet të ketë kujdes nga tre rreziqe. Së pari duhet të ruhet nga kafshët e egra. Ai nuk duhet të zbresë pranë tyre pasi nuk është i fortë aq sa to. Së dyti duhet të ruhet nga zogjtë grabitqarë pasi ai nuk fluturon aq shpejt sa ta, prandaj do të ishte më mirë që të rrinte fshehur. Së treti, duhet të ketë kujdes nga grackat. Kafshët e egra që përmenda janë kënaqësitë dhe dëshirat e kësaj bote. Zogu i vogël duhet të ketë kujdes prej tyre pasi ato duken tërheqëse për t’u njohur, të mira për t’u patur, të bukura për t’u parë. Por kur të duket se i ke bërë të tuat, ato shpejt zhduken. Kur mendon se të japin kënaqësi, ato të kafshojnë pa mëshirë.

Në radhë të dytë, zogu i vogël duhet të ketë kujdes nga zogjtë grabitqarë. Ata përfaqësojnë krenarinë dhe ambicjen. Këta janë zogjtë që gjithmonë duan të ngrihen lart e më lart dhe t’ua kalojnë zogjve të tjerë e i urrejnë ata që janë mbrapa tyre. Zogu i vogël duhet të ruhet prej tyre, duhet të dojë të qëndrojë i fshehur që të mos krenohet për hirin e marrë e të mos i përbuzë ata që kanë mbetur mbrapa tij dhe kanë më pak hir, si dhe të mos e kujtojë veten më të mirë se të tjerët. E treta, zogu duhet të ketë kujdes nga grackat. Ato simbolizojnë drithërimat e botës. Mund të duket gjë e mirë të qeshësh e të provosh ndjesi të këndshme në trup, por ka një kunj në këto gjëra. E qeshura e papërmbajtur çon në drithërima të papërmbajtura dhe kënaqësia trupore çon në paqëndrueshmëri të mendjes që sjell trishtim në vdekje ose edhe më pare, e bashkë me trishtimin ankth. Prandaj duhet të nxitosh, bija Ime, që ta lësh folenë me anë të dëshirës për qiellin! Kujdes nga bishat e dëshirës dhe zogjtë e krenarisë! Kujdes nga gracka e gëzimeve boshe!"

Pastaj Nëna i foli nuses dhe tha: "Kujdes nga zogu i lyer me zift, pasi kush e prek njolloset. Ai simbolizon ambicjen tokësore, të paqëndrueshme si ajri, të neveritshme në mënyrën e kërkimit të favoreve dhe mbajtjen e miqësive të këqija. Mos u merakos për ndere, mos u merakos për favore, mos i kushto vëmendje lëvdatave apo qortimeve! Nga këto gjëra vijnë paqëndrueshmëria e shpirtit dhe ftohja e dashurisë për Hyjin. Ji e qëndrueshme! Hyji, që ka nisur të të nxjerrë nga foleja, do të vazhdojë të të ushqejë deri në vdekje. Pas vdekjes nuk do të kesh më uri. Ai do të të mbrojë sa je gjallë dhe pas vdekjes nuk do të kesh nga se të trembesh."