Nëna i lutet Birit për nusen e Tij dhe një person tjetër të shenjtë dhe lutja e Nënës pranohet nga Krishti. Si mund të sigurohemi rreth vërtetësisë apo fallsitetit të shenjtërisë së dikujt në këtë jetë.
Libri 2 - Kapitulli 30

Maria i foli të Birit dhe i tha: "Biri im, si dhuratë për nusen tënde bëj që trupi Yt tejet i denjë të rrënjoset në zemrën e saj aq shumë sa ajo të shndërrohet në Ty dhe të mbushet me gëzimin Tënd!" Pastaj ajo tha: "Ky njeri i shenjtë, kur jetonte në kohë, nuk u lëkund në fenë e shenjtë si mal i patundur nga provat, i paepur përballë kënaqësive. Ai u tregua fleksibël ndaj vullnetit Tënd si ajër lëvizës, kudo që Shpirti Yt e drejtoi. Digjej zjarr nga dashuria për Ty e i ngrohu ata që ishin ftohur dhe ngadhnjeu mbi të ligët. Tani shpirti i tij është me Ty në lavdi, por ena që përdori është varrosur dhe prehet në një vend më të përvuajtur se ç’duhet. Prandaj, Bir, ngjite trupin e tij në një pozicion më të lartë, nderoje pasi ai të nderoi aq mundi, ngrije lart pasi ai të lartësoi aq sa mundi me përpjekjet e veta!"

Biri u përgjigj: "E bekuar je ti që nuk lë gjë pa bërë për interesat e miqve të tu. Ti e sheh, Nënë, nuk ia vlen që ushqimi i mirë t’u jepet ujqërve. Nuk është e drejtë të varroset në baltë safiri që ruan shëndetin e të gjitha gjymtyrëve dhe i forcon të dobëtit. Ky njeri vërtet u tregua i qëndrueshëm në fe dhe i flaktë në dashuri dhe qe i gatshëm të bënte vullnetin Tim me vetëpërmbajtjen më të madhe. Prandaj ai më shijon si ushqim i mirë e i gatuar me durim mes vështirësive, i ëmbël dhe i butë në mirësinë e vullnetit dhe dëshirave, akoma edhe më i mirë në betejat burrërore për t’u përmirësuar, i shkëlqyer dhe tejet i ëmbël në mënyrën e lavdërueshme të përmbushjes së detyrave. Prandaj nuk është e drejtë që një ushqim i tillë të ngrihet përpara ujqërve të cilët kanë grykësi që nuk shuhet kurrë, kanë epsh për kënaqësi që i bën të mos duan barërat e virtyteve por fëlliqësinë e mishit e kanë gjuhë dinake që i bën keq kujtdo.

Ai i përngjante safirit të kësaj unaze me shkëlqimin e jetës dhe reputacionit të tij dhe e provoi se ishte dhëndër i kishës, mik i Zotit, mbrojtës i fesë së shenjtë dhe se e përbuzte botën. Prandaj, Nënë e dashur, nuk është e drejtë që ai që e donte virtytin dhe ish një dhëndër kaq i pastër të preket nga krijesat e fëlliqura, apo që një mik kaq të përvuajtur ta prekin ata që duan këtë botë. Në radhë të tretë, duke iu përmbajtur urdhëresave të Mia dhe me shembullin e mirë që dha, ai ishte si llampë në shandan. Me shembullin e vet ai u dha forcë atyre që ishin në këmbë që të mos rrëzoheshin. Me anë të këtij shembulli ai ngriti ata që rrezikoheshin të binin. Me anë të tij ai gjithashtu frymëzoi ata që do të ecnin në gjurmët e tij për të më gjetur Mua.

Ata nuk meritojnë ta shohin këtë dritë sepse egoizmi i ka verbuar. Nuk janë në gjendje ta perceptojnë këtë dritë, pasi sytë i kanë të sëmurë nga krenaria. Njerëzit duarpis nuk mund ta prekin këtë dritë. Kjo dritë është e urryeshme për lakmitarët dhe për ata që duan vullnetin e vet. Prandaj, para se të ngjitet në një post më të lartë, drejtësia kërkon që ata që janë të papastër të pastrohen dhe ata që janë të verbër të ndriçohen.

Ndërsa përsa i përket atij personi që njerëzit në tokë e thërrasin shenjtor, tre gjëra tregojnë se ai nuk ishte i shenjtë. Së pari ai nuk imitoi jetën e shenjtërve përpara se të vdiste; së dyti ai nuk u tregua i gatshëm që me gëzim ta jepte jetën për Hyjin; së treti ai nuk pati dashuri të flaktë dhe të dukshme si shenjtërit. Tre gjëra bëjnë që dikush t’i duket i shenjtë turmës. E para është shtirja me të cilën njeriu i bën të tjerët për vete; e dyta është mendjelehtësia e njerëzve që besojnë kollaj; e treta lakmia dhe neglizhenca e prelatëve dhe shqyrtuesve. Nëse është në ferr apo në purgator, juve nuk ju lejohet ta dini derisa të vijë koha që kjo të bëhet e ditur."