Nëna e Hyjit i flet të Birit në emër të nuses së Tij. Krishti krahasohet me Salomonin. Ndëshkimi i ashpër ndaj të Krishterëve shtiracakë.
Libri 2 - Kapitulli 4

Nëna e Hyjit i foli të Birit duke thënë: "Biri im, shiko si po qan nusja jote ngaqë Ti ke pak miq dhe shumë armiq." Biri u përgjigj: "Është shkruar se bijtë e mbretërisë do të dëbohen dhe nuk do ta trashëgojnë mbretërinë. Po ashtu shkruhet se një farë mbretëreshe erdhi nga larg për të parë pasuritë e Salomonit dhe për të dëgjuar urtinë e tij. Kur pa gjithçka, ajo mbeti pa fjalë nga habia. Por shtetasit e mbretërisë së tij nuk i kushtuan vëmndje urtisë së tij dhe nuk i admiruan pasuritë e tij. Salomoni më simbolizon Mua edhe pse Unë jam shumë më i pasur dhe më i urtë se ai, pasi gjithë urtia vjen prej Meje dhe çdokush që është i urtë e merr urtinë nga Unë. Pasuritë e Mia janë jetë e përjetshme dhe lavdi e papërshkrueshme. Ia premtova dhe ofrova këto të mira të Krishterëve si t’ishin fëmijët e Mi, që ata të mund t’i zotëronin përgjithmonë nëse do të më imitonin dhe do t’i besonin fjalët e Mia. Por ata nuk i kushtuan vëmendje urtisë Sime.

Ata tallen me veprat dhe premtimet e Mia dhe i konsiderojnë të pavlera pasuritë e Mia. Pra ç’do të bëj pastaj me ta? Sigurisht që nëse fëmijët nuk e duan trashëgiminë e vet, atëherë të huajt, domethënë paganët, do ta marrin atë. Si ajo mbretëreshë e huaj me të cilën simbolizoj të gjithë shpirtrat besnikë, ata do të vinë dhe do të admirojnë pasurinë e lavdisë dhe dashurisë Sime e do të largohen nga shpirti i tyre i pabesisë dhe do të mbushem me Shpirtin tim. Pra ç’do të bëj pastaj me bijtë e mbretërisë? Do të sillem me ta si një poçar i zoti i cili kur vëren se objekti i parë që ka bërë me argjilë nuk është as i bukur as i dobishëm, e hedh dhe e thyen. Do të sillem me të Krishterët në të njëtën mënyrë. Edhe pse ata duhet të ishin të Mitë sepse i krijova sipas imazhit Tim dhe i shëlbova me gjakun Tim, ata janë deformuar tmerrësisht. Prandaj do të shkelen si pluhur dhe do të flaken në ferr."