Zoti i flet nuses për madhështinë e Tij. Një shëmbëlltyrë e mrekullueshme ku Krishti krahasohet me Davidin, ndërsa Hebrenjtë, të Krishterët e këqinj dhe paganët krahasohen me tre djemtë e Davidit. Kisha mbështëtet në shtatë sakramentet.
Libri 2 - Kapitulli 5

Unë jam Hyj, jo prej guri a prej druri e as i krijuar nga ndonjë tjetër, por Krijuesi i gjithësisë, jam pa fillim dhe pa fund. Unë jam Ai që erdhi në krahërorin e Virgjërës dhe ndenji me Virgjërën pa e humbur hyjninë. Me natyrën Time njerëzore Unë isha tek Virgjëra njëkohësisht me natyrën Time hyjnore dhe Unë jam po ai Person i cili me anë të natyrës hyjnore vazhdoi të sundonte mbi qiellin dhe tokën së bashku me Atin dhe me Shpirtin Shenjt. Me Shpirtin Tim e përflaka Virgjërën – jo në kuptimin që Shpirti që e përflaku qe i ndarë prej Meje, por që Shpirti që e përflaku ishte po Ai që ishte në Atin dhe në Mua, jo tre hyje.

Unë jam si mbreti David që kishte tre djem. Njëri prej tyre quhej Absalom dhe ai u përpoq t’i merrte jetën të atit. I dyti, Adonija, kërkonte mbretërinë e të atit. Djali i tretë, Salomoni, e mori mbretërinë. Djali i parë përfaqëson Hebrenjtë. Ata janë personat që kërkuan të më merrnin jetën e Unë të vdisja dhe i përqeshën mësimet e Mia. Për pasojë, tani që dihet si e pësuan, Unë mund të them çka tha Davidi kur vdiq i biri: 'Biri im, Absalom!" domethënë: O bijtë e Mi Hebrenj, ku ka përfunduar përmallimi dhe pritja juaj tani? O bijtë e Mi, ç’fund ju pret tani? Ndjeva keqardhje për ju sepse më prisnit me dëshirë që të vija – Mua që nga shumë shenja mësuat se kisha ardhur – dhe sepse dëshironit lavdi që kalon shpejt e që e gjitha tani ka marrë fund. Por tani ndjej keqardhje më të madhe për ju, si Davidi që i përsëriste e përsëristë fjalët e para, sepse shoh që ju pret një fund mjeran.

Prandaj përsëri si Davidi Unë them me gjithë dashurinë Time: 'Bir, ah sikur të vdisja Unë në vendin tënd?' Davidi e dinte mirë se ai nuk mund ta kthente në jetë të birin duke vdekur vetë, por që të tregonte dashurinë e thellë atërore dhe dëshirën e zjarrtë të vullnetit të tij, edhe pse e dinte se ishte e pamundur, ai ishte gati të vdiste në vend të të birit. Në të njëjtën mënyrë Unë tani them: O bijtë e Mi izraelitë, edhe pse ma dëshiruat të keqen dhe bëtë ç’mundët kundër Meje, nëse do të ishte e mundur dhe nësë Ati Im do ta lejonte, Unë do të vdisja edhe njëherë për ju pasi më vjen keq për të keqen që i keni bërë vetes. Unë ju tregova se ç’duhej bërë me fjalët e Mia dhe ua bëra të qartë me shembujt e Mi. Eca para jush si një klloçkë që ju mbronte me krahët e dashurisë, por ju nuk pranuat asgjë. Prandaj gjithë gjërat që dëshironit u bënë hiç. Fundi juaj është mjerimi dhe mundi u shkoi dëm.

Të Krishterët e këqinj simbolizohen nga djali i dytë i Davidit që mëkatoi kundër të atit kur ky ishte në moshë të thyer. Ai mendoi me vete kështu: 'Im atë është i moshuar dhe takati po e lë. Nëse i them ndonjë gjë që nuk shkon, ai nuk përgjigjet. Nëse bëj diçka kundër tij, ai nuk hakmerret. Nëse i vërsulem, ai toleron me durim. Prandaj do të bëj ç’të dua.' Me disa prej shërbëtorëve të të atit David, ai shkoi në një kopësht me pak pemë për t’u hequr si mbret. Por kur urtia dhe synimi i të atit u bënë të qarta, ai e ndryshoi planin dhe ata që ishin me të u turpëruan.
Këtë po më bëjnë tani të Krishterët. Ata mendojnë me vete: 'Shenjat dhe vendimet e Hyjit nuk janë aq të qarta tani siç ishin dikur. Mund të themi ç’të duam pasi Ai është i mëshirshëm dhe nuk na vë mend. Le të bëjmë si të duam pasi Ai hap rrugë kollaj.' Ata nuk kanë besim tek fuqia Ime, sikur tani të isha më i dobët në përmbushjen e vullnetit Tim se më parë.

Ata kujtojnë se dashuria Ime është zbehur, sikur Unë të mos isha po aq i gatshëm për t’i mëshiruar siç mëshirova etërit e tyre. Gjithashtu ata mendojnë se gjykimi Im është diçka me të cilën mund të qeshësh dhe drejtësia Ime është e pakuptimtë. Prandaj edhe ata shkojnë në një kopësht me disa shërbëtorë të Davidit për t’u hequr si mbretër me arrogancë. ç’simbolizon ky kopësht me pak pemë në mos Kishën e Shenjtë që vazhdon të ekzistojë nëpërmjet shtatë sakramenteve si të ishin pak pemë? Ata hyjnë në kishë së bashku me disa shërbëtorë të Davidit, domethënë me pak vepra të mira, për ta fituar mbretërinë e Hyjit me arrogancë.

Kryejnë një numër të vogël veprash të mira, me besimin që me anë të tyre, pavarësisht nga gjendja mëkatare ku ndodhen apo pavarësisht se çfarë mëkatesh kanë kryer, ata prapë mund ta fitojnë mbretërinë e qiellit sikur t’u takonte me të drejtë trashëgimie. Djali i Davidit donte ta merrte mbretërinë kundër vullnetit të Davidit, por u dëbua me turp pasi si ai dhe ambicja e tij ishin të padrejta dhe mbretëria iu dha një personi më të mirë dhe më të urtë. Po kështu këta njerëz do të dëbohen nga mbretëria Ime.

Ajo do t’u jepet atyre që bëjnë vullnetin e Davidit, pasi vetëm ai që ka dashuri mund ta fitojë mbretërinë Time. Vetëm ai që është i pastër dhe udhëhiqet nga zemra Ime mund të më afrohet Mua që jam më i pastri i të gjithëve.
Salomoni ishte djali i tretë i Davidit. Ai simbolizon paganët. Kur Betsabea mori vesh se dikush tjetër, jo Salomoni që Davidi kish premtuar se do të ishte mbret pas tij- ishte zgjedhur nga disa persona, ajo shkoi tek Davidi dhe i tha: 'Imzot, ti m’u betove se Salomoni do të ishte mbret pas teje. Por tani dikush tjetër është zgjedhur.

Nëse është kështu dhe kjo do të realizohet, mua do të më dënojnë në zjarr si kurorëthyese dhe im bir do të konsiderohet si i paligjshëm.' Kur Davidi e dëgjoi këtë, u ngrit dhe tha: 'Betohem për Hyjin se Salomoni do të ulet në fronin tim dhe do të jetë mbret pas meje.' Pastaj i urdhëroi shërbëtorët e vet që ta ulnin Salomonin në fron dhe ta shpallnin mbret atë që kish zgjedhur Davidi. Ata i zbatuan urdhrat e zotërisë së tyre dhe e ngjitën Salomonin në pushtet dhe të gjithë ata që kishin përkrahur të vëllain u shpërndanë dhe përfunduan shërbëtorë. Kjo Betsabe, që do t’ish quajtur kurorëthyese nëse do të ishte zgjedhur një mbret tjetër, nuk simbolizon tjetër gjë përveç besimit të paganëve.

Nuk ka kurorëthyerje më të keqe sesa ta shesësh veten në prostitucion larg prej Hyjit dhe besimit të vërtetë dhe të besosh në një zot që nuk është Krijuesi i gjithësisë. Ashtu siç bëri Betsabea, disa prej paganëve erdhën tek Unë me zemër të përvuajtur dhe të penduar, duke thënë: 'Zot, ti premtove se në të ardhmen ne do të ishim të Krishterë. Mbaje premtimin! Nëse një mbret tjetër, nëse një fe tjetër që s’është e Jotja ngadhnjen mbi ne, nëse largohesh prej nesh, ne do të digjemi në mjerim dhe do të vdesim si një kurorëthyese që ka marrë një kurorëthyes në vend të burrit të ligjshëm. Përveç kësaj, edhe pse Ti jeton përgjithmonë, prapë se prapë Ti do të jesh si i vdekur për ne dhe ne për Ty, në kuptimin që Ti do ta largosh hirin nga zemrat tona dhe do të na kundërvësh ndaj Teje për shkak të mungesës së besimit. Prandaj mbaje premtimin, forcoje dobësinë tonë dhe ndriçoje errësirën tonë! Nëse vonon, nëse largohesh prej nesh, ne do të zhdukemi.' Duke dëgjuar këtë, Unë do të ngrihem si Davidi me anë të hirit dhe të mëshirës Sime.

Betohem për natyrën Time hyjnore që është bashkuar me trupin Tim dhe për natyrën Time njerëzore që është në Shpirtin Tim dhe për Shpirtin Tim që është në natyrat e Mia hyjnore dhe njerëzore, këto të treja duke qenë jo tre hyje por një Hyj, se do ta mbaj premtimin. Do të dërgoj miqtë e Mi ta sjellin tim bir Salomonin, domethënë paganët, në kopësht, domethënë në kishë që mbijeton me shtatë sakramentet si t’ishin shtatë pemë (konkretisht pagëzimi, rrëfimi, vajosja e krezmimit, sakramenti i altarit dhe i meshtarisë, martesa dhe vajosja e mbrame). Ata do të prehen në fronin Tim, domethënë në fenë e vërtetë të Kishës së Shenjtë.

Ndërsa të Krishterët e këqinj do të bëhen shërbëtorët e tyre. Të parët do ta gjejnë gëzimin në një trashëgimi të përjetshme dhe në ushqimin e ëmbël që do të përgatis për ta. Të dytët, do të rënkojnë në mjerimin që do të fillojë për ta në të tashmen dhe do të zgjasë përjetësisht. Dhe kështu, meqenëse është ende koha për të ndenjur zgjuar, miqtë e mi të mos flenë, të tregohen të palodhur sepse një shpërblim i lavdishëm i pret mundimet tyre!"