Biri tha: "Unë i përngjaj një mbreti në fushën e betejës që i ka miqtë në të djathtë dhe armiqtë në të majtë. Zëri i dikujt që thërriste iu drejtua atyre që ndodheshin djathtas dhe ishin të mirëarmatosur. Në kokë mbanin helmeta dhe fytyrën e kishin kthyer nga zotëria e tyre. Zëri u bërtiti: 'Kthehuni nga unë dhe besomëni! Kam ar për t’ju dhënë.' Kur e dëgjuan këtë, ata u kthyen nga ai. Zëri u foli për herë të dytë atyre që ishin kthyer: 'Nëse doni ta shihni arin, hiqini helmetat dhe, nëse doni ta mbani arin, do t’ua vë unë helmetat ashtu siç më pëlqen.' Kur ata pranuan, ai ua vuri helmetat mbrapsht. Për pasojë, pjesën e përparme me hapësirat për të parë e kishin mbrapa kokës, kurse pjesa e prapme e helmetës u mbulonte sytë e nuk mund të shikonin. Duke bërtitur kështu, ai u priu atyre si të ishin të vebër.
Pasi ndodhi kjo, disa prej miqve të mbretit i raportuan zotërisë së tyre se armiqtë i kishin mashtruar njerëzit e tij. Ai u tha miqve: 'Shkoni mes tyre dhe thërrisni: Hiqini helmetat dhe shihni si ju kanë mashtruar! Kthehuni tek unë dhe unë do t’ju mirëpres paqësisht!' Ata nuk deshën të dëgjojnin e u tallën. Shërbëtorët e dëgjuan këtë dhe i raportuan të zotit të tyre. Ai tha: 'Epo mirë, meqenëse ata u tallën me mua, shkoni shpejt në të majtë dhe dhe thuajuni atyre majtas këto tre gjëra: Udha që çon në jetë është përgatitur për ju. Porta është hapur. Dhe zotëria vetë dëshiron të vijë t’ju takojë paqësisht. Prandaj besoni pa u lëkundur se udha është përgatitur! Kini shpresë të patundur se porta është hapur dhe fjalët e tij janë të vërteta! Shkoni ta takoni zotërinë me dashuri dhe ai do t’ju mirëpresë me dashuri dhe paqe e do t’ju prijë në paqen e amshuar!' Kur ata i dëgjuan fjalët e lajmëtarëve, besuan dhe u mirëpritën miqësisht.
Unë jam ai mbret. Në të djathtë kisha të krishterët e pata përgatitur një shpërblim të përjetshëm për ta. Mbanin helmeta në kokë dhe fytyrën e kishin të kthyer nga Unë për sa kohë ishin të vendosur të bënin vullnetin Tim, t’i bindeshin urdhëresave të Mia dhe për sa kohë zemra e tyre rrihte vetëm për qiellin. Pas pak kohe, zëri i djallit, domethëne krenaria, kumboi në botë dhe u tregoi atyre pasuri tokësore dhe kënaqësi trupore. Ata u kthyen drejt tij duke ia nënshtruar krenarisë vullnetin dhe dëshirat e veta. Për shkak të krenarisë, ata i hoqën helmetat e përmbushën dëshirat e tyre duke zgjedhur të mirat e përkohshme në vend të atyre shpirtërore. Tani që i kanë hequr helmetat e vullnetit të Hyjit dhe armët e virtytit, krenaria i ka kapluar aq shumë dhe i ka lidhur aq fort pas vetes saqë me kënaqësinë më të madhe mëkatojnë deri në fund dhe do të ishin gati të jetonin përgjithmonë mjaft që të mund të mëkatonin pafund.
Krenaria i ka verbuar aq shumë saqë hapësirat e helmetës nga mund të shihet i kanë mbrapa kokës dhe përpara kanë errësirë. Ç’simbolizojnë këto hapësira në helmeta përveç meditimit mbi të ardhmen dhe mbi vlerën e realiteteve të tanishme? Nga hapësira e parë ata duhej të shihnin gëzimin e shpërblimeve të ardhshme dhe tmerret e ndëshkimeve të ardhshme, si edhe gjykimin e tmerrshëm të Hyjit. Nga hapësira e dytë ata duhet të shihnin urdhëresat dhe ndalesat që ka caktuar Hyji, si edhe në ç’masë i kanë shkelur urdhëresat e Hyjit dhe si duhet të ndreqen. Por këto hapësira i kanë prapa kokës e nuk mund të shohin asgjë, gjë që do të thotë se ata e kanë shpërfillur meditimin e realiteteve qiellore.
Dashuria e tyre për Hyjin është ftohur, ndërsa dashuria e tyre për botën shikohet me gëzim dhe përqafohet aq fort sa ajo, si një rrotë e mirëvajosur, i çon ku t’u teket. Megjithatë, duke parë se Unë po çnderohem, se shpirtrat po hallakaten dhe se djalli po merr në dorë timonin, miqtë e Mi më thërrasin çdo ditë me lutjet e tyre për ta. Lutjet e tyre janë ngjitur në qiell dhe kanë mbërritur në veshët e Mi, Unë u kam dërguar çdo ditë predikuesit e Mi këtyre njerëzve, u kam treguar shenja dhe i kam shtuar hiret për ta. Por duke u tallur me të gjitha këto, ata kanë bërë mëkat pas mëkati.
Prandaj tani do t’u them shërbëtorëve të Mi dhe patjetër do t’i zbatoj fjalët e Mia: Shërbëtorët e Mi, shkoni në të majtë, domethënë tek paganët, dhe thuajuni atyre: 'Zoti i qiellit dhe Krijuesi i gjithësisë dëshiron që t’ju themi sa vijon: Udha e qiellit është hapur për ju. Kini vullnetin të hyni në të me fe të palëkundur! Porta e qiellit rri hapur për ju. Shpresoni pa u lëkundur dhe do të hyni përmes saj! Vetë mbreti i qiellit dhe Zoti i engjëjve do të vijë t’ju takojë dhe t’ju japë paqen dhe bekimin e amshuar. Dilni ta takoni dhe priteni duke besuar se Ai ju ka treguar dhe ka përgatitur për ju udhën për në qiell! Priteni me shpresë, pasi Ai vetë ka ndërmend t’ua japë mbretërinë.
Duajeni Atë me gjithë zemër dhe tregojeni dashurinë me vepra dhe do të hyni nga portat e Hyjit prej ku u zbuan ata të Krishterë që nuk deshën të hyjnë dhë që u bënë të padenjë me veprat e tyre.' Me të vërtetë po ju them se do t’i zbatoj fjalët e Mia dhe nuk do t’i harroj ato. Do t’ju pres si bijtë e Mi dhe Mua që më kanë tallur të Krishterët ju do të më keni atë.
Prandaj ju, o miqtë e Mi që jeni në botë, dilni pa frikë dhe thërrisni me zë të lartë, shpalljuani vullnetin Tim atyre dhe ndihmojini ta zbatojnë atë. Unë do të jem në zemrat tuaja dhe në fjalët tuaja. Do të jem prijësi juaj në jetë dhe shëlbuesi juaj në vdekje. Nuk do t’ju braktis. Shkoni me guxim – sa më i madh mundi juaj, aq më e madhe lavdia juaj!
Unë mund të bëj gjithçka në një çast të vetëm dhe me një fjalë të vetme, por dua që shpërblimi juaj të rritet në sajë të përpjekjeve tuaja dhe që lavdia Ime të rritet në sajë të guximit tuaj. Mos u çudisni për çka po them. Nëse personi më i urtë në botë do të arrinte të numëronte sa shumë shpirtra përfundojnë në ferr çdo ditë, do të shihte se ata ia kalojnë në numër kokrrizave të rërës në detra dhe guralecëve buzë detit. Kjo është pasojë e drejtësisë, sepse këta shpirtra e kanë braktisur Zotin dhe Hyjin e tyre. Po e them këtë në mënyrë që djalli të humbasë terren, rreziku të bëhet i ditur dhe radhët e ushtrisë Sime të shtohen. Ah sikur të dëgjonin dhe t’i vinin gishtin kokës!"
|