Jezu Krishti i flet nuses dhe e krahason natyrën e Tij hyjnore me një kurorë. Ai përmend Pjetrin dhe Palin për të simbolizuar klerikët dhe laikët. Ç’qëndrim duhet mbajtur ndaj armiqve dhe cilësitë që duhet të kenë kalorësit në botë.
Libri 2 - Kapitulli 7

Biri i foli nuses dhe tha: "Unë jam Mbreti i kurorës. A e di pse them 'Mbret i kurorës’? E them sepse natyra Ime hyjnore ishte, do të jetë dhe është pa fillim dhe fund. Natyra Ime hyjnore mund të krahasohet me të drejtë me një kurorë, pasi kurora nuk ka as pikëfillim as mbarim. Ashtu sikurse në një mbretëri kurora ruhet për mbretin e ardhshëm, po ashtu natyra Ime hyjnore u ruajt për natyrën Time njerëzore si kurorë për të.

Unë kisha dy shërbëtorë. Njëri ishte prift, tjetri laik. I pari ishte Pjetri që ishte klerik, kurse Pali ishte, si të thuash, laik. Pjetri ishte lidhur me martesë, por kur pa se martesa nuk pajtohej me postin e tij meshtarak dhe se mungesa e vetëpërmbajtjes mund të vinte në rrezik vullnetin e tij të mirë, ai e zgjidhi martesën e tij e ligjshme dhe e braktisi shtratin bashkëshortor për të m’u përkushtuar Mua me gjithë zemër.

Ndërsa Pali nuk u martua dhe e ruajti veten ta panjollosur nga shtrati martesor. Shiko ç’dashuri të madhe pata për të dy! Pjetrit i dhashë çelësat e qiellit e gjithçka që ai do të lidhte apo zgjidhte në tokë, do të lidhej dhe zgjidhej në qiell. E bëra Palin si Pjetri në lavdi dhe nder. E meqenëse ishin të barabartë në tokë, ata tani janë bashkë në lavdi të përjetshme në qiell e nderohen së bashku. Edhe pse i përmenda këta të dy shprehimisht me emër, me ta e nëpërmjet tyre Unë kam parasysh të gjithë miqtë e Mi. Edhe në Besëlidhjen e mëparshme Unë i flisja Izraelit sikur t’i drejtohesha vetëm një personi, por me atë emër nënkuptoja të gjithë popullin e Izraelit. Po ashtu tani me anë të këtyre dy personave Unë kam parasysh të gjithë ata që kam mbushur me lavdinë dhe dashurinë Time.

Me kalimin e kohës të këqijat filluan të shumëzoheshin dhe trupi i njeriut nisi të dobësohej dhe të prirej gjithnjë e më tepër drejt së keqes. Prandaj Unë caktova norma për secilin, domethënë për klerikët dhe laikët që këtu përfaqësohen nga Pjetri dhe Pali. Në mëshirën Time Unë vendosa t’i lejoj klerikët të zotëronin një sasi të kufizuar të pronave të kishës për nevojat e tyre trupore në mënyrë që ata të më shërbenim gjithnjë e më me pasion dhe qëndrueshmëri. Laikët i lejova të bashkohen në martesë sipas riteve të kishës. Në radhët e priftërinjeve ishte një njeri i mirë që mendoi: 'Trupi më tërheq drejt kënaqësive të ulta, bota më ysht drejt pamjeve të dëmshme, ndërsa djalli më ngre kurthe të ndryshme që të bie në mëkat. Prandaj që të mos bie në kurthin e kënaqësive trupore, unë do të tregohem i matur në çdo veprim. Do të fle dhe do të çlodhem me masë.

Do t’i kushtoj kohën e duhur punës dhe lutjes dhe do t’i vë fre orekseve trupore nëpërmjet agjërimit. Së dyti, që bota të mos më largojë nga dashuria e Hyjit, do të heq dorë nga të gjitha gjërat tokësore, pasi ato janë kalimtare. Është më e sigurt ta ndjekësh Krishtin në varfëri. Së treti, që të mos mashtrohem nga djalli që gjithnjë thotë gënjeshtra dhe jo të vërtetën, unë do t’i nënshtrohem dhe bindem një tjetri; do të refuzoj çdo egoizëm dhe do të tregoj se jam i gatshëm të bëj gjithçka që tjetri më urdhëron të bëj.' Ky njeri ishte i pari që themeloi jetën rregulltare. Ai jetoi në mënyrë të lavdërueshme dhe jeta e tij u bë shembull për t’u imituar nga të tjerët.

Për një farë kohe klasa e laikëve ishte e mirëorganizuar. Disa prej tyre punonin tokën. Të tjerë drejtonin anije dhe çonin mallra në vende të tjera e kështu të mirat e një rajoni plotësonin nevojat e një rajoni tjetër. Të tjerë ishin artizanë të zellshëm. Mes tyre ishin mbrojtësit e kishës Sime që tani quhen kalorës. Ata rrokën armët si hakmarrës të Kishës Sime të Shenjtë për të luftuar kundër armiqve të saj. Mes tyre u shfaq një njeri i mirë dhe mik i Imi që mendoi me vete: 'Unë nuk e punoj tokën si bujk. Nuk cfilitem detrave si tregtar. Nuk punoj me duart e mia si artizan i aftë. Ç’mund të bëj atëherë, me ç’vepra mund t’i pëlqej Hyjit? Nuk jam shumë energjik në shërbim të kishës. Trupi im është shumë delikat dhe i dobët për të përballuar mundime fizike, duart e mia nuk kanë forcë për të goditur armiqtë dhe mendja më trazohet kur meditoj për gjërat qiellore. Atëherë ç’mund të bëj?

E di se ç’mund të bëj. Do të shkoj e të lidhem me premtim me një princ laik duke iu betuar se do ta mbroj fenë e Kishës së Shenjtë me fuqinë dhe gjakun tim.' Ky miku im shkoi tek princi dhe i tha: 'Imzot, unë jam një nga mbrojtësit e kishës. Trupi im është shumë i dobët për të përballuar mundime fizike, duart e mia nuk kanë fuqi për të goditur të tjerët, mendja më trazohet kur vjen puna per të medituar mbi çka është e mirë dhe duhet zbatuar; vullneti im është çka më pëlqen; dhe nevoja që kam për pushim nuk më lejon të zë një post me peshë në shtëpinë e Hyjit. Prandaj unë e lidh veten me betim publik për t’iu bindur Kishës së Shenjtë dhe ty, o Princ, duke u betuar se do ta mbroj atë të gjitha ditët e jetës sime dhe kështu, edhe pse mendja dhe vullneti im nuk janë në lartësinë e duhur për luftë, unë do të detyrohem të bëj më të mirën për shkak të betimit.' Princi iu përgjigj: 'Do të vij me ty në shtëpinë e Hyjit dhe do të bëhem dëshmitar i betimit dhe premtimit tënd.' Të dy erdhën në altarin Tim dhe miku Im u gjunjëzua dhe tha: 'Unë jam shumë i dobët fizikisht për të përballuar mundime trupore, vullneti im më pëlqen shumë, duart i kam shumë të dobëta kur vjen puna për të goditur.

Prandaj tani i premtoj bindje Hyjit dhe ty, shefi im, duke u betuar se do ta mbroj Kishën e Shenjtë nga armiqtë e saj, do t’i ngushëlloj miqtë e Hyjit, do t’u bëj mirë të vejave, jetimëve dhe besnikëve të Hyjit dhe kurrë nuk do të bëj asgjë kundër kishës së Hyjit apo besimit. Përveç kësaj, unë i nënshtrohem korigjimit tënd nëse ndodh që gaboj, në mënyrë që për shkak të bindjes t’i trembem mëkatit dhe egoizmit edhe më tepër dhe t’i përkushtohem më me pasion dhe gatishmëri zbatimit të vullnetit të Hyjit dhe vullnetit tënd, duke e patur të qartë se i meritoj dënim dhe përbuzje më të madhe nëse nuk bindem dhe i shkel urdhrat e tua.' Pas këtij betimi të bërë në altarin Tim, princi me urti vendosi që ky person duhej të vishej ndryshe nga laikët e tjerë, si shenjë e vetëmohimit dhe si kujtesë për të se ai kish një epror të cilit duhej t’i bindej.

Princi i vuri edhe një shpatë në dorë e i tha: 'Kjo shpatë është për ty që ta përdorësh për të kërcënuar dhe vrarë armiqtë e Hyjit.' I vuri një mburojë në krah dhe i tha: 'Mbroju me këtë mburojë nga plumbat e armikut dhe bëji ballë çdo sulmi!' Në prani të priftit tim që po dëgjonte, miku im bëri premtimin për t’i respektuar gjithë këto. Pasi premtimit, prifti i dha atij trupin Tim që ta forconte dhe t’i jepte zemër në mënyrë që, duke u bashkuar me Mua nëpërmjet trupit Tim, miku Im të mos ndahej kurrë prej Meje. I tillë ishte miku Im Gjergji dhe shumë të tjerë. Të tillë duhet të jenë edhe kalorësit. Ata duhet të bëhen të denjë për titullin dhe uniformën kalorsiake me veprat e tyre në mbrojtje të Fesë së Shenjtë.

Por ata tani nuk bëjnë veprat që bënin dikur miqtë e Mi. Miqtë e Mi dikur hynin në manastir nga respekti dhe dashuria për Hyjin. Ndërsa ata që janë në manastire sot dalin në botë nga krenaria dhe lakmia, bëjnë vullnetin e vet dhe bëhen skllevër të dëshirave trupore. Drejtësia e lyp që njerëz që vdesin në këtë gjendje mos të trashëgojnë gëzimin e qiellit por ndëshkimin e pafund të ferrit. Ta dish gjithashtu se murgjërit e klauzurës që detyrohen, kundër vullnetit të tyre, të bëhen klerikë të lartë nga dashuria për Hyjin, nuk duhen futur në një thes me ta. Kalorësit që dikur mbanin armët e Mia ishin gati ta jepnin jetën për drejtësinë dhe ta derdhnin gjakun për hir të fesë së shenjtë, duke vendosur drejtësi për nevojtarët e duke i mposhtur bakëqinjtë.

Dëgjo si janë shthurur tani! Të nxitur nga djalli janë gati ta japin jetën në betejë për hir të krenarisë, lakmisë dhe zilisë dhe jo të jetojnë sipas urdhëresave të Mia dhe të fitojnë gëzimin e amshuar. Shpërblimi i merituar i pret në gjykim të gjithë ata që vdesin në gjendje të tillë dhe shpirtrat e tyre do të jenë skllevër të djallit përgjithmonë. Por kalorësit që më shërbejnë Mua do të marrin shpërblimin e merituar në qiell përgjthmonë. Unë, Jezu Krishti, Hyj dhe njeri i vërtetë, një me Atin dhe Shpirtin Shenjt, një Hyj përgjithmonë e jetës, e them këtë."