Krishti i flet nuses për një kalorës që dezerton nga ushtria e vërtetë, domethënë nga përvujtëria, bindja, durimi, besimi, etj. dhe për dënimin që e pret shkak të vullnetit dhe veprave të tij të këqija.
Libri 2 - Kapitulli 8

Unë jam Zoti i vërtetë. Nuk ka zot tjetër përveç Meje. Nuk ka patur zot para Meje e as do të ketë pas Meje. Çdo zotrillëk vjen prej Meje dhe nëpërmjet Meje. Prandaj Unë jam Hyji i vërtetë dhe asnjë përveç Meje nuk mund të quhet në të vëtetë Zot, pasi gjithë pushteti vjen prej Meje.
Më parë po të tregoja se Unë kisha dy shërbëtorë, njëri prej të cilëve iu përkushtua një mënyre të lavdërueshme jetese dhe qëndroi në të deri në fund. Plot të tjerë e pasuan në rrugën e shërbimit kalorsiak. Tani do të të tregoj rreth të parit që e braktisi shërbimin kalorsiak të themeluar nga miku Im. Nuk po ta tregoj emrin e tij pasi ti nuk e njeh me emër, por do të të rrëfej qëllimin dhe dëshirën e tij.

Njëri që dëshironte të bëhej kalorës erdhi në shenjtëroren Time. Kur u fut brenda, ai dëgjoi një zë: 'Tre gjëra i nevojiten atij që dëshiron të bëhet kalorës: Së pari, duhet të besojë se buka në altar është Hyj i vërtetë dhe njeri i vërtetë, Krijuesi i qiellit dhe tokës. Së dyti, pas bërjes së premtimeve kalorsiake, ai duhet të ushtrojë më shumë vetëpërmbajte se më parë. Së treti, nuk duhet të përpiqet për ndere tokësore. Në vend të tyre Unë do t’i jap gëzim hyjnor dhe nder të përjetshëm.

Kur dëgjoi këtë dhe po mendonte me vete, një zë i lig i kumboi në kokë duke i bërë tre propozime të kundërta me tre të parat. Ai tha: 'Nëse më shërben, të propozoj tre gjëra të tjera. Do të të lejoj të marrësh çfarë sheh, të dëgjosh ç’të pëlqen dhe të fitosh çfarë të duash.' Kur e dëgjoi këtë, ai mendoi me vete: 'Zotëria i parë më urdhëron të kem besim në diçka që nuk shoh dhe më premton gjëra të panjohura për mua. Më urdhëron të vetëpërmbahem nga kënaqësitë që shoh dhe të dëshiroj e shpresoj gjëra për të cilat nuk jam i sigurt. Zotëria tjetër më premton ndere tokësore që shihen dhe kënaqësitë që dua e nuk më ndalon të dëgjoj apo shoh gjëra që më pëlqejnë.

Patjetër që më leverdis ta ndjek atë dhe të kem çfarë shoh e t’i gëzohem gjërave të sigurta dhe jo të shpresoj gjëra për të cilat jam i pasigurt.' Me mendime të tilla ai u bë i pari që dezertoi nga shërbimi kalorsiak. E braktisi detyrën dhe nuk e mbajti premtimin. E flaku mburojën e durimit tek këmbët e Mia dhe e lëshoi nga dora shpatën e mbrojtjes së fesë e u largua nga shenjtërorja. Zëri lig i tha: 'Nëse, siç thashë, dëshiron të jesh i imi, atëherë duhet të ecësh kryelartë në fusha e rrugë. Ai Zotëria tjetër i urdhëron njerëzit të jenë gjithmonë të përvuajtur. Prandaj ki kujdes të mos lësh pas dore asnjë shenjë krenarie dhe mendjemadhësie! Ai Zotëria tjetër iu nënshtrua gjithmonë bindjes, ndërsa ti nuk duhet të lejosh askënd të bëhet eprori yt. Mos e ul kokën me përvujtëri përpara askujt. Rroke shpatën që ta derdhësh gjakun e të afërmit dhe vëllait tënd për t’i marrë pronën!

Shkule mburojën nga krahu dhe rrezikoje jetën për të fituar famë! Në vend të fesë që Ai predikon, jepja dashurinë tempullit të trupit tend, pa hequr dorë nga asnjë kënaqësi.' E ndërsa ky njeri po e ndante mendjen gjithnjë e më vendosshmërisht me mendime të tilla, princi i tij i vuri dorën në qafë në vendin e caktuar. Pas konfirmimit të kalorësisë, faqeziu e tradhëtoi shërbimin kalorsiak dhe e shfrytëzoi atë vetëm për krenari tokësore, edhe pse ishte i detyruar të të jetonte një jetë më të rreptë se më parë. Ushtri të panumërta kalorësish e imituan dhe akoma e imitojnë këtë kalorës në krenarinë e vet dhe ai është zhytur gjithnjë e më tepër në batak për shkak të betimeve kalorsiake.

Duke qenë se ka shumë njerëz që duan të ngrihen në pozitë e të fitojnë famë tokësore por nuk ia arrijnë qëllimit, ti mund të pyesësh: A do të dënohen këta njerëz për ligësinë e synimeve të tyre njëlloj si ata që e arrijnë suksesin e dëshiruar? Për këtë të përgjigjem: Të siguroj se ai që dëshiron pozitë në botë dhe bën ç’mundet për të fituar ndere tokësore, edhe nëse nuk e realizon qëllimin si pasojë e ndonjë vendimi Tim të fshehtë, do të ndëshkohet për ligësinë e synimit të vet njëlloj si ai që ia arrin ta realizojë qëllimin, me përjashtim të rastin kur e shlyen fajin me anë të pendesës.

Ja po të sjell shembullin e dy personave të njohur. Njëri prej tyre begatoi siç dëshironte. Tjetri kishte të njëjtën dëshirë, por jo të njëjtat mundësi. I pari fitoi famë tokësore e nuk i mohoi tempullit të trupit të tij asnjë kënaqësi epshore; pati pushtetin që dëshiroi; çdo gjë i eci mbarë. Tjetri ishtë identik me të në synim, por arriti të fitojë më pak famë. Ky do kishte qenë gati ta derdhte gjakun e të afërmit njëqind herë për të realizuar planet e tij lakmitare.

Bëri ç’mundej dhe vullnetin ia përkushtoi dëshirave të veta. Ndëshkimi i të dyve qe njëlloj i tmerrshëm. Edhe pse nuk vdiqën taman në të njëjtën kohë, Unë prapë mund të flas për një dhe jo dy shpirtra, pasi dënimi i tyre ishtë i njëjtë. Të dy kishin të njëjtën gjë për të thënë kur trupi dhe shpirti i tyre u ndanë nga njëri-tjetri. Pasi u nda nga trupi, shpirti tha: 'Thuamë, ku janë tani pamjet që më premtove për të kënaqur sytë, ku është kënaqësia që më tregove, ku janë fjalët e bukura që më the të përdorja?' Djalli iu përgjigj:

'Pamjet e premtuara janë pluhur, fjalët thjesht ajër, kënaqësia veç baltë dhe llum. Janë gjëra që nuk kanë më vlerë për ty.' Atëherë shpirti ia briti: 'Medet, medet, sa keq qenkam mashtruar! Po shoh tre gjëra.

Shoh Atë që m’u premtua në formë buke. Ai është vetë Mbreti i mbretërve dhe Zoti i zotërve. Shoh se çfarë Ai premtoi është e papërshkrueshme dhe e paimagjinueshme. Unë kuptoj se vetëpërmbajtja që Ai këshillon është vërtet shumë e dobishme.' Pastaj me një zë edhe më të lartë, shpirti bërtiti tre herë 'vaj': 'Vaj për mua që linda! Vaj për mua që jeta ime në tokë ishte aq e gjatë! Vaj për mua që do të jetoj në vdekje të përjetshme pambarim!'

Shiko ç’mjerim e pret faqeziun që përbuz Hyjin dhe i përkushtohet kënaqësive kalimtare! Prandaj duhet të më falenderosh, o nusja Ime, që të kam shpëtuar nga një mjerim i tillë! Bindju Shpirtit Tim dhe të zgjedhurve të Mi!"