Fjalë plot besim që nusja i drejton Krishtit. Gjon Pagëzori e siguron nusen se është Krishti që i flet asaj. Për lumturinë e të pasurve të mirë dhe për krahasimin e një ipeshkvi të pakujdesshëm me një majmun për shkak të marrëzisë dhe jetës së tij të ligë.
Libri 3 - Kapitulli 11

Nusja iu lut Krishtit përvujtërisht: "O Zoti im Jezu Krisht, kaq shumë besoj në Ty saqë që edhe sikur të ndodhej para gojës sime një gjarpër, besoj se do të hynte brenda saj nëse ti nuk do t’ia lejoje për të mirën time."

Gjon Pagëzori u përgjigj: "Ai që të shfaqet është vetë Biri i Hyjit prej natyre, Ai për të cilin unë vetë e dëgjova Atin të dëshmojë duke thënë: 'Ky është Biri Im.' Prej Tij rrjedh Shpirti Shenjt që u shfaq mbi Të ne formë pëllumbi kur po e pagëzoja. Fizikisht Ai i është Biri i Virgjërës. Ia preka trupin me duart e mia.

Beso fort në Të dhe hyr në jetën e Tij. Ai ka treguar udhën e vërtetë nëpërmjet të cilës të varfrit dhe të pasurit mund të shkojnë në qiell. Por ti mund të pyesësh ç’kushte duhet të plotësojë një i pasur për të hyrë në qiell, sepse vetë Hyji ka thënë se është më e lehtë që deveja të kalojë në vrimën e gjilpëres se i pasuri të hyjë në qiell? Për këtë të përgjigjem: Nëse një i pasur i trembet fitimeve të padrejta, nuk i shpenzon kot të mirat e tij apo kundër vullnetit të Hyjit, nuk jeton për pasuri dhe ofiqe dhe nuk do të hezitonte të ndahej prej tyre, merakoset për humbjen e shpirtrave dhe për çnderimin që i bëhet Hyjit dhe, edhe pse prej provanisë së Hyjit i ka takuar të ketë prona e pasuri, prapë gjithçka bën e bën nga dashuria për Hyjin, atëherë ai është i pasur që jep fryt, është i bekuar dhe që Hyji e do.

Por ky ipeshkëv nuk është i pasur i tillë. Ai është si majmun me katër tipare dalluese. I pari është një kostum që i kanë qepur e që i varet poshtë e i mbulon bustin por i lë krejtësisht zbuluar pjesët intime. I dyti është që ai prek gjëra të fëlliqura me gishta dhe i fut në gojë. I treti është se ai ka fytyrë prej njeriu, edhe pse gjithçka tjetër në të është shtazore. I katërti është se edhe pse ka duar dhe këmbë, ai shkel mbi pisllëqe me duar dhe gishta. Ky ipeshkëv i marrë është si majmun, kureshtar për kotësinë e botës, tepër i shformuar për të bërë vepra që meritojnë lëvdata.

Ai mban një kostum, domethënë veshjen ipeshkvnore, që është e nderueshme dhe e çmueshme në sytë e Hyjit, por i ka të zbuluara pjesët intime pasi karakteri i tij jo serioz dhe epshi fizik shihen nga të tjerët dhe shkaktojnë rrënimin e shpirtrave. Kjo bie në kundërshtim me atë që thotë ai kalorës fisnik për nderim më të madh që u jepet pjesëve më të turpshme të njeriut, duke nënkuptuar me këtë që instiktet shtazore të priftërinjve duhen fshehur me vepra të mira, që i dobëti të mos skandalizohet nga shembulli i tyre.

Gjithashtu majmuni prek dhe u mban erë gjërave të fëlliqura. Ç’bën njeriu me gisht përveçse tregon diçka që ka parë, ashtu si atëherë kur unë pashë Hyjin në natyrën njerëzore dhe e tregova me gisht duke thënë, 'Ja Qengji i Hyjit'? Cilët janë gishtat e ipeshkvit në mos virtytet e tij të lavdërueshme me anë të të cilave ai duhet të tregojë drejtësinë dhe dashurinë e Hyji?
Por përkundrazi veprat e këtij njeriu tregojnë se ai është me origjinë fisnike dhe i pasur, i urtë për gjëra tokësore dhe dorëlëshuar me paratë e veta. Ç’është kjo përveçse të prekësh fëlliqësira me gishta? Të krenohesh për pamjen fizike apo për një shtëpi të madhe a nuk është njëlloj si të krekosesh për gjëra të kota? Majmuni ka fytyrë prej njeriu por në çdo drejtim tjetër duket si shtazë.

Edhe ky njeri ka shpirt të stampuar me vulën e Hyjit, por të shformuar prej lakmisë së vet. Në radhë të katërt, ashtu si majmuni prek dhe shkel mbi ndyrësira me këmbë dhe duar, edhe ky njeri dëshiron gjërat e tokës me dëshirat dhe veprat e tij, duke e hequr vështrimin nga qielli e duke e ulur drejt tokës si kafshë e pamend. A mundet një njeri i tillë ta zbusë zemërimin e Hyjit? Jo, përkundrazi ai e nxit Hyjin të bëjë drejtësi ndaj tij."

SQARIM
Zbulesa që vijon ishte për një kardinal gjatë vitit jubilar. Biri i Hyjit thotë: "O debatues krenar, ku është pompoziteti yt, ku janë stolirat e tua kalorsiake tani? Ti nuk deshe të dëgjosh për sa kohë të nderonin. Prandaj tani të ka mbuluar turpi. Përgjigju pra pyetjes Sime, edhe pse Unë di gjithçka, ndërsa kjo nuse e re po dëgjon." E menjëherë si për magji u shfaq një person i katandisur mos më keq që dridhej e ish lakuriq. Gjykatësi i tha: "O shpirt, ti mësoje se bota dhe pasuritë e saj duhen përbuzur. Atëhere pse iu përkushtove atyre?"

Shpirti u përgjigj: "Sepse era e tyre e fëlliqur më dukej më e mirë se aroma Jote e këndshme." Me të thënë këtë, një djall derdhi mbi shpirtin një enë me squfur dhe helm. Prapë gjykatësi foli: "O shpirt, ti u vendose lart që të ishe llampë ndriçuese për njerëzit, pse nuk ndriçove me fjalë dhe vepra?" Shpirti u përgjigj: "Sepse dashuria për Ty ishte shuar në zemrën time. Unë vërdallisesha si njeri që e ka humbur kujtesën dhe si endacak, në kërkim të gjërave të momentit dhe pa menduar për të ardhmen." Pasi shpirti tha kështu, atij i iku drita e syve. Djalli i pranishëm tha: "O gjykatës, ky shpirt më përket. Ç’të bëj?" Gjykatësi tha: "Pastroje dhe kontrolloje si në një shtrydhëse rrushi derisa të mbahet koncili ku do të diskutohen akuzat e miqve dhe të armiqve."