Nusja i flet Krishtit, duke u lutur për ipeshkvin e sipër-përmendur. Përgjigjet që Krishti, Virgjëra dhe Shën Anjeza i japin nuses.
Libri 3 - Kapitulli 12

O Zoti im, unë e di se askush nuk mund të hyjë në qiell nëse nuk e tërheq Ati. Prandaj, At i shtrenjtë, tërhiqe tek Ti këtë ipeshkëv të sëmurë. Dhe Ti, Biri i Hyjit, ndihmoje nëse ai përpiqet. Dhe Ti, Shpirti Shenjt, mbushe këtë ipeshkëv të ftohtë dhe bosh me dashurinë Tënde."

Hyji Atë përgjigjet: "Nëse ai që tërheq diçka është i fortë por çka tërhiqet është shumë e rëndë, përpjekja e tij shpej shkon dëm dhe nuk ka rezultat. Përveç kësaj, nëse ai që tërhiqet është i lidhur, atëherë ai nuk ndihmon dot as veten as atë që e tërheq. Nëse ai që tërhiqet është i papastër, atëherë ai është i neveritshëm për atë që e tërheq dhe i afrohet. Ky ipeshkëv sillet si një njeri që gjendet në udhëkryq e përpiqet të vendosë cilën rrugë të ndjekë."

Nusja u përgjigj: "O Zoti im, a nuk është shkruar se asnjë nuk qëndron në vend në këtë jetë por ose përparon drejt më të mirës ose drejt asaj që është më e keqe?"
Ati u përgjigj: "Që të dyja këto gjëra mund të thuhen këtu, sepse ky njeri qëndron si t’ishte mes dy rrugëve, njëra rrugë gëzimi tjetra trishtimi. Tmerri i ndëshkimit të përjetshëm e trazon atë dhe ai do të donte të fitonte gëzimin qiellor. E megjithatë, ai mendon se rruga që çon në gëzim është shumë e vështirë për t’u përshkuar. Por patjetër që fillon të ecë kur shkon pas gjërave që i dëshiron me pasion."

E bekuara Anjezë thotë: "Ky ipeshkëv sillet si një njeri që qëndron mes dy rrugëve. Ai e dinte se njëra prej tyre ishte e ngushtë në fillim por e bukur në fund; ai e dinte se tjetra ishte e këndshme për një farë kohe, por përfundonte në një humnerë ankthi pafundësisht të thellë. Ndërsa udhëtari mendonte për këto dy rrugë, e tërhoqi më tepër rruga që ishte e këndshme në fillim. Por meqenëse kishte frikë nga humnera, i lindi kjo ide. Ai tha: 'Në rrugën e këndshme duhet të ketë ndonjë shteg që i bie shkurt. Nëse e gjej, mund të vazhdoj të eci në të për një kohë të gjatë dhe kur të arrij tek humnera në fund, nëse e gjej shtegun, jam i fituar' E kështu ai eci i sigurt përgjatë rrugës por, kur iu afrua humnerës, ra brenda saj pasi nuk e gjeti shtegun që pati shpresuar.

Në ditët e sotme ka shumë njerëz që mendojnë si ky njeri. Ata mendojnë me vete si vijon. Ata thonë: 'Është e lodhshme të përshkosh udhën e ngushtë. Është e vështirë të heqësh dorë nga vullneti vetjak dhe privilegjet.' Në këtë mënyrë ata vënë tek vetvetja besim të rremë dhe të rrezikshëm. Ata thonë: 'Rruga është e gjatë. Mëshira e Hyjit është e madhe. Bota është e këndshme dhe është bërë për t’u shijuar. Asgjë s’më pengon ta shijoj botën për ca kohë siç më pëlqen, pasi kam ndërmend ta ndjek Hyjin në fund të jetës sime. Në fund të fundit, ekziston një lloj shtegu që të nxjerr nga rruga e botës, domethënë pendesa dhe rrëfimi. Nëse ia dal mbanë, do të shpëtoj.'

Mendimi se njeriu mund të vazhdojë ta dëshirojë mëkatin deri në fund të jetës dhe pastaj të shkojë të rrëfehet është një shpresë tepër e dobët sepse ata bien në humnerë më shpejt se ç’e presin. Ka raste edhe kur kanë dhimbje të mëdha dhe vdesin papritur saqë nuk kanë kohë të pendohen në mënyrë të frytshme. Mirë t’u bëhet. Pasi kur mundeshin, nuk donin të mendonin për të këqijat që u kanoseshin, por arbitrarisht vendosën afate për mëshirën e Hyjit si deshën vetë. Nuk vendosën të mos mëkatonin për sa kohë mund të vazhdonin të mëkatonin. Në të njëjtën mënyrë, ky ipeshkëv qëndronte mes këtyre dy rrugëve. Por tani ai po i afrohet gjithnjë e më tepër rrugës së kënaqësive trupore. Është sikur para tij të gjenden tre faqe që duhen lexuar.

Ai e lexon dhe rilexon faqen e parë me kënaqësi, por faqen e dytë e lexon ndonjëherë dhe pa kënaqësi, ndërsa të tretën e lexon vetëm rrallë dhe këtë e bën me trishtim. Faqja e parë simbolizon pasurinë dhe privilegjet që ai gëzon. E dyta është frika nga Xhehenemi dhe gjykimi i ardhshëm që e trazon. E treta është dashuria për Hyjin dhe frika prej Tij që ai rrallë i sjell ndërmend. Nëse do të sillte ndërmend gjithçka që Hyji ka bërë për të apo që Ai i ka dhënë, dashuria për Hyjin kurrë nuk do të shuhej në zemrën e tij."

Nusja u përgjigj: "O Zojë, lutu për të." Dhe pastaj e bekuara Anjezë tha: "Cili është roli i drejtësisë përveçse të gjykojë dhe cili është roli i mëshirës përveçse të japë zemër?" Nëna e Hyjit thotë: "Ipeshkvit do t’i thuhet kështu: Edhe pse Hyji mund të bëjë gjithçka, prapë bashkëpunimi i njeriut është i nevojshëm për të shmangur mëkatin dhe për të fituar dashurinë e Hyjit. Ka tre mënyra për të shmangur mëkatin dhe tre mënyra për të fituar dashurinë. Tre me të cilat shmanget mëkati janë: Pendesë e përsosur; e dyta, synimi për të mos mëkatuar më; e treta, përmirësimi i jetës sipas këshillave të atyre që dihet se kanë hequr dorë nga bota. Tre mënyrat që veprojnë së bashku për të fituar dashurinë janë përvujtëria, mëshira dhe përpjekja për të dashur. Kushdo që thotë qoftë edhe një “Ati ynë” për të fituar dashurinë e Hyjit, shpejt do ta përjetojë dashurinë e Hyjit.

Përsa i përket ipeshkvit tjetër, për të cilin po të flisja më parë, si përfundim duhet të them se humnerat janë shumë të mëdha për t’u kapërcyer, muret shumë të larta për të dalë jashtë, hekurat shumë të forta për t’u thyer. Jam këtu duke e pritur, por ai e kthen kokën tej drejt aktiviteteve të tre grupe njerëzish që atij i pëlqen t’i ndjekë. Grupi i parë është kori i vallëzimit. Ai u thotë atyre: 'Më pëlqen t’ju dëgjoj, më prisni!' Grupi i dytë merret me spekullime. Ai u thotë: 'Dua të shoh çka shihni ju – më pëlqen shumë kjo gjë.' Grupi i tretë dëfrehet dhe çlodhet dhe ai dëshiron të gëzojë privilegje e qetësi me ta.

Të jesh kor vallëzues në botë s’do të thotë tjetër përveçse të kalosh nga një gëzim kalimtar tek tjetri, nga një dëshirë për nder tek tjetra. Të rrish të spekullosh nuk do të thotë gjë tjetër përveçse ta largosh shpirtin nga soditja hyjnore dhe të mendosh për grumbullimin dhe shpërndarjen e të mirave të përkohshme. Të çlodhesh në qetësi nuk do të thotë gjë tjetër përveçse të çlodhesh fizikisht. Duke ndjekur këto tre turma, ipeshkvi i është ngjitur një mali të lartë e nuk do t’ia dijë për fjalët që i kam dërguar dhe as për kushtet e mesazhit tim sipas së cilave nëse ai e mban premtimin e vet, edhe unë do ta mbaj timin."

Nusja përgjigjet: "O Nënë e Mirë, mos e braktis atë!" Nëna i thotë asaj: "Nuk do ta braktis deri kur pluhuri të kthehet në pluhur. Madje do të bëj edhe më shumë se kaq, nëse ai kalon përmes hekurave, do të dal ta takoj si shërbëtore dhe ta ndihmoj si nënë." Dhe Nëna shtoi: "A e imagjinon, bijë, se cili do të kish qenë shpërblimi i kanonikut të Orleansit nëse ipeshkvi i tij do të ish kthyer në udhë të drejtë? Ta them unë: Ti sheh se toka ka barëra dhe lule të llojeve të ndryshme. Po ashtu, nëse çdo njeri do të kish qëndruar siç duhet në postin e vet qysh nga fillimi i botës, atëherë çdo njeri do të kishte marrë një shpërblim të madh, pasi kushdo që është në Hyjin do të kish kaluar nga një gëzim tek tjetri, jo prej mërzisë por prej kënaqësisë gjithnjë e më të madhe dhe ripërtëritjes së gëzimit të papërshkrueshëm."

SQARIM
Ky ishte ipeshkvi i Vaksjosë. Kur ndodhej në Romë, ai mendonte i merakosur për kthimin. Në shpirt u dëgjua: "Thuaji ipeshkvit se vonesa e tij është më e dobishme se nxitimi. Ata që e shoqëronin dhe janë nisur përpara, do të arrijnë pas tij. Kur të kthehet në vendin e tij do të shohë se fjalët e mia janë të vërteta." Dhe kështu ndodhi. Kur u kthye ai e gjeti mbretin të marrë rob dhe krejt mbretërinë në kaos. Ata që e shoqëronin e ishin nisur para tij ishin bllokuar rrugës për një kohë të gjatë dhe arritën pas tij. "Ta dish edhe se zonja që e shoqëronte ipeshkvin do të kthehet shëndoshë e mirë por nuk do të vdesë në atdheun e saj." Dhe kështu ndodhi, pasi ajo shkoi për herë të dytë në Romë dhe vdiq e u varros atje.
RRETH PO TË NJËJTIT IPESHKËV
Kur zonja Brixhidë zbriti nga mali Gargano në qytetin e Manfredonias të mbretërisë së Sicilisë, shoqërohej nga po ai ipeshkëv. Në mal ndodhi që ai u rrëzua nga kali dhe theu dy brinjë. Kur në mëngjes zonja po dilte për të shkuar tek Shën Nikolla i Barit, ai e thirri dhe i tha: "Zonjë, e kam shumë të vështirë të qëndroj këtu pa ju. Gjithashtu më vjen keq që ju duhet të vonoheni për hatrin tim, veçanërisht gjatë vazhdimit të këtyre luftimeve. Ju kërkoj," tha ai, "për hir të Jezu Krishtit, t’i luteni Hyjit për mua dhe ta vini dorën aty ku më dhemb!

Shpresoj se dhimbja do të më zbutet nga prekja e dorës suaj." Me lot në sy, ajo iu përgjigj me dhembshuri: "Zotëri, e konsideroj veten një hiç, pasi jam mëkatare e madhe para Hyjit. Por le t’i lutemi të gjithë Hyjit dhe ai do t’i përgjigjet fesë suaj." Ata u lutën dhe kur ajo u ngrit preku gjoksin e ipeshkvit duke thënë: "Zoti Jezu Krisht ju shëroftë." Menjëherë dhimbja u fashit. Dhe ipeshkvi u ngrit dhe e shoqëroi deri në Romë.