Nëna i tregon bijës për fjalët dhe veprat e Krishtit të cilat i krahason me një thesar, natyrën e Tij hyjnore e krahason me një kështjellë, mëkatin me hekurat, ndërsa bukurinë e botës dhe gëzimin nga miqësitë i krahason me dy hendeqe. Ipeshkvi duhet të përkujdeset për shpirtrat.
Libri 3 - Kapitulli 13

Nëna i flet nuses së Birit të saj dhe thotë: "Ky ipeshkëv më lutet me dashuri dhe për këtë arësye ai duhet të bëjë çfarë mua më pëlqen më shumë. Ka një thesar që unë e di se kushdo që e bën të vetin kurrë nuk do të jetë i varfër, kushdo që e sheh kurrë nuk do të provojë ankth dhe vdekje dhe kushdo që e dëshiron do të ketë me gëzim gjithçka që do. Thesari është kyçur pas katër hekurave në një kështjellë të fortifikuar. Jashtë kështjellës gjendet një goxha mur. Përtej mureve janë dy hendeqe të gjerë dhe të thellë. I kërkoj ipeshkvit që t’i kapërcejë të dy hendeqet me një kërcim të vetëm, t’i kalojë muret vetëm me një të hedhur dhe të kalojë mes hekurave vetëm me një të goditur e të më sjellë gjënë që më pëlqen më shumë.

Tani do të tregoj kuptimin e gjithë kësaj. Kur përdorni fjalën 'thesar', ju keni parasysh diçka që përdoret dhe lëvizet rrallë. Në këtë rast thesari janë fjalët e vyera të të shtrenjtit Birit tim, veprat që Ai kreu gjatë dhe para pasionit të Tij dhe mrekullitë që bëri kur Fjala u bë njeri në trupin tim dhe që vazhdon t’i bëjë kur, me fjalën e Hyjit, buka në altar shndërrohet çdo ditë në po atë trup. Të gjitha këto janë një thesar i vyer por që po neglizhohet dhe është harruar e ka shumë pak vetë që e kujtojnë apo përfitojnë prej tij. Trupi i lavdishëm i Hyjit Birit tim gjendet në një kështjellë të fortifikuar, domethënën në fuqinë e natyrës së Tij hyjnore. Ashtu si kështjella shërben për t’u mbrojtur nga armiqtë, po ashtu fuqia e natyrës hyjnore të tim Biri shërben për të mbrojtur trupin e natyrës së Tij njerëzore nga armiku. Katër hekurat janë katër mëkatet që i përjashtojnë shumë njerëz nga pjesëmarrja në trupin e Krishtit, nga mirësia dhe fuqia e Tij.

Mëkati i parë është krenaria dhe dëshira për famë tokësore. I dyti është dëshira për të mirat e kësaj bote. I treti është epshi i neveritshëm për të ngopur trupin pa fre. I katërti është zemërimi, zilia dhe neglizhenca në lidhje me shpëtimin personal. Shumë njerëz i duan pa masë këto katër mëkate dhe i bëjne normalisht, gjë që i largon shumë prej Hyjit. Ata e shohin dhe marrin Trupin e Hyjit, por shpirti i tyre ndodhet larg Hyjit njëlloj siç ndodhen larg cubat nga objekti që duan të plaçkisin kur rruga që i çon atje është bllokuar me hekura të fortë.

Prandaj thashë se ai duhet të kalojë përmes hekurave me një goditje të vetme. Goditja simbolizon zellin për shpirtrat, zell që e shtyn t’i godasë shpirtrat me vepra drejtësie nga dashuria për Hyjin, në mënyrë që të thyejë hekurat e vesit për t’i hapur rrugën mëkatarit për tek thesari i vyer. Edhe pse ai nuk mund të godasë çdo mëkatar, ai duhet të bëjë çka mundet dhe duhet të bëjë, veçanërisht për ata për të cilët është përgjegjës, pa lënë pas dore as të madh as të vogël, as fqinj as të afërm, as miq as armiq. Këtë bëri Shën Toma i Anglisë. Ai vuajti shumë për hir të drejtësisë dhe vdekja e tij qe e rëndë sepse nuk hezitoi t’i godiste trupat me drejtësinë e kishës për të mirën e tyre.

Ipeshkvi duhet të imitojë jetën e Tomës që kushdo që e merr vesh ta kuptojë se ai i urren mëkatet e veta dhe mëkatet e të tjerëve. Goditja e zellit hyjnor pastaj do të dëgjohet kudo në qiell para Hyjit dhe engjëjve të Tij. Atëherë shumë do të kthehen në udhë të drejtë duke thënë: 'Ai nuk na urren ne por mëkatet tona.' Ata do të thonë: 'Le të pendohemi e do të bëhemi miq të Hyjit dhe të ipeshkvit.'

Tre muret që e rrethojnë kështjellën janë tre virtytet. Virtyti i parë është heqja dorë nga kënaqësitë trupore dhe bërja e vullnetit të Hyjit. I dyti është durimi i qortimeve dhe mallkimeve për hir të së vërtetës dhe të drejtësisë, duke i thënë jo fitimit të ndereve dhe pasurive tokësore në kurriz të së vërtetës. I treti është gatishmëria për të dhënë jetën dhe zotërimet për hir të shpëtimit të cilitdo të krishteri. Por shih se ç’bëjnë njerëzit në ditët e sotme. Ata mendojnë se këta mure janë shumë të lartë për t’u kapërcyer.

As zemrat as shpirtrat e tyre nuk i afrohen trupit të lavdishëm me besnikëri, pasi ata janë larg Hyjit. Prandaj i thashë mikut tim t’i kapërcejë muret më një kërcim të vetëm. Ju quani kërcim distancimin e këmbëve nga njëra-tjetra për ta lëvizur trupin shpejt. I tillë është kërcimi shpirtëror pasi, kur trupi është në tokë dhe zemra në qiell, tre muret kapërcehen shpejt. Nëse njeriu mediton për gjërat qiellore, atëherë nuk heziton të heqë dorë nga vullneti i vet e të durojë refuzime dhe persekutim për hir të drejtësisë, i gatshëm të vdesë për lavdinë e Hyjit.

Dy hendeqet matanë murit përfaqësojnë bukurinë e botës dhe gëzimin që sjellin miqësitë tokësore. Ka shumë njerëz që nuk i shqetësojnë këto hendeqe, pa dashur t’ia dinë nëse do e shohin apo jo Hyjin në qiell. Hendeqet janë të gjera dhe të thella, të gjera sepse vullneti i këtyre njerëzve është larg Hyjit dhe të thella sepse i bllokojnë shumë njerëz në honet e ferrit. Prandaj hendeqet duhen kapërcyer me një të hedhur të vetme. Hedhja shpirtërore nuk është tjetër gjë përveç shkëputjes krejtësisht të zemrës nga gjërat boshe dhe kalimit nga të mirat tokësore në mbretërinë e qiellit.

Tregova si mund të kalohet përmes hekurave dhe si kapërcehen muret. Tani do të të tregoj si ky ipeshkëv duhet të më sjellë gjënë më të shtrenjtë. Natyra hyjnore e Hyjit ka qenë dhe është qysh nga përjetësia pa fillim, pasi as fillim as fund nuk mund të gjenden në të. Por natyra e Tij njerëzore ishte në trupin tim dhe mori trup dhe gjak prej meje. Prandaj është gjëja më e çmueshme që ka qenë dhe është. Po kështu, kur shpirti i drejtë merr trupin e Hyjit me dashuri dhe kur trupi i Tij e mbush shpirtin, atëherë ai ka gjënë më të shtrenjtë që ka qenë ndonjëherë. Edhe pse natyra hyjnore ekziston në tre Persona pa fillim dhe pa fund në vetvete, kur Hyji dërgoi Birin e Vet tek unë me natyrën hyjnore dhe Shpirtin Shenjt, Ai mori trupin e bekuar prej meje. Tani do t’i tregoj ipeshkvit sesi duhet sjellë përpara Zotit kjo gjë e çmueshme. Sa herë që miku i Hyjit has një mëkatar fjalët e të cilit tregojnë se ai ka pak dashuri për Hyjin dhe shumë dashuri për botën, ta dijë se ai shpirt është bosh, pa Hyjin.

Po kështu miku i Hyjit tregon dashuri për Hyjin kur i vjen keq që një shpirt i shëlbuar nga gjaku i Krijuesit është armik i Hyjit. Ai duhet të tregojë keqardhje për shpirtin fatkeq duke përdorur, si të thuash, dy zëra për të: një me të cilin ai i lutet Hyjit të ketë mëshirë për shpirtin dhe tjetrin me të cilin i tregon shpirtit për rrezikun që i kanoset. Nëse ai i pajton dhe i bashkon të dy, Hyjin dhe shpirtin, atëherë duart e dashurisë së tij i bëjnë Hyjit dhuratën më të çmueshme, pasi gjëja më e shtrenjtë për mua është kur trupi i Hyjit që dikur i shte brenda meje dhe shpirti njerëzor që Hyji ka krijuar bashkohen në miqësi.

Kjo nuk ka pse të të çudisë. Ti e di mirë se unë isha e pranishme kur Biri im, kalorësi i madh, doli nga Jeruzalemi për të luftuar një betejë aq brutale dhe të vështirë saqë të gjithë tejzat e krahëve i u dëmtuan. Shpina i u përgjak dhe mavijos, këmbët iu shpuan nga gozhdët, sytë dhe veshët iu gjakosën. Koka i u var kur dha shpirt. Zemra i u ça nga maja e një heshte. I fitoi shpirtat duke vuajtur shumë. Ai që tani banon në lavdi u shtrin krahët njerëzve, por janë pak ata që i sjellin Atij nusen e Vet. Për pasojë miku i Hyjit nuk duhet ta kursejë as jetën as zotërimet e veta për të ndihmuar të tjerët dhe e ndihmon veten kur i sjell të tjerët Birit tim.

Thuaji këtij i peshkvi se duke qenë se lutet për të patur miqësinë Time, do të lidhem me të me lidhjen e fesë. Trupi i Hyjit, që dikur i shte brenda meje, do ta mirëpresë shpirtin e tij me dashuri të madhe. Ashtu si Ati ishte në mua bashkë me Birin që kish trupin dhe shpirtin tim, dhe si Shpirti Shenjt që ështe në Atin dhe Birin ishte kudo me mua dhe kishte Birin tim brenda Tij, edhe shërbëtori im do të lidhet me të njëjtin. Nëse i do vuajtjet e Hyjit dhe ka trupin e Tij të çmuar në zemër, atëherë ai do të ketë natyrën njerëzore të Hyjit që ka natyrën e hyjinore brenda dhe jashtë tij. Duke qenë se shërbëtori im dhe unë bashkëndajmë të njëjtin Hyj, do të bashkëndajmë edhe një lidhje dashurie dhe një Shpirt të Shenjtë që është Hyj me Atin dhe me Birin.

Edhe diçka tjetër: Nëse i peshkvi e mban premtimin, unë do ta ndihmoj gjatë jetës. Në fund të jetës unë do ta ndihmoj dhe asistoj dhe do ta çoj shpirtin e tij para Hyjit, duke thënë: Hyji im, ky njeriu më shërbeu dhe m’u bind dhe prandaj ta paraqes shpirtin e tij!' O bijë, për çfarë mendon një njeri kur përçmon shpirtin e vet? Vallë Hyji Atë në hyjninë e Vet të pamatë do ta kishte lënë Birin e Tij të pafajshëm të vuante aq shumë në natyrën e Vet njerëzore nëse Ai nuk do të kishte një dëshirë dhe dashuri të vërtetë për shpirtrat dhe për lavdinë e përjetshme që kishte përgatitur për ta?" Kjo zbulesë ka të bëjë me ipeshkvin e Linkopingut që më vonë u bë arqipeshkëv. Ka prapë për këtë i peshkëv në Librin 6, kapitulli 22, që fillon me: "Ky prelat."

SHTOJCË PËR TË NJËJTIN PERSON
"Ipeshkvi, për të cilin ti qan, vuajti pak në purgator. Të jesh e sigurtë se edhe pse në botë ai kishte shumë që e pengonin, ata e kanë marrë tani ndëshkimin dhe ai do të përlëvdohet në sajë të fesë dhe pastërtisë së tij."