Nëna i flet bijës për një ipeshkëv të cilin e krahason me një flutur, përvujtërinë dhe krenarinë e tij i krahason me dy flatrat e fluturës, tre maskat që mbulojnë veset e ipeshkvit me tre ngjyrat e insektit, veprat e tij me trashësinë e ngjyrave, vullnetin e tij dyfaqësh me dy antenat e fluturës, grykësinë e tij me gojën e saj, dashurinë e tij të vogël me trupin e saj piciruk.
Libri 3 - Kapitulli 14

Nëna i flet nuses së Birit dhe i thotë: "Ti i përngjan një enë që i zoti e mbush dhe mësuesi e zbraz. Por ty të mbush dhe të zbraz i njëjti person. Kur dikush përzien verë, qumësht dhe ujë në një enë, ai do të quhej mësues i shquar nëse do të arrinte më pas t’i ndante veç e veç lëngjet e përzier. Këtë kam bërë dhe po bëj me ty unë, Nëna dhe Mësuesja e gjithë njerëzimit. Një vit e gjysëm më pare të janë thënë lloj-lloj gjërash që tani duken të gjitha sikur të ishin përzier në shpirtin tënd e nuk do të shijonin sikur të zbrazeshin të gjitha bashkë, pasi nuk do të merreshin vesh. Prandaj unë gradualisht i ndaj veç e veç, siç e shoh të udhës.

A e mban mend që të pata dërguar tek një ipeshkëv që e quajta shërbëtorin tim? Le ta krahasojmë me një flutur me dy flatra të gjëra ngjyrë bardhë, kuq dhe blu. Kur e prek, pigmenti të ngjit në gisht si hi. Insekti ka trup të vogël por gojë të madhe, dy antena në ballë dhe një vend të fshehtë në bark nga ku nxjerr mbeturinat trupore. Flatrat e këtij insekti, domethënë krahët e ipeshkvit, janë përvujtëria dhe krenaria. Nga jashtë ai duket i përvuajtur me fjalë dhe gjeste, i përvuajtur në veshje dhe vepra, por në zemër dryen krenari që e bën t’i duket vetja kushedi çfarë e të mbahet me të madh, dëshiron që njerëzit ta respektojnë, i gjykon të tjerët dhe veten e konsideron më të mirin. Me këta dy krahë ai fluturon para njerëzve duke u hequr si i përvuajtur që të fitojë simpatinë e tyre dhe ta mbajnë në gojë dhe krenaria e bën që ta mendojë veten më të shenjtë se të tjerët.

Tre ngjyrat e flatrave simbolizojnë tre maskat që mbulojnë veset e tij. Ngjyra e kuqe do të thotë se ai vazhdimisht flet për vuajtjet e Krishtit dhe mrekullitë e shenjtërve që ta kujtojnë njeri të shenjtë, por ata në vërtetë janë larg zemrës së tij pasi nuk i pëlqejnë fort. Ngjyra blu do të thotë se, së jashtmi, ai duket sikur nuk do t’ia dijë për të mirat tokësore, sikur bota për të nuk ekziston dhe sikur është i dhënë i tëri pas gjërave qiellore. Por kjo ngjyrë e dytë nuk e bën më të qëndrueshëm përpara Hyjit se e para. Ngjyra e bardhë nënkupton se ai është rregulltar në veshje dhe i lavdërueshëm në sjelljet e veta. Megjithatë, ngjyra e e tretë mbart po aq magji dhe përsosmëri sa dy të parat. Ashtu si pigmenti i fluturës është i trashë dhe të mbetet në gishta duke mos lënë mbrapa asgjë përveç një substance prej hiri, ashtu edhe veprat e tij në pamje janë tërheqëse pasi ai preferon vetminë, por janë boshe dhe pavlerë në drejtim të dobisë që i sjellin atij, pasi ai nuk është i sinqertë e as do çka ia vlen të duhet.

Dy antenat përfaqësojnë vullnetin e tij dyfaqësh. Ja, ai dëshiron të jetojë rehatisht në botë dhe të ketë jetën e përjetshme pas vdekjes. Ky ipeshkëv është taman si flutur, mendon se mund të mbajë qiellin me një antenë dhe tokën me tjetrën, edhe pse nuk duron dot as edhe më të voglën vështirësi për lavdinë e Hyjit. Kështu ai mbështetet në kishën e Hyjit dhe mendon se mund t’i sjellë dobi asaj me fjalën dhe shembullin e vet, sikur kisha nuk mund të bënte pa të. Ai kujton se veprat e tij të mira do të ndikojnë shpirtërisht për mirë tek njerëzit mondanë. Pra ai arësyeton si një ushtar që e ka mbaruar betejën. 'Duke qenë se,' thotë ai, 'tashmë më mbajnë për të devotshëm dhe të përvuajtur, pse duhet të cfilitem më shumë? Edhe nëse mëkatoj me ca kënaqësira të vogla pa të cilat jeta do të ishte e trishtueshme, prapë më falen për hir të meritave që kam dhe veprave që kam kryer. Nëse qielli mund të fitohet për një gotë uji të ftohtë, pse u dashka bërë më tepër?'

Flutura ka edhe një gojë të madhe, por grykësia e saj është akoma më e madhe saqë po të mundej t’i hante të gjitha mizat e t’i shpëtonte vetëm njëra, do të donte ta përlante edhe atë. Në të njëtën mënyrë edhe ky nëse do të mundej t’u shtonte një kacidhe parave të shumta që ka, pa rënë në sy, do ta merrte e prapë oreksi i grykësisë së tij nuk do të shuhej.

Gjithashtu flutura ka edhe një dalje për zbrazjen e papastërtive. Edhe ky njeri shfryn e i zbraz pa u matur zemërimin dhe padurimin e kështu papastërtitë e tij të fshehta dalin sheshit para të tjerëve. E ashtu si flutura ka trup të vogël, ky njeri ka pak dashuri." Nusja u përgjigj: "Nëse ai ka qoftë edhe një grimë të vetme dashurie, ka gjithmonë ca shpresë për jetë dhe shpëtim për të." Nëna tha: "Vallë nuk i kishte mbetur edhe Judës ca dashuri kur, pasi tradhtoi Zotin e vet, tha: 'Mëkatova që tradhtova gjakun e pafajshëm'? Donte të dukej sikur kish dashuri, por nuk kish fare."