Nëna i flet bijës për një tjetër ipeshkëv që alegorikisht e përshkruan si zekth, llafollogjinë e tij si fluturim, dy preokupimet e tij si flatra, lajkat që i bën botës si thumb. Virgjëra çuditet me jetën e këtyre dy ipeshkvinjve. Rreth predikuesve.
Libri 3 - Kapitulli 15

Nëna i flet përsëri nuses duke thënë: "Të tregova edhe një ipeshkëv tjetër të cilin e quajta bariu i grigjës. Le ta krahasojmë me një zekth ngjyrë dheu që fluturon zhurmshëm sa andej këtej. Kudo që shkon, pickimi i tij është i tmerrshëm dhe i dhimbshëm. Ky ipeshkëv ka ngjyrë toke sepse, edhe pse është thirrur të jetojë në varfëri, do të donte më mirë të ishte i pasur dhe jo i varfër, të ishte epror dhe jo vartës, të bënte vullnetin e vet dhe jo të disiplinohej duke iu bindur të tjerëve. Ai fluturon zhurmshëm në kuptimin që është llafolog në predikimet shpirtërore e mban leksione rreth kotësive tokësore dhe jo doktrinës shpirtërore, duke lëvduar dhe ndjekur kotësitë tokësore dhe jo thjeshtësinë e shenjtë të rregullit të cilit i përket.

Ka edhe dy flatra, domethënë dy ide: E para është dëshira për t’u mbajtur njerëzve ligjërata mahnitëse dhe lajkatare për të fituar simpatinë e tyre. E dyta është dëshira që gjithkush të mos e kundërshtojë por t’i bindet. Pickimi i zekthit është i padurueshëm. Po ashtu ky njeri i pickon shpirtrat për vdekje. Dhe edhe pse duhet të jetë doktor shpirtrash, nuk u tregon shpirtrave që vijnë tek ai për rrezikun dhe sëmundjen e tyre e as përdor bisturi të mprehtë, por i merr me të mirë që ta mbajnë për të butë e të mos largohen prej tij. Këta dy ipeshkvinj janë shumë të çuditshëm. Njëri prej tyre hiqet si i varfër, vetmitar dhe i përvuajtur që ta mbajnë për njeri të përshpirtshëm. Tjetri dëshiron ta ketë gjithë botën të vetën që ta mbajnë për të mëshirshëm dhe bujar. Njëri dëshiron të duket sikur nuk ka asgjë, por fshehurazi dëshiron të ketë gjithçka. Tjetri haptazi dëshiron të ketë sa më shumë në mënyrë që të mund të japë dhe të fitojë simpatinë e të tjerëve. Prandaj, siç thotë proverbi, duke qenë se më shërbëjnë në mënyrë të padukshme për mua (sepse nuk e pranoj), do t’i shpërblej në mënyrë të padukshme për ta.

Çuditesh pse njerëz të tillë lëvdohen për mënyrën si predikojnë? Ta them unë: ndonjëherë ndonjë i keq u flet të mirëve dhe Shpirti i Hyjit zbret tek ta, jo prej mirësisë së mësuesit por në sajë të fjalëve të mësuesit ku gjendet Shpirti i Hyjit, për të mirën e dëgjuesve. Ndonjëherë një i mirë u flet të këqijnve që bëhen të mirë kur e dëgjojnë si për shkak të Shpirtit të Hyjit ashtu edhe prej mirësisë së mësuesit. Ndonjëherë një njeri i ftohtë u flet njerëzve të ftohtë në mënyrë të tillë që këta dëgjues të ftohtë i tregojnë çka kanë dëgjuar njerëzve të zellshëm që nuk kanë qenë aty e kjo i bën këta të fundit edhe më të zellshëm. Prandaj mos u shqetëso se tek ç’lloj njerëzish të takon të shkosh. I mrekullueshëm është Hyji që e shkel arin me këmbë dhe i lëshon rrezet e diellit mbi baltë!"