Virgjëra lëvdon jetën dhe rregullin e Shën Dominikut. Si ai iu drejtua Virgjërës në prag të vdekjes dhe si në kohët e sotme fretërit e tij kanë shenjën e pasionit të Krishtit që u dha Dominiku, por shumë prej tyre jetojnë me shenjën që u ka vulosur djalli.
Libri 3 - Kapitulli 17

Prapë Nëna i flet nuses dhe thotë: "Dje të tregova për dy vetë që i përkisnin urdhrit të Shën Dominikut. Dominiku e konsideronte Birin tim si Zotërine e tij të shtrenjtë dhe më donte mua Nënën e tij më tepër se vetveten. Im Bir i dha të kuptojë këtij njeriu të shenjtë se ka tre gjëra në botë që nuk i pëlqejnë tim Biri: krenaria, lakmia dhe epshi. Me psherëtima dhe përgjërime, Shën Dominiku siguroi ndihmë dhe ilaç për luftimin e këtyre tre të këqijave. Hyji u prek nga lotët e tij dhe e frymëzoi të ngrejë një rregull të kodifikuar jetese ku ky shenjtor i kundërvuri tre virtyte tre të këqijave të botës.

Për të luftuar vesin e lakmisë, ai përcaktoi se askush nuk duhej të zotëronte diçka pa lejen e eprorit. Për të mposhtur krenarinë vendosi që veshja duhej të ishte e përvuajtur dhe e thjeshtë. Kundër grykësisë së pafund të mishit, ai caktoi vetëpërmbajtjen dhe orare për praktikimin e vetëdisiplinimit. Caktoi një epror mbi fretërit që të ruannte paqen dhe bashkimin.

Me dëshirën për t’u dhënë fretërve një shenjë shpirtërore, ai simbolikisht u stampoi një kryq të kuq në krahun e majtë, afër zemrës, domethënë ai i mësoi fretërit që vazhdimisht të sillnin ndërmend vuajtjet e Hyjit, të predikonin më me zell fjalën e Hyjit, jo për hir të botës por nga dashuria për Hyjin dhe shpirtrat. Ai gjithashtu i mësoi që më mirë të nënshtroheshin sesa të sundonin, ta urrenin vullnetin e tyre, t’i duronin fyerjet, të mos dëshironin gjë tjetër përveç ushqimit dhe veshjeve, ta donin të vërtetën me zemër dhe ta shpallnin me buzë, mos të kërkonin lavdin e vet por t’i mbanin fjalët e Hyjit në buzë dhe t’i predikonin gjithmonë, pa i lënë pas dore nga turpi dhe pa i shpallur për të fituar simpatinë e njerëzve.

Kur erdhi koha e çclirimit për të, kohë të cilën im Bir ia pati zbuluar në shpirt, ai erdhi i përlotur tek unë, Nëna e tij, duke thënë: 'O Mari, Mbretëresha e Qiellit, të cilën Hyji e paracaktoi për Vete që të bashkonte natyrat hyjnore dhe njerëzore, ti vetëm je virgjër dhe nënë tejet e denjë. Ti je më e fuqishmja mes grave, nga ty cila lindi Fuqia vetë. Dëgjoje lutjen time! E di se je shumë e fuqishme, prandaj guxoj të vij para teje. Merri fretërit e mi që i kam rritur dhe edukuar në rreptësinë e skapularit tim dhe mbroji nën mantelin tënd të gjerë! Drejtoji dhe kujdesu për ta që armiku i lashtë mos t’i mposhtë dhe ta rrënojë vreshtën e re të mbjellur nga dora e djathtë e Birit tënd! Zoja ime, me skapularin që një pjesë e ka përpara dhe tjetrën mbrapa, unë nuk kam parasysh gjë tjetër përveç merakut të dyfishtë që kam patur për fretërit e mi.

Unë merakosesha natë e ditë për ta dhe për mënyrën si t’i shërbenin Hyjit duke praktikuar vetëpërmbajtjen në mënyrë të arësyeshme dhe të lavdërueshme. Lutesha për ta që të mos dëshironin asgjë tokësore që mund të fyente Hyjin apo që mund të njolloste famën e tyre të përvujtërisë dhe përshpirtshmërisë në sytë e të tjerëve. Tani që erdhi koha e shpërblimit tim, t’i besoj ty fretërit e mi. Mësoji si fëmijë duke i mbajtur si nënë.' Me këto dhe fjalë të tjera, Dominiku kaloi në lavdinë e Hyjit.

Unë iu përgjigja si vijon, duke përdorur gjuhë figurative: 'O Dominik, miku im i shtrenjtë, meqenëse më do më shumë se vetveten, do t’i mbroj bijtë e tu nën mantelin dhe sundimin tim dhe të gjithë ata që sillen si ty do të shpëtohen. Manteli im është i gjerë me mëshirë dhe unë nuk ia mohoj mëshirën askujt që e kërkon me zemër. Të gjithë ata që e kërkojnë, gjejnë mbrojtjë në krahët e mëshirës sime.'

Por, bija ime, si mendon ti, në çfarë konsiston rregulli i shën Dominikut? Patjetër që konsiston në përvujtërinë, vetëpërmbajtjen dhe përbuzjen e botës. Të gjitha ata që u përkushtohen këtyre tre virtyteve dhe me dashuri qëndrojnë në to, kurrë nuk do të dënohen. Këta janë ata që e mbajnë rregullin e Shën Dominikut. Dëgjo tani diçka vërtet të çuditshme: Dominiku i vendosi bijtë e tijn nën mantelin tim të gjerë, po shih sa pak kanë mbetur tani nën mëntelin tim të gjerë, më pak sesa ishin në rreptësinë e skapularit të tij. E mëgjithatë as gjatë jetës së Shën Dominikut nuk kish ndokush lëkurë të vërtetë deleje apo karakter dominikan. Karakterin e tyre mund të ta përshkruaj më mirë me anë të një shembëlltyre.

Nëse Dominiku do të zbriste nga lartësitë e qiellit ku ai jeton dhe të takonte Cubin që po zbriste nga lugina ku kish qenë për vrojtuar delet me qëllim që t’i vriste dhe shfaroste, ai do t’i thoshte 'Përse i thërret dhe i largon delet që mbajnë shenjën time?' Cubi mund t’i përgjogjej: 'Përse, Dominik, përvetëson çfarë nuk të takon? Nuk është e ndershme të uzurposh pronën e tjetrit.' Nëse Dominiku do të përpiqej t’i përgjigjej se ai vetë i kish rritur dhe zbutur ato, Cubi do të thoshte: 'Ti mund t’i kesh rritur dhe edukuar, por unë, duke i marrë me të mira, i kam bërë t’i kthehen vullnetit të tyre.

Ti mund t’u kesh përzier butësinë me rreptësinë, por unë i josha më tepër dhe u tregova gjëra që u pëlqejnë më shumë dhe shih si shumë prej tyre vijnë tek kullota ime kur i thërras. Prandaj delet që më ndjekin me zell janë të miat, pasi ato janë të lira të zgjedhin çcfarë u pëlqen më shumë.' Nëse Dominiku do t’ia kthente se delet e tij kanë një shenjë të kuqe në zemër, Cubi do t’i thoshte; 'Delet e mia kanë shenjën time, një shenjë të vulosur në veshin e djathtë. Meqenëse shenja ime është më e dukshme se e jotja, unë i njoh për delet e mia.'

Cubi është djalli që ka bërë për vete shumë prej deleve të Dominikut. Ato kanë një vulë në veshin e djathtë në kuptimin që nuk i dëgjojnë fjalët e jetës të Atij që thotë: 'Rruga për në qiell është e ngushtë.' Ato zbatojnë vetëm fjalët që u pëlqen të dëgjojnë. Delet e Dominikut janë pak dhe kanë një shenjë të kuqe në zemër në kuptimin që i sjellin ndërmend me dashuri vuajtjet e Hyjit dhe jetojnë të lumtur në vetëpërmbajtje dhe varfëri, duke predikuar me zell fjalën e Hyjit.

Sepse rregulli i Shën Dominikut, siç shprehen disa, është: 'Aftësia për të duruar gjithçka, vullneti për të mos dëshiruar asgjë që nuk e lejon Rregulli, heqja dorë jo vetëm nga gjërat e tepërta por ndonjëherë edhe nga gjërat e ligjshme dhe të nevojshme me qëllim që mbahen nën kontroll impulset e trupit.' "