Nëna i tregon nuses për fretërit që tani parapëlqejnë zërin e djallit se atë të atit të tyre Dominik. Pak janë ata që ecin në gjurmët e tij. Kush dëshiron të bëhet ipeshkëv për ndere tokësore dhe për rehati e liri personale, ai nuk i përket rregullit të Shën Dominikut. Ndëshkimi i tmerrshëm që I pret këta njerëz dhe dënimi që vuan njëri prej tyre.
Libri 3 - Kapitulli 18

Nëna i flet nuses dhe thotë: "Të thashë se të gjithë ata që i përkasin Rregullit të Dominikut janë nën mantelin tim. Tani do të marrësh vesh sa është numri i tyre. Nëse Dominiku do të zbriste nga vendi i kënaqësive ku gëzon lumturi të vërtetë dhe do t’u thoshte: 'Vëllezër të dashur, ju pasuesit e mi, katër gjëra të mira ju presin: nder në sajë të përvujtërisë, pasuri e pafund në sajë të varfërise, kënaqësi që nuk mërzit në sajë të vetëpërmbajtjes, jetë e amshuar në sajë të përbuzjes së botës,' zor se ata do ta dëgjonin. Përkundrazi, nëse djalli do të ngjitej papritur nga gropa e vet dhe do t’u shpallte katër gjëra të tjera dhe të thoshte: 'Dominiku ju premtoi katër gjëra. Shikoni këtu, në dorë kam çfarë ju pëlqen.

Unë ofroj ndere, pasuri, kënaqësi të menjëhershme. Pra merrni çfarë ju ofroj! Përdorini këto gjëra që janë të sigurta! Shijojeni jetën në mënyrë që pas vdekjes të gëzoni së bashku!’ Nëse këta dy zëra do të kumbonin tani në botë, më shumë do të rendnin drejt zërit të cubit se drejt zërit të Dominikut, mikut tim të mirë. Ç’të them për fretërit e Dominikut?
Në të vërtetë të paktë janë ata që gjenden në rregullin e tij, akoma më pak ata që ecin në gjurmët tij duke e imituar. Pasi jo gjithkush i vë vesh zërit, sepse nuk janë të gjithë njëlloj – jo në kuptimin që nuk vijnë të gjithë nga Hyji apo që nuk mund të shpëtohen nëse dëshirojnë, por në kuptimin që jo të gjithë e dëgjojnë zërin e Birit të Hyjit që thotë: 'Ejani tek Unë dhe do t’ju çlodh duke ju dhuruar Veten Time!'

Por ç’të them për ata fretër që duan të bëhen ipëshkvij për arësye mondane? A i përkasin vërtet rregullit të Dominikut? Patjetër që jo. Apo mos vallë ata që e pranojnë postin e ipeshkvit për arësye të drejtë janë të përjashtuar nga Rregulli i Dominikut? Patjetër që jo. I bekuari Agustin jetoi sipas një Rregulli përpara se të bëhej ipeshkëv, por kur u bë ipeshkëv ai nuk hoqi dorë nga rregulli. Pasi ai e pranoi ofiqin me ngurim e nuk pati prej tij më shumë rehati por më shumë punë sepse, kur pa se mund t’u bënte mirë shpirtrave, me gëzim hoqi dorë nga dëshirat dhe komoditetet e veta për hir të Hyjit, për të fituar më shumë shpirtra për Të. I përkasin Rregullit të Dominikut edhe ata që aspirojnë dhe pranojnë të bëhen ipeshkvinj për t’u bërë më të dobishëm për shpirtrat. Shpërblimi i tyre do të jetë i dyfishtë, qoftë për shkak të rregullit fisnik që iu desh të braktisin, qoftë edhe për barrën e ofiqit ipeshkvnor ku u thirrën.

Betohem për Hyjin për të Cilin betoheshin profetët e që nuk betoheshin nga padurimi por për ta marrë Hyjin si dëshmitar të fjalëve të tyre.
Në të njëjtën mënyrë unë betohem se atyre fretërve që janë tallur me rregullin e Dominikut do t’u vijë një gjahtar i fuqishëm me zagarë të tërbuar. Është sikur një shërbëtor t’i thoshte të zotit: 'Në oborrin tënd kanë ardhur shumë dele me mish të helmatisur, me lëkurë të pisët, me qumësht që s’bën dhe shumë të pafytyra në epshet e tyre. Jep urdhër që të theren e kështu të mos u mungojnë kullotat deleve të dobishme dhe delet e mira të mos turbullohen nga pafytyrësia e të këqijave.'

Zoëtria do t’i përgjigjej: 'Mbylli dyert në mënyrë që të hyjnë vetëm delet që dua unë, ato dele për të cilat duhet patur kujdes dhe duhen ushqyer, ato që janë të drejta dhe paqësore.' Po të them se fillimisht do të mbyllen disa prej dyerve, jo të gjitha. Më vonë do të vijë gjahtari me zagarët e nuk do t’ua kursejë as lëkurën nga shigetat e as trupat nga plagët, derisa t’i shfarosë. Pastaj do të vijnë rojet dhe do të kontrollojnë dhe shqyrtojnë me kujdes delet që pranohen në kullotën e Hyjit."

Nusja tha: "Zoja ime, mos u zemëro nëse bëj një pyetje.
Meqenëse vetë papa e zbuti rreptësinë e rregullit për ta, a duhen kritikuar ata pse hanë mish apo çdo gjë tjetër që u vënë përpara?" Nëna u përgjigj: "Papa, duke marrë parasysh dobësinë e natyrës njerëzore, me të drejtë i lejoi të hanë mish që të ishin më në gjendje të punonin dhe më të zellshëm në predikim dhe jo të tregoheshin dembela dhe shkujdesur. Për këtë arësye, ne e justifikojmë papën që e lejoi këtë." Pastaj nusja tha: "Dominiku parashikoi veshje të bëra me copë as shumë të mirë as shumë të keqe, por të një cilësie mesatare. A duhen kritikuar pse veshin rroba të buta?" Nëna u përgjigj: "Dominiku, që e diktoi rregullin e tij i frymëzuar nga Shpirti i tim Biri, caktoi që ata nuk duhej të mbanin veshje të bëra me materiale më të mira apo më të kushtueshme që të mos kritikoheshin dhe t’u dilte nami se vishnin veshje të bukura dhe të kushtueshme dhe t’u rritej mendja për këtë.

Ai gjithashtu vendosi që ata nuk duhej të mbanin veshje të bëra prej materialeve me cilësinë më të dobët që të mos mundoheshin shumë nga ashpërsia e veshjeve kur çlodheshin pas pune. Përkundrazi, ai vendosi që veshjet e tyre të ishin të një cilësie mesatare dhe të pranueshme që të mos u rritej mendja, por që i mbronin nga i ftohti dhe i ruanin në përparimin e tyre të vazhdueshëm në jetën e virtyteve. Prandaj ne e lëvdojmë Dominikun për masat e marra, por qortojmë ata fretër të tij që bëjnë ndryshime në veshje për hir të vanitetit dhe jo dobisë."

Prapë nusja tha: "A duhen qortuar ata fretër që ndërtojnë kisha të larta dhe madhështore për Birin tënd? A duhen ndaluar dhe kritikuar nëse kërkojnë shumë donacione për ndërtimin e godinave të tilla?" Nëna u përgjigj: "Kur kisha ka hapësirë të bollshme për të gjithë ata që e frekuentojnë, kur muret janë të larta aq sa njerëzit të mos ndjehen ngushtë, kur muret janë të trasha dhe të forta për t’u bërë ballë çdo ere, kur çatia është përforcuar aq sa nuk pikon, atëherë nuk ka nevojë për më tepër. Zemra e përvujatur në një kishë të përvujatur i përlqen më tepër Hyjit se muret e larta ku trupat janë brenda dhe zemrat jashtë. E kështu nuk do të kenë nevojë të grumbullojnë ar dhe argjend për punimet e ndërtimit, pasi Salomonit nuk i erdhi ndonjë e mirë nga ndërtimi i godinave madhështore kur ai neglizhoi ta donte Hyjin për të Cilin ato ndërtoheshin."

Pasi u thanë dhe u dëgjuan këto gjëra, ipeshkvi më i vjetër, që më sipër u tha se vdiq, tha me zë të lartë: "O! O! O! E pat turbani im! Doli sheshit çfarë fshihej poshtë tij. Ku ka përfunduar tani i nderuari ipeshkëv? Po prifti i nderuar? Ku është i gjori frat? E pat ipeshkvi që ish vajosur për ofiqin apostolik dhe për jetë të panjollë. Tani ka mbetur skllavi i bajgave njollusur me yndyrna. E pat prifti që ish shuguruar me fjalë të shenjta për të shndërruar bukën e pajetë në Hyjin e gjallë. Tani ka mbetur tradhtari mashtrues që prej lakmisë shiti Atë që i shëlboi të gjithë njerëzit me dashurinë e Tij.

E pat frati i gjorë që hoqi dorë nga bota me anë të betimit. Jam dënuar për shkak të krenarisë dhe mendjemadhësisë. Por prapë jam i detyruar të them të vërtetën: Ai që më dënoi është gjykatës i drejtë. Ai do ishte gati të vdiste përsëri si dikur në kryq që unë të mos përfundoja këtu – por drejtësia e Tij, që nuk mund ta shkelë drejtësinë, nuk pranoi."