Nusja i tregon Krishtit për mendimet e kota që e mundojnë dhe që nuk arrin t’i largojë. Krishti i shpjegon nuses përse e lejon këtë dhe për dobinë që kanë këto mendime, mjaft që ajo t’i urrejë këto mendime dhe të ketë frikë të arësyeshme nga Hyji. I tregon edhe se ajo nuk duhet t’i marrë lehtë mëkatet e lehta pasi kjo mund ta çojë në mëkat të rëndë.
Libri 3 - Kapitulli 19

Biri i flet nuses: "Çfarë të shqetëson dhe trazon?" Ajo u përgjigj: "Më mundojnë shumë mendime të kota që nuk kam ç’tu bëj dhe, kur dëgjoj për gjykimin Tënd të tmerrshëm, trazohem." Biri u përgjigj: "Kjo është me të vërtetë e drejtë. Më parë t’i gjeje kënaqësi në dëshira tokësore kundër vullnetit Tim, ndërsa tani mendime të ndryshme lejohen që të të lindin kundër vullnetit tënd.

Por ki frikë të matur nga Hyji dhe ki shumë besim tek Unë, Hyji yt, duke qenë e sigurt se kur mendja jote nuk gjen gëzim në mendimet mëkatare por lufton kundër tyre duke i përbuzur, atëherë ato shërbejnë për pastrim dhe kurorë për shpirtin. Por nëse gjen kënaqësi në kryerjen edhe të një mëkati sado të vogël që ti e di se është mëkat dhe këtë e bën duke e vënë besimin në vetëpërmbajtjen tënde dhe duke shpresuar tek hiri, pa bërë pendesë, ta dish se mund të bëhet mëkat mortor. Pra, nëse ndonjë kënaqësi mëkatare të vjen ndërmend, ti duhet menjëherë të mendosh se ku të çon dhe të pendohesh. Pas dobësimit të natyrës njerëzorë, mëkati ka lindur shpesh nga dobësia njerëzore. Nuk ka asnjë që nuk mëkaton të paktën lehtë, por Hyji në mëshirën e Tij i ka dhënë njerëzimit ilaçin e pendesës për çdo mëkat dhe ankthin se mos nuk i ka shlyer mjaftueshëm mëkatet tashmë të shlyera.

Hyji nuk urren asgjë më tepër sesa kur ti e di se ke mëkatuar e nuk do të bëhet vonë pasi beson tek veprat e mira që ke bërë sikur, për shkak të tyre, Hyji do t’i mbyllte sytë para mëkatit tënd, sikur nuk Ai nuk mund të kish lavdi pa ty, apo sikur Ai të ishte dakord që ti të bëje ndonjë të keqe meqenëse ke bërë shumë vepra të mira. Por edhe po të bëje njëqind vepra të mira për çdo vepër të keqe, prapë nuk do të ishe në gjendje t’ia shpërbleje Hyjit mirësinë dhe dashurinë e Tij. Pra ki frikë të arësyeshme nga Hyji dhe, edhe pse nuk mund t’i pengosh këto mendime, të paktën bëj durim dhe përpiqu t’i luftosh. Nuk do të dënohesh pse ato të hyjnë në kokë, përveçse kur gjen kënaqësi në to, pasi nuk e ke në dorë ti t’I pengosh.

Edhe pse nuk gjen kënaqësi në mendimet e këqija, prapë duhet ta ruash frikën nga Hyji që të mos mëkatosh për shkak të krenarisë. Kush qëndron palëkundur, qëndron vetëm në sajë të fuqisë së Hyjit. Prandaj frika nga Hyji është si porta nga hyhet në qiell. Ka shumë që janë zhytur me kokë në vdekje sepse, pasi e braktisën frikën e Hyjit, u erdhi turp të rrëfeheshin para njerëzve edhe pse nuk patën turp të mëkatonin para Hyjit. Prandaj nuk do të pranoj ta fal mëkatin e atij që nuk e ka vënë ujin në zjarr për të më kërkuar falje për mëkatet e vogla. Zakoni i rëndon mëkatet dhe një mëkat i lehtë që mund të ishte falur nëpërmjet pendesës bëhet mëkat i rëndë për shkak të shpërfilljes, siç mund ta kuptosh nga rasti i këtij shpirti tashmë të dënuar.

Pasi bëri një mëkat të lehtë që mund të falej, ai e rëndoi atë nga zakoni, duke e vënë shpresën tek veprat e mira që kish bërë, pa menduar se Unë mund t’ia llogarisja mëkatet e vogla. I ngecur në grackën e kënaqësisë së zakonshme dhe të çrregullt, ai as bënte kthesë e as i vinte fre vetes, derisa i erdhi ora e gjykimit. Prandaj, kur po i afrohej fundi, ndërgjegja papritmas iu trazua keq pasi shpejt do të vdiste dhe kish frikë se shpejt do t’i humbiste të mirat e përkoshme që kishte dashur. Deri në çastin e fundit Hyji e duron mëkatarin për të parë nëse ai heq dorë nga dëshira për të mëkatuar.

Por nëse nuk vendos të heqë dorë, shpirti i tij do të jetë përjetësisht i mallkuar. Djalli, duke e ditur se çdo njeri do të gjykohet në bazë të ndërgjegjes dhe synimeve të tij, përpiqet fort në fund të jetës ta shpërqëndrojë shpirtin dhe ta largojë nga korigjimi i synimeve dhe Hyji e lejon këtë të ndodhë pasi shpirti nuk deshi të jetë vigjilent atëherë kur duhej të ishte.

Gjithashtu duhet patur kujdes nga vënia e besimit të tepruar tek vetja apo rritja e mendjes kur Unë e quaj dikë mik apo shërbëtor Timin siç quajta dikur këtë njeri. Edhe Judën e quajta mik dhe Nabukodonosorin shërbëtor. Unë vetë thashë: 'Ju jeni miqtë e Mi nëse zbatoni urdhëresat e Mia.' Në të njëjtën mënyrë tani them: 'Ata që më imitojnë janë miqtë e Mi; ata që më përndjekin duke i nëpërkëmbur urdhëresat e Mia, janë armiqtë e Mi.' Pasi u tha se Unë gjeta një njeri sipas zemrës Sime, a nuk bëri Davidi mëkatin e vrasjes? Salomoni, që mori dhurata dhe premtime aq të mrekullueshme, mëkatoi kundër mirësisë dhe për shkak të mosmirënjohjes së tij, premtimi nuk u përmbush në të por në Mua, Birin e Hyjit.

Po ashtu, njëlloj si atëherë kur ti dikton shton një formulë përmbyllëse në fund, edhe Unë do t’i shtoj një formulë përmbyllëse lokucionit Tim: Nëse dikush bën vullnetin Tim dhe heq dorë nga i veti, ai do të marrë trashëgiminë e jetës së amshuar. Ai që e merr vesh vullnetin Tim por nuk vazhdon ta kryejë deri në fund, do të përfundojë si shërbëtori i pavlerë dhe mosmirënjohës. Megjithatë nuk duhet humbur shpresa nëse e quaj ndonjë armikun Tim, pasi sapo një armik e ndryshon vullnetin për mirë, ai bëhet mik i Hyjit. A nuk ishte Juda mes të dymbëdhjetëve kur Unë thashë: 'Ju, miqtë e Mi, që keni ndjekur vullnetin Tim, do të uleni në dymbëdhjetë frone.' Në atë kohë Juda me të vërtetë po më ndiqte, por nuk do të ulet mes të dymbëdhjetëve. Atëherë në ç’mënyrë janë përmbushur këto fjalë të Hyjit? Unë përgjigjem: Hyji, që e sheh zemrën dhe vullnetin e njeriut, gjykon dhe shpërblen sipas asaj që sheh.

Njeriu gjykon sipas asaj që sheh në sipërfaqe. Prandaj, në mënyrë që asnjë njeri i mirë të mos krenohet e asnjë i keq të mos dëshpërohet, Hyji i ka thirrur në apostullat të mirët dhe të këqijntë, ashtu si çdo ditë i thërret në rang më të lartë të mirët dhe të këqinjtë në mënyrë që gjithkush që jeton ndershmërisht sipas ofiqit të vet të fitojë lavdinë e përjetshme. Ai që pranon nderin e ofiqit por jo barrën e tij, fiton lavdi në tokë dhe humbet përjetësisht. Meqenëse Juda nuk më ndoqi me zemër të përsosur, fjalët 'ju që më keni ndjekur' nuk vlejtën për të pasi ai nuk qëndroi deri në fund. Ato fjalë vlejtën për për ata që do të qëndronin atëherë dhe në të ardhmen, pasi Hyji, për të cilin të gjitha gjërat janë të pranishme, ndonjëherë i thotë gjërat në kohën e tashme por që vlejnë për të ardhmen dhe ndonjëherë flet për gjëra që do të përmbushen në të ardhmen sikur ato të ishin përmbushur kur i thotë. Ndodh edhe që ndonjëherë Ai e përzien të shkuarën me të ardhmen, që askujt të mos i shkojë ndërmend të analizojë qëllimin e pandryshueshëm të Trinisë.

Dëgjo edhe diçka tjetër: 'Shumë thirren, por pak zgjidhen.' Ky njeri u thirr që të ish ipeshkëv por nuk u zgjodh sepse u tregua mosmirënjohës ndaj hirit të Hyjit. Prandaj ai është ipeshkëv me emër por i padenjë me vepra dhe numërohet mes atyre që zbresin poshtë e nuk ngjiten përsëri."

SHTOJCË
Biri i Hyjit thotë: "Bijë, ti bën çudi pse njëri ipeshkëv vdiq paqësisht kurse tjetri pati një vdekje të llahtarshme kur u rrëzua muri dhe e zuri përfund. Ai mbijetoi për pak kohë, por me vuajtje të mëdha. Të përgjigjem: Shkrimi thotë – ose më mirë Unë kam thënë – se i drejti, pavarësisht ç’vekje pëson, është në duart e Hyjit, por dashamirësit e botës e quajnë të drejtë një person vetëm nëse ai vdes paqësisht pa dhimbje ose turp. Ndërsa Hyji njeh si të drejtë atë që ka dhënë prova vetëmohimi apo që ka vuajtur për hir të drejtësisë. Miqtë e Hyjit vuajnë në këtë botë me qëllim që të marrin një ndëshkim më të vogël në të ardhmen apo që të fitojnë një kurorë më të lavdishme në qiell.

Pjetri dhe Pali vdiqën të dy për hir të drejtësisë, edhe pse Pjetri pati një vdekje më të mundimshme se Pali, pasi ai e kish dashur trupin më tepër se Pali; gjithashtu, duke qenë i pari i kishës Sime, ai duhet të më përngjasonte më shumë me vdekjen e mundimshme. Ndërsa Pali që e deshi më shumë vetëpërmbajtjen dhe punoi më shumë, vdiq prej shpatës si kalorës fisnik, pasi Unë marr parasysh meritat. Prandaj Hyji nuk gjykon në bazë të llojit të vdekjes, por sipas synimeve dhe vullnetit. Kështu është rasti edhe me këta dy ipeshkvinj. Njëri prej tyre pati një vdekje më të mundimshme dhe të tmerrshme. Kjo ia zbuti ia ndëshkimin edhe pse nuk e bëri të meritojë shpërblimin e lavdisë, pasi ai nuk vuajti me një synim të drejtë. Ipeshkvi tjetër vdiq me lavdi, por kjo ishte pasojë e drejtësisë Sime të fshehtë dhe ai nuk fitoi shpërblim të amshuar pasi nuk i korigjoi synimet e veta sa ishte gjallë."