Virgjëra i tregon bijës si mund të kapërcehen vështirësive që ipeshkvi has në udhën e ngushtë. Durimi simbolizohet nga veshja dhe dhjetë Urdhëresat simbolizohen nga dhjetë gishtat. Dëshira për përjetësinë dhe mungesa e dëshirës për botën simbolizohen nga dy këmbët. Për tre armiq që ipeshkvi ndesh gjatë rrugës.
Libri 3 - Kapitulli 2

Nëna e Hyjit flet përsëri: "Thuaji ipeshkvit që, nëse i futet kësaj udhe, ai do të hasë tre vështirësi. Vështirësia e parë është ngushtësia e rrugës; e dyta janë gjembat e mprehtë; e treta është terreni shkëmbor dhe i thyer. Prandaj po të jap tre këshilla. E para është që ipeshkvi, për të udhëtuar në rrugën e ngushtë, duhet të vishet me tesha të trasha të qepura fort. E dyta është që për t’u mbrojtur nga gjembat, ai duhet t’i mbajë dhjetë gishtat përpara syve dhe të shohë përmes tyre si t’ishin kangjella.

E treta është se ai duhet t’i hapë mirë sytë e të matet për çdo hap që hedh dhe nuk duhet t’i vërë të dyja këmbët njëkohësisht në tokë pa u siguruar më parë për kushtet e rrugës. Kjo udhë e ngushtë nuk simbolizon gjë tjetër përveç ligësisë së njerëzve të këqinj ndaj të drejtëve, ata lloj njerëzish që i përbuzin veprat e drejta, që nuk duan t’ia dinë për shembullin dhe këshillat e të drejtëve, që nuk e çmojnë përvujtërinë dhe përshpirtshmërinë. Përballë njerëzve të tillë ipeshkvi duhet të veshë petkun e durimit, pasi durimi i bën mundimet të këndshme dhe i pranon me gëzim fyerjet.

Gjembat nuk simbolizojnë tjetër gjë veç vështirësive të botës. Për t’u bërë ballë nevojitet që ai t’i mbajë parasysh dhjetë gishtat e urdhëresave të Hyjit dhe këshillat e Tij në mënyrë që kur ta çjerrin gjembat e vështirësive dhe të varfërisë, të sjellë ndërmend vuajtjet dhe varfërinë e Krishtit. Kur ta gërvishtë gjembi i zemërimit dhe i zilisë, të sjellë ndërmend urdhrin e dashurisë. Dashuria e vërtetë nuk këmbëngul për të marrë çfarë i takon, por dëshiron lavdinë e Hyjit dhe të mirën e të afërmit.

Që ipeshkvi duhet t’i hapë mirë sytë do të thotë që në çdo rrethanë ai duhet të sillet me kujdes. Pasi, si të thuash, njeriu i mirë duhet të ketë dy këmbë. Njëra këmbë është dëshira për përjetësinë. Tjetra është mungesa e dëshirës për botën. Dëshira për përjetësinë duhet të jetë vigjilente në kuptimin që ai nuk duhet t’i dëshirojë gjërat e përjetshme vetëm për vete sikur të ishte i denjë për to; por çdo dëshirë dhe shpërblim duhet t’ia besojë Hyjit. Mungesa e dëshirës për botën duhet të jetë e matur dhe plot frikë në kuptimin që kjo mungesë dëshire nuk duhet të jetë rezultat i vështirësive të jetës apo i padurimit e as i qëllimit për të jetuar pa andralla apo për t’i bërë bisht kryerjes së veprave në dobi të të tjerëve. Ajo duhet të jetë vetëm rezultat i neverisë nga mëkatet dhe i dëshirës për përjetësinë.

Pas kapërcimit të këtyre tre vështirësive, do ta paralajmëroja ipeshkvin për tre armiqtë që ndeshen në këtë rrugë. Ti e sheh, armiku i parë përpiqet të vërshëlleje në veshët e ipeshkvit për ta penguar të dëgjojë. i dyti i del përpara për t’i nxjerrë sytë. Armiku i tretë i bërtet tek këmbët me një lak në dorë për ta kapur kur i ngre këmbët nga toka. i pari janë ata njerëz apo ato impulse që përpiqen ta largojnë ipeshkvin nga udha e drejtë duke i thënë: 'Pse e ngarkon veten kaq shumë me punë dhe i je futur një rruge kaq të ngushtë? Bjeri më mirë nga udha e begatë që e përshkojnë aq shumë njerëz. Ç’të duhet ty si sillet iksi apo ypsiloni? Pse i hap vetes telashe duke kritikuar ata që në rast të kundërt do të të nderonin apo vlerësonin? Nëse ata nuk të kritikojnë ty dhe të tutë, ç’punë të prishet ty si jetojnë ata apo nëse e fyejnë Hyjin? Nëse ti vetë sillesh mirë, pse ngatërrohesh duke gjykuar të tjerët? Më mirë është të shkëmbesh dhurata dhe ndere! Shfrytëzoji miqësitë për interes.'

Armiku i dytë dëshiron ta verbojë siç bënë filistinët me Samsonin. Ky armik janë bukuria dhe të mirat tokësore, veshjet e kushtueshme, salltanetet, privilegjet dhe nderet. Kur gjëra të tilla e bëjnë njeriun për vete, arësyeja e tij verbohet, dashuria për urdhëresat e Hyjit ftohet, mëkati kryhet pa asnjë skrupull dhe, pasi kryhet, merret lehtë. Prandaj ipeshkvi duhet të kënaqet me gjërat e nevojshme. Pasi ka shumë njerëz sot që preferojnë të rrinë me Samsonin tek mulliri i kënaqësisë e jo t’i përkushtohen kishës me dashuri.

Armiku i tretë, me një lak në dorë, i bërtet fort duke thënë: 'Pse ecën me kaq kujdes dhe kokëulur? Pse e ul kaq shumë veten ti që duhesh dhe mund të nderohesh nga shumë njerëz? Si prift të takon të rrish me ata të rangut të lartë! Si ipeshkëv të takon të nderohesh nga të tjerët! Ngjitu në post që të kesh më shumë privilegje dhe rehati! Mblidh para për vete e për t’u ardhur në ndihmë të tjerëve që ata pastaj të ta shpërblejnë e t’ia kalosh mirë kudo që je!'

Nëse zemra i pranon këto sugjerime, atëherë mendjes i hapen orekset tokësore dhe duke ngritur, si të thuash, këmbën e dëshirave të ulëta, bie në grackën e interesave tokësore nga ku zor se mund të arrijë ta shohë mjerimin ku gjendet apo shpërblimin ose ndëshkimin që e pret pas vdekjes. Dhe nuk është për t’u çuditur, pasi Shkrimi thotë se ai që aspiron të bëhet ipeshkëv, dëshiron një detyrë fisnike në nder të Hyjit. E megjithatë tani ka shumë që i duan nderet por i bëjnë bisht detyrave nga vjen shëlbimi i përjetshëm i shpirtit. Prandaj ky ipeshkëv duhet të qëndrojë në postin që ka dhe të mos kërkojë post më të lartë deri kur Hyji të vendosë t’i japë post tjetër."