Nëna i tregon bijës se talenti përfaqëson dhuratat e Shpirtit Shenjt. Shën Benedikti i shtoi dhuratat që i pati dhënë Shpirti Shenjt. Si hyn Shpirti Shenjt apo shpirti djallëzor në shpirtin e njeriut.
Libri 3 - Kapitulli 20

Nëna flet "Bijë, është shkruar se personi që mori pesë talenta fitoi edhe pesë të tjera. ç’simbolizojnë talentat përveçse dhuratave të Shpirtit Shenjt? Disave u jepen njohuri, të tjerëve pasuri, të tjerëve të njohur të kamur. E secili duhet të nxjerrë dyfish fitim për Hyjin, për shembull, ai që është i ditur duhet të behët i dobishëm për veten dhe të tjerët duke i mësuar ata, ai që është i pasur apo ka ndonjë dhunti tjetër duhet t’i përdorë ato me arësye dhe t’i vërë në shërbim të tjerëve. Në këtë mënyrë abati i mirë Benedikt e shtoi dhuratën e hirit që i ish dhënë duke i përbuzur të mirat kalimtare, duke ia nënshtruar trupin shpirtit e duke mos vënë asgjë mbi dashurinë. I vendosur të mos lejonte që veshët t’i shthureshin nga bisedat e kota apo sytë nga pamjet tërheqëse, ai shkoi në shkretëirë duke imituar atë që, ende pa lindur, e njohu Shëlbuesin e tij të dashur dhe kërceu nga gëzimi në krahërorin e së ëmës.

Benedikti do ta kish merituar qiellin edhe pa shkuar në shkretëtirë, pasi bota për të ishte sikur të mos ekzistonte dhe zemra i rrihte vetëm për Hyjin. Megjithatë Hyji vendosi ta thërrasë Benediktin në mal në mënyrë që ai të bëhej shembull për të tjerët duke i frymëzuar ata të jetonin pa të metë. Trupi i këtij njeriu të bekuar ishte si thes argjile i mbushur me flakën e Shpirtit Shenjt që nuk e lejonte zjarrin e djallit të hynte në zemrën e tij. Zjarri fizik ndizet si nga ajri ashtu edhe nga fryma e njeriut. Edhe Shpirti Shenjt hyn në shpirtin njerëzor me anë të frymëzimit personal apo nga lartësimi i mendjes tek Hyji me anë të ndonjë vepre njerëzore apo lokucioni hyjnor. Në të njëjtën mënyrë shpirti i djallit shkon tek të vetët. Megjithatë dy shpirtrat ndryshojnë pafundësisht, pasi Shpirti Shenjt e përflak shpirtin për të kërkuar Hyjin, por nuk e ndez trupin me dëshira fizike. Ai e shndrrit dritën e Vet në pastërti dhe thjeshtësi, por nuk e errëson mendjen me të liga. Ndërsa shpirti i keq e përflak mendjen me dëshira trupore dhe e çon në cinizëm. Ai e errëson shpirtin e shpirti bëhet moskokëçarës dhe jepet pas gjërave tokësore pa e vrarë ndërgjegja.

Që zjarri i mirë që kish Benedikti të ndizte shumë njerëz, Hyji e thirri atë në mal dhe kur edhe shumë flakë të tjera u thirrëm bashkë me të, Benedikti, me ndihmën e Shpirtit të Hyjit, bëri me ta një zjarr bubulak. Ai hartoi një rregull jetese i frymëzuar nga Shpirtit Shenjt. Në sajë të këtij rregulli shumë vetë kanë arritur përsosmërinë që arriti ai. Por tani shumë shkarpa janë larguar nga zjarri bubulak i Benediktit dhe janë hallakatur sa andej këtej e janë të ftohta në vend që të jenë të nxehta, në errësirë dhe jo në dritë. Nëse do të bashkoheshin me zjarrin, me siguri do të përflakeshin dhe do të prodhonin nxehtësi."