Nëna i tregon bijës për madhështinë dhe përsosmërinë e jetës së Shën Benediktit me anë të një krahasimi; shpirti që jep fryt tokësor krahasohet me një pemë pa kokrra, krenaria e mendjes me strallin dhe shpirti i ftohtë me kristalin; për tre shkëndija që lindin nga këto të treja, domethënë nga kristali, stralli dhe pema.
Libri 3 - Kapitulli 21

Nëna thotë: "Më parë të thashë se trupi i të bekuarit Benedikt ishte si një thes që disiplinohej dhe sundohej, por nuk sundonte. Shpirti i tij ishte si engjëll, lëshonte shumë nxehtësi dhe flakë. Këtë do të ta sqaroj me anë të një krahasimi. Është sikur të ishin tre zjarre. I pari, i ndezur me mirrë, nxjerr erë të këndshme. I dyti, i ndezur me shkarpa të thata, prodhon prush të nexhtë dhe shkëlqim të mrekullueshëm. I treti, i ndezur me vaj ulliri, prodhon flakë, dritë dhe nxehtësi. Tre zjarret simbolizojnë tre persona dhe tre personat simbolizojnë tre gjendje në botë.

Gjendja e parë ishte e atyre që reflektonin mbi dashurinë e Hyjit dhe u bindeshin të tjerëve. Ata zgjodhën varfërinë dhe përvujtërinë dhe jo kotësinë dhe krenarinë dhe zgjodhën vetëpërmbajtjen dhe pastërtinë dhe jo papastërtinë. I tyre ishte zjarr mirre sepse ashtu si mirra të shpon hundët por i mban djajtë larg dhe shuan etjen, po ashtu vetëpërmbajtja e tyre ishte shpuese për trupin por shuante dëshirat e çrregullta dhe i mbante larg djajtë.

Gjendja e dytë ishte e atyre që mendonin në këtë mënyrë: 'Ç’na duhen nderet tokësore? Ato janë flluska sapuni. Ç’na duhet ari? Është veç llum i verdhë. Ç’do bëhet trupi në fund përveçse kalbësirë dhe hi? Ç’dobi kemi nga dëshirimi i gjërave tokësore?
Gjithë gjërat janë kotësi. Prandaj ne do të jetojmë dhe punojmë vetëm për një qëllim, që Hyji të përlëvdohet në ne dhe që të tjerët të ndizen me dashuri për Hyjin në sajë të fjalëve dhe shembullit tonë.' Zjarri i tyre ështe si zjarri I shkarpave të thata, pasi për ta bota nuk ekzistonte dhe të gjithë prodhuan prush të nxehtë drejtësie dhe shkëlqim ungjillizimi të shenjtë.

Gjendja e tretë ishte e atyre që kishin dashuri të flaktë për pasionin e Krishtit e që dëshironin me gjithë zemër të vdisnin për Krishtin. I tyre ishte zjarr prej vaji ulliri. Ulliri përmban vaj që lëshon nxehtësi përvëluese kur digjet. Në të njëjtën mënyrë këta njerëz ishin njomur deri në palcë me vajin e hirit hyjnor. Me të ata prodhuan dritën e dijes hyjnore, nxehtësinë e dashurisë së flaktë, fuqinë e sjelljes së drejtë.

Këta tre zjarre u përhapën anembanë. I pari u ndez tek heremitët dhe rregulltarët, siç e përshkruan Jeronimi të cilit, nga frymëzimi i Shpirti Shenjt, iu dukën jetët e tyre të mrekullueshme dhe ekzemplare. Zjarri i dytë u ndez tek dëshmitarët dhe doktorët e kishës, ndërsa i treti tek martirët që e përçmuan trupin e vet për hir të Hyjit dhe të tjerë që do e kishin përçmuar nëse Hyji do t’i kishte ndihmuar. I bekuari Benedikt iu dërgua njerëzve që i përkitnin këtyre tre gjendjeve apo zjarreve. Ai i përzjeu të tre zjarret bashkë e ata që nuk kishin urti u ndriçuan, zemërftohtit u ndezën flakë, të zellshmit u bënë edhe më të zellshëm. Kështu me këto zjarre filloi rregulli i Shën Benediktit që e drejtonte çdo njeri sipas temperamentit dhe aftësive intelektuale në rrugën e shpëtimit dhe lumturisë së amshuar.

Nga thesi i të bekuarit Benedikt fryu ëmbëlsia e Shpirtit Shenjt nga e cila lindën shumë manastire. Por tani Shpirti Shenjt është larguar nga thesi i shumë vëllezërve, pasi nxehtësia e hirit është shuar dhe shkarpat janë hapërdarë e nuk lëshojnë nxehtësi dhe dritë por tym papastërie dhe lakmie. Megjithatë Hyji më ka dhënë tre shkëndija që të ngushëlloj shumë njerëz. Këto të treja mbartin në vetvete shumë shkëndija. Shkëndija e parë u përftua me një Kristal nga nxehtësia dhe drita e diellit dhe tashmë është vendosur mbi shkarpat e thata që të bëjë një zjarr të madh. Shkëndija e dytë u përftua me gurë të fortë stralli.

Shkëdija e tretë erdhi nga një pemë pa kokrra rrënjët e së cilës po rriteshin dhe gjethet po i harliseshin. Kristali, ai gur i ftohtë dhe i brishtë, përfaqëson shpirtin i cili, edhe pse mund të jetë i ftohtë në dashurinë për Hyjin, prapë me zemër dhe vullnet kërkon përsosmërinë dhe i lutet Hyjit për ndihmë. Synimi e çon tek Hyji dhe e bën të meritojë një shtim të provave që e bëjnë të ftohet ndaj tundimeve të ulta, derisa Hyji ia ndez zemrën dhe vendoset në shpirtin tashmë të zbrazur nga dëshira e që nuk dëshiron të jetojë për gjë tjetër përveç për lavdinë e Hyjit. Eshka Stralli përfaqëson krenarinë. Çka më të fortë se krenaria intelektuale e atij që dëshiron të lëvdohet nga të gjithë, e prapë do që ta quajnë të përvuajtur dhe të devotshëm?

A ka më të neveritshëm se ai shpirt që e konsideron veten më lart se të gjithë e nuk duron të qortohet apo ta mësojë askush? Megjithatë, shumë krenarë i luten përvujtërisht Hyjit që t’ua largojë nga zemra krenarinë dhe ambicjen. Prandaj Hyji, në bashkëpunim me vullnetin e tyre të mirë, u paraqet vështirësi zemrave të tyre dhe ndonjëherë ngushëllime që i largojnë ata nga gjërat tokësore dhe i shtyjnë drejt atyre qiellore. Pemat pa kokrra simbolizojnë shpirtin që ushqehet nga krenaria dhe jep fryt tokësor dhe dëshiron të ketë botën dhe gjithë privilegjet e saj.

Megjithatë, mëqenëse ky shpirt ka frikë nga vdekja e përjetshme, ai i shkul shumë prej filizave të mëkateve që do t’i kish kryer po të mos kishte këtë frikë. Për shkak të frikës që shpirti ka, Hyji i afrohet shpirtit dhe i jep hirin që pema e padobishme të bëhet e frytshme. Me anë të këtyre shkëndijave zjarri, rregulli i të bekuarit Benedikt, që tani shumë vetëve u duket i pashpresë dhe i braktisur, duhet ripërtërirë."