Nëna i flet bijës për një murg me zemër lavireje në gjoks dhe që u largua nga Hyji me krenarinë dhe lakminë e tij dhe e braktisi jetën engjëllore.
Libri 3 – Kapitulli 22

Nëna i flet përsëri nuses: "Ç’gjë të qortueshme sheh tek ky njeri këtu?" Ajo u përgjigj: "Thotë Meshë rrallë." Nëna i tha: "Nuk është kjo arësyeja për të cilën duhet dënuar. Ka shumë që, të përkushtuar në detyrat e tyre, nuk thonë Meshë, por kjo nuk i bën më pak të pranueshëm në sytë e mi. Ç’gjë tjetër sheh në të?" Ajo tha: "Nuk mban veshjen që ka caktuar i bekuari Benedikt." Nëna u përgjigj: "Shpesh ndodh që zë fill një zakon dhe ata që e kujtojnë zakon të keq por prapë e ndjekin, janë fajtorë. Megjithatë, ata që nuk i dinë zakonet e duhura dhe madje do të dëshironin një veshje më të thjeshtë nëse nuk do të ishte në fuqi zakoni i vjetër, nuk duhen dënuar aq lehtë e pa u menduar. Dëgjo dhe do të të tregoj tre arësye pse ai duhet qortuar.

E para sepse zemra e tij ku Hyji duhet të pushojë, prehet në gjoksin e grave të përdala. E dyta sepse ka hequr dorë nga ajo pak që kishte, por digjet për gjërat më të mëdha të të tjerëve; ai premtoi se do ta mohonte veten, por ndjek plotësisht vullnetin dhe tekat e veta. E treta sepse Hyji e bëri shpirtin e tij të bukur si engjëll dhe prandaj ai duhej të jetonte si engjëll, por tani shpirti i tij ka imazhin e engjëllit që u largua nga Hyji për shkak të krenarisë. Njerëzit e mbajnë për njeri të madh, por Hyji e di se çfarë njeriu është në të vërtetë. Hyji është si një person që mban fshehur diçka në dorë derisa e hap pëllëmbën. Hyji zgjedh krijesa të dobëta dhe i mban fshehur kurorat e tyre në këtë jetë deri kur vjen koha për ta shpërblyer çdo njeri sipas veprave të veta."

SHPJEGIM
Ky njeri ishte ishte një abat i dhënë i tëri pas gjërave tokësore e që nuk kujdesej fare për shpirtrat dhe që vdiq papritur pa sakramente. Shpirti Shenjt tha për të: "O shpirt, ti deshe tokën dhe toka të mori. Ti ishe i vdekur kur ishe gjallë dhe tani nuk do ta kesh jetën Time e as do të qëndrosh me Mua, pasi ti deshe shoqërinë e atij që u largua prej Meje me anë të krenarisë dhe e përçmove përvujtërinë e vërtetë."