Krishti i shpjegon nuses misterin e pashprehshëm të Trinisë. Si mëkatarët djallëzorë mëshirohen nga Hyji për hir të pendesës dhe vullnetit të tyre për të bërë kthesë. Hyji tregon se Ai ka mëshirë për të gjithë, për Hebrenjtë dhe të tjerët. Për gjykimin e dyfishtë, domëthënë për gjykimin për ata që do të dënohen dhe për ata që do të shpëtohen.
Libri 3 - Kapitulli 26

Biri thotë: "Unë jam Krijuesi i qiellit dhe i tokës, një me Atin dhe Shpirtin Shenjt, Hyj i vërtetë. Ati është Hyj, Biri është Hyj, Shpirti Shenjt është Hyj, jo tre hyje por një Hyj. Tani ti mund të pyesësh, nëse ka tre Persona, pse nuk ka tre hyje? Përgjigja Ime është se Hyji nuk është gjë tjetër përveçse vetë fuqia, vetë urtia, vetë mirësia e nga to vjen gjithë fuqia nën apo mbi qiej, çdo urti apo mirësi e imagjinueshme. Prandaj Hyji është tre Persona dhe Një në natyrë. Fuqia dhe urtia janë Ati nga i Cili vjen gjithçka dhe që është para gjithçkaje dhe nuk e merr fuqinë nga askund përveçse nga Vetvetja, qysh nga përjetësia.

Fuqia dhe urtia janë gjithashtu dhe Biri, i barabartë me Atin, qe e merr fuqinë jo nga Vetvetja por si i lindur nga Ati, fillimi prej fillimit, i pandarë kurrë nga Ati. Fuqia dhe urtia janë gjithashtu edhe Shpirti Shenjt, që rrjedh nga Ati dhe nga Biri, i përjetshëm me Atin dhe Birin, i barabartë në madhështi dhe fuqi. Prandaj ka një Hyj në tre Persona. Të tre kanë të njëjtën natyrë, të njëtin veprim dhe vullnet, të njëtën lavdi dhe fuqi.

Pra Hyji është një në esencë, por Personat janë të dallueshëm në cilësinë përkatëse. Ati është i tëri në Birin dhe në Shpirtin, Biri është i tëri në Atin dhe në Shpirtin, Shpirti është i tëri në të Dy, në një natyrë hyjnore, që nuk ka filluar të ekzistojë as përpara as mbrapa tyre. Në Hyj nuk ka as përpara as mbrapa, asgjë më të madhe as më të vogël se tjetra, por Trinia është plotësisht dhe pashprehimisht e barabartë. Me të drejtë është shkruar se Hyji është i madh dhe e meriton të lëvdohet shumë.

Por Unë ankohem sepse më lëvdojnë pak, pasi secili ndjek vullnetin e vet dhe pak janë ata që kryejnë vullnetin Tim. Ji sistematike dhe e përvuajtur, mos e mendo veten kushedi çfarë nëse të tregoj provat e të tjerëve dhe mos i trego emrat e tyre me përjashtim të rastit kur udhëzohesh ta bësh këtë. Provat e tyre nuk të tregohen për t’i turpëruar ata, por me qëllim që ata të konvertohen dhe të arrijnë të njohin drejtësinë dhe mëshirën e Hyjit. E as duhet t’u kthesh shpinën sikur të ishin të dënuar, pasi edhe nëse sot Unë them se filani është i lig, nëse nesër ai më thërret i penduar dhe me vullnetin për të bërë kthesë, Unë jam gati ta fal. Dhe ai person që dje e quajta të lig, sot, për shkak të pendesës së tij, e quaj mikun Tim të dashur dhe, nëse pendesa e tij nuk ndryshon, i fal jo vetëm mëkatin por edhe ndëshkimin që meriton për mëkatin.

Këtë mund ta kuptosh me anë të një metafore. Është sikur dy pika zhive të nxitonin drejt njëra-tjetrës. Nëse edhe një atom i vetëm do t’i ndante, prapë Hyji do të ishte në gjendje t’i pengonte të bashkoheshin. Në të njtën mënyrë nëse një mëkatar është i ngulitur në vepra djallëzore saqë ka arritur në prag të rrënimit, ai prapë mund të fitojë falje dhe mëshirë nëse i drejtohet Hyjit me pendesë dhe vullnet për t’u përmirësuar. Tani, duke qenë se Unë jam kaq i mëshirshëm, ti mund të pyesësh pse Unë nuk jam i mëshirshëm me Paganët dhe Hebrenjtë disa prej të cilëve, po t’u mësonin fenë e vërtetë, do të ishin gati të jepnin jetën për Hyjin. Përgjigja ime është se Unë kam mëshirë për të gjithë, për paganët dhe Hebrenjtë, e asnjë krijesë nuk është jashtë mëshirës Sime.

Me butësi dhe mëshirë Unë i gjykoj ata që dëshirojnë me zell fenë e vërtetë kur mësojnë se feja e tyre nuk është feja e vërtetë dhe ata që besojnë se feja e tyre është më e mira pasi nuk u është predikuar fe tjetër por që me gjithë zemër bëjnë çfarë munden. Ti e sheh, ka një gjykim të dyfishtë, një për ata që do të dënohen dhe një për ata që do të shpëtohen. Vendimi për dënimin e të Krishterëve nuk do të jetë I mëshirshëm. Ata i pret ndëshkimi i përjetshëm, errësira dhe një vullnet i kyçur ndaj Hyjit. Vendimi për të Krishterët që do të shpëtohen do të jetë vizioni i Hyjit dhe përlëvdimi në Hyjin dhe vullneti i mirë ndaj Hyjit. Të përjashtuar nga këto shpërblimë janë paganët, hebrenjtë dhe të Krishterët shtiracakë. Edhe pse nuk kishin fenë e vërtetë, ata kishin ndërgjegjen për gjykatës dhe besuan se Ai që adhuronin dhe fyenin ishte Hyji.

Por ata qëllimi dhe veprat e të cilëve ishin dhe janë për drejtësinë dhe kundër mëkatit, së bashku më të krishterët më pak të këqinj do të bashkëndajnë ndëshkim me mëshirë në mes vuajtjeve sepse e deshën drejtësinë dhe urryen mëkatin. Por nuk do të kenë ngushëllim në shërbimin e lavdisë dhe vizionin e Hyjit. Ata nuk do ta shohin sepse nuk janë të pagëzuar pasi ndonjë rrethanë e përkohshme apo ndonjë vendim i fshehtë i Hyjit i pengoi të kërkojnë dhe të fitojnë shëlbimin. Nëse nuk kishte asgjë që t’i pengonte të kërkonin Hyjin e vërtetë dhe të pagëzoheshin, as frika as përpjekjet e duhura, as humbja e pasurive apo privilegjeve, por vetëm ndonjë pengesë që e mposhti dobësinë e tyre njerëzore, atëherë Unë, që i ktheva sytë nga Korneliusi dhe centurioni kur ishin ende të papagëzuar, di si t’u jap një shpërblim më të lartë dhe më të përsosur në përputhje me fenë e tyre.

Një gjë është padija e mëkatarëve dhe gjë tjetër është padija e njerëzve të përshpirtshëm por që u penguan. Po ashtu një gjë është pagëzimi me ujë, tjetër ai me gjak dhe tjetër ai i dëshirës me gjithë zemër. Hyji që i njeh zemrat e të gjithëve, di si t’i marrë parasysh të gjitha rrethanat. Unë jam i lindur pa fillim, i lindur nga përjetësia. Linda në kohë në fund të kohëve. Qysh nga fillimi Unë e kam ditur si t’i jap secilit hakun që meriton dhe secilit i jap ç’meriton. As edhe e mira më e vogël e bërë për lavdinë e Hyjit nuk do të mbesë pa shpërblim. Prandaj duhet ta falenderosh shumë Hyjin që ke lindur nga prindër të krishterë në epokën e shëlbimit, pasi shumë njerëz kanë dëshiruar të kenë dhe shikojnë çka u ofrohet të krishterëve dhe ende s’e kanë realizuar dëshirën."