Virgjëra e mëson nusen si të dojë dhe i tregon për katër qytetet ku gjenden katër dashuri dhe se cila prej tyre është dashuri e përsosur.
Libri 3 - Kapitulli 28

Nëna i flet nuses dhe thotë: "Bijë, a më do?" Ajo përgjigjet: "Zoja ime, më mëso si të dua sepse shpirti im është ndotur me dashuri të rreme, i joshur prej helmi vdekjeprurës dhe nuk mund ta kuptojë dashurinë e vertetë." Nëna thotë: "Do të të mësoj. Ka katër qytete ku gjenden katër lloj dashurish, pra nëse mund t’i quajmë dashuri, duke qenë se nuk mund të gjendet taman dashuri përveç aty ku Hyji dhe shpirti janë bashkuar me lidhjen e vërtetë të virtytit. Qyteti i parë është qyteti i provës. Ai është bota.
Njeriu vendoset atje që të provohet nëse e do apo jo Hyjin.

Kjo bëhet që ai të arrijë ta njohë dobësinë e vet dhe të fitojë virtyte me anë të të cilave mund të kthehet tek lavdia në mënyrë që, i pastruar në tokë, të mund të marrë kurorë të lavdishme në qiell. Në këtë qytet ka dashuri të çrregullt, sepse trupin e duan më shumë se shpirtin, sepse dëshirohen më shumë të mirat e përkohshme se ato shpirtërore, sepse vesi nderohet dhe virtyti përçmohet, sepse ushëtimet jashtë çmohen më shumë se atdheu, sepse një qenie e vogël vdekatare respektohet dhe nderohet më shumë se Hyji mbretëria e të cilit është e përjetshme.

Qyteti i dytë është qyteti i pastrimit ku shpirti pastrohet nga papastërtitë. Hyji ka krijuar vende ku kush bëhet kryelartë nga shpërdorimi i lirisë së vet por nuk e humbet frikën nga Hyji, pastrohet përpara se të marrë kurorën. Në këtë qytet ka dashuri të papërkryer pasi Hyjin e duan për shkak të shpresës për t’u çliruar nga robëria dhe jo nga dashuria e zjarrtë. Kjo vjen nga apatia dhe mosdëshira për të shlyer fajin. Qyteti i tretë është qyteti i dhimbjes. Ky është ferri. Këtu ka dashuri për çdo ligësi dhe papastërti, dashuri për çdo zili dhe kokëfortësi. Hyji e qeveris edhe këtë qytet. Këtë e bën me anë të drejtësisë së ekuilibruar, ndëshkimeve të shkallëzuara, kufizimin e ligësisë dhe drejtësinë e vendimeve të cilat mbajnë paraysh meritat e çdo mëkatari.

Disa prej të dënuarve janë mëkatarë më të mëdhenj, disa më të vegjël. Kushtet për dënimin dhe ndëshkimin e tyre caktohen siç u takon. Edhe pse gjithë të dënuarit janë mbyllur në errësirë, jo të gjithë e përjetojnë atë në të njëjtën mënyrë. Ka errësirë dhe errësirë, ka tmerr dhe tmerr, ka zjarr dhe zjarr. Hyji vepron me mëshirë dhe drejtësi kudo, edhe në ferr. Prandaj ata që kanë mëkatuar me ndërgjegje ndëshkohen në një mënyrë, ata që kanë mëkatuar nga dobësia ndëshkohen në mënyrë tjetër dhe ata që mbahen aty vetëm për shkak të dëmit të shkaktuar nga mëkati i rrjedhshëm kanë tjetër ndëshkim. Ndërkohë që tortura e këtyre të fundit konsiston në mungesën e vizionit të Hyjit dhe të dritës së të zgjedhurve, prapë ajo i afrohet mëshirës dhe gëzimit në kuptimin që ata nuk vuajnë dënime të tmerrshme, pasi vetë nuk kanë bërë vepra të këqija. Përndryshe, nëse Hyji nuk do të diktonte numrin dhe masën e ndëshkimeve, djalli do t’i torturonte pa asnjë pikë mëshire.

Qyeti i katërt është qyteti i lavdisë. Këtu ka dashuri të përsosur që nuk dëshiron asgjë përveç Hyjit ose përveçse për hir të Hyjit. Prandaj, nëse dëshiron të arrish në përsosmërinë e këtij qyteti, dashuria jote duhet të ketë katër cilësi: duhet të jetë e rregullt, e pastër, e vërtetë dhe e përsosur. Dashuria është e rregullt kur e do trupin vetëm për hir të mbijetesës, kur e do botën pa gjërat e tepërta, kur e do tjetrin për hir të Hyjit, kur e do mikun me pastërti dhe kur e do armikun për hir të shpërblimit. Dashuria është e pastër kur nuk e do mëkatin krahas virtytit, kur zakonet e këqija i përbuz, kur mëkatin nuk e merr lehtë.

Dashuria është e vërtetë kur e do Hyjin me gjithë zemër, kur mban parasysh në çdo veprim tëndin lavdinë e Hyjit dhe frikën prej Tij, kur nuk bën as mëkatin më të vogël me shpresën se veprat e mira të justifikojnë, kur praktikon vetëpërmbajtje me maturi që të mos dobësohesh nga zelli i tepruar, kur nuk priresh drejt mëkatit prej frikës apo mosnjohjes së tundimeve. Dashuria është e përsosur kur asgjë nuk të sjell gëzim më shumë se Hyji. Kjo lloj dashurie fillon në të tashmen dhe përsoset në qiell. Duaje pra këtë lloj dashurie të përsosur dhe të vërtetë! Kushdo që nuk e ka këtë dashuri do të pastrohet, pavarësisht sa besnik apo i zellshëm është, qoftë fëmijë apo i pagëzuar. Përndryshe do të përfundojë në qytetin e tmerrit.

Ashtu si Hyji është një, po ashtu ka një fe, një pagëzim, një përsosmëri lavdie dhe shpërblimi në kishën e Pjetrit. Gjithashtu, ai që dëshiron ta arrijë Hyjin duhet të ketë të njëjtën dashuri dhe vullnet që ka Hyji. Mjerë ai që thotë: 'Më mjafton të jem më i vogli në qiell. Nuk dua të jem i përsosur.' Ç’mendim i pamend! Si mundet dikush që është i papërsosur të hyjë atje ku të gjithë janë të përsosur në sajë të pafajësisë së jetës apo pafajësisë së fëmijërisë apo të pastrimit me anë të fesë dhe vullnetit të mirë?"