Lëvdata e nuses për Virgjërën që përmban një alegori për tempullin e Salomonit dhe të vërtetën e pashpjegueshme të bashkimit të natyrës hyjnore me natyrën njerëzore dhe për tempujt e priftërinjve që janë veshur me kotësi.
Libri 3 – Kapitulli 29

E bekuar je ti, Mari, Nëna e Hyjit. Ti je tempulli i Salomonit muret e të cilit ishin prej ari, çatia e të cilit shndërriste, dyshemeja e të cilit ishte shtruar me xhevahirë, ku gjithçka shkëlqente, brenda kishte aromë të mirë dhe syri të kënaqej kur e shihje. Në çdo drejtim ti je si tempulli i Salomonit ku Salomoni i vërtetë erdhi dhe u ul dhe ku vendosi arkën e lavdisë dhe llampën llamburitëse. Ti, e Lumja Virgjër, je tempulli i atij Salomoni që solli paqen mes Hyjit dhe njeriut, që i pajtoi mëkatarët, që u dha jetë të vdekurve dhe i çliroi të varfërit nga shtypësit. Trupi dhe shpirti yt u bënë tempulli i Hyjit. Ata ishin çati për dashurinë e Hyjit, çati nën të cilën Biri i Hyjit jetoi me ty me gëzim.

Dyshemeja e tempullit ishte jeta jote e stolisur me praktikimin e kujdesshëm të virtyteve. Asnjë privilegj nuk të mungonte e në to kish qëndrueshmëri, përvujtëri, devotshmëri dhe përsosmëri. Muret e tempullit ishin të forta, pasi ti nuk u trazove nga asnjë turp, nuk u krenove për asnjë nga privilegjet e tua, kurrë nuk u tregove e padurueshme, nuk deshe tjetër përveç lavdisë së Hyjit. Pikturat e tempullit tënd ishin frymëzimet e vazhdueshme të Shpirtit Shenjt e shpirti yt u ngrit aq lart sa nuk ka virtyt që ta kenë krijesat e tjera që ti nuk e zotëron plotësisht dhe përsosshmërisht. Hyji hyri në këtë tempull kur e zbrazi praninë e Tij të ëmbël në gjymtyrët e tua. Ai pushoi në ty kur u bashkuan natyra hyjnore dhe ajo njerëzore.

E bekuar je ti, e lumja Virgjër! Në ty Hyji i plotfuqishëm u bë vogëlush, Zoti i amshuar u bë bebe, Hyji Krijuesi i përjetshëm dhe i padukshëm u bë krijesë e dukshme. Prandaj të lutem, meqenëse je më e mira dhe më e fuqishmja Zojë, t’i kthesh sytë nga unë dhe të kesh mëshirë për mua! Ti me të vërtetë je Nëna e Salomonit, edhe pse jo e atij që ishte biri i Davidit por i atij që ishte Ati i Davidit dhe Zoti i atij Salomoni që ndërtoi tempullin e mrekullueshëm që me të vërtetë të simbolizonte ty. Biri e dëgjon Nënën, veçanërisht një Nënë kaq të madhe si ty. Biri yt Salomon dikur, si të thuash, fjejti brenda teje.

Lutju pra Atij që të rrijë zgjuar dhe të më mbrojë në mënyrë që asnjë kënaqësi mëkatare të mos më pickojë, që pendesa për mëkatet e mia të mos rreshtë, që unë të vdes ndaj dashurisë së botës, të jem këmbëngulëse në qëndrueshmëri, frytdhënëse në pendesë. Në mua nuk ka virtyt, por gjendet kjo lutje: 'Ki mëshirë, Mari!' Tempulli im është krejtësisht ndryshe nga i yti. Është katran prej vesit, i njollosur nga epshi, i rrënuar nga krimbat e dëshirave, i paqëndrueshëm për shkak të krenarisë, gati për të rënë për shkak të kotësirave tokësore."

Nëna u përgjigj: "I bekuar qoftë Hyji që e frymëzoi zemrën tënde për të më ofruar këtë përshëndetje që ti ta kuptosh sa mirësi dhe ëmbëlsi ka në Hyjin. Por pse më krahason me Salomonin dhe me tempullin e Salomonit kur unë jam Nëna e Atij linja e trashëgimisë së të Cilit nuk ka as fillim as fund, e Atij që thuhet se nuk ka as baba as nënë, domëthënë e Melkizedekut? Ai thuhet se ka qenë prift dhe tempulli i Hyjit u besohet priftërinjve, prandaj unë jam Virgjër dhe Nëna e kryepriftit. Por prapë të them se unë jam Nëna e Mbretit Salomon dhe Nëna e priftit paqesjellës, pasi Biri i Hyjit, që është edhe Biri im, është prift dhe Mbret i mbretërve.

Në fakt në tempullin tim ai u vesh shpirtërisht me petkun priftëror me të cilin ofroi flinë për botën. Në qytetin mbretëror u kurorëzua me kurorë mbretërore por mizore. Jashtë qytetit, luftëtar i fuqishëm, ai qëndroi në mbrojtje dhe e shmangu luftën. Unë trishtohem që tani Biri im është harruar dhe neglizhohet nga priftërinjtë dhe mbretërit. Mbretërit krenohen me pallatet dhe ushtritë e tyre, me sukseset dhe nderet tokësore. Priftërinjtë krenohen me të mirat dhe zotërimet që u përkasin shpirtrave. Ti the se tempulli ish veshur me ar. Por tempujt e priftërinjve janë veshur me kotësira dhe kureshtje tokësore, pasi simonia ekziston në nivelet më të larta. Arka e besëlidhjes është hequr, llampa e virtyteve është shuar dhe tavolina e kushtimit është braktisur."

Nusja u përgjigj: "O Nëna e mëshirës, ki mëshirë dhe lutu për ta!" Nëna i tha: "Qysh nga fillimi Hyji aq shumë i deshi të vetët saqë jo vetëm që i dëgjon ata kur luten për vete, por edhe të tjerët përfitojnë nga lutjet e tyre. Dy gjëra nevojiten që lutjet për të tjerët të dëgjohen, konkretisht synimi për të hequr dorë nga mëkati dhe synimi për të përparuar në virtyt. Nga lutjet e mia do të përfitojë cilido që i plotëson këto dy kushte."