Shën Anjeza përdor metaforën e luleve për t’i folur uses për dashurinë që nusja duhet të ketë për Virgjërën. Përshkrimi që Virgjëra e lavdishme i bën mirësisë së pakufi dhe të amshuar të Hyjit përballë mosmirësisë dhe mosmirënjohjes sonë. Miqtë e Hyjit nuk duhen ta humbasin paqen në mes të vështirësive.
Libri 3 - Kapitulli 30

E lumja Anjezë i flet nuses dhe thotë: "Bija ime, duaje Nënën e mëshirës. Ajo është lulja apo kallami në formë shpate. Kjo lule ka dy ekstreme të mprehtë dhe një majë të hijshme. Për gjatësi dhe gjerësi ia kalon të gjitha luleve të tjera. Po ashtu, Maria është luja e luleve, lule që u rrit në luginë dhe u shtri mbi gjithë malet. Një lule, po them, që u rrit në Nazaret dhe u përhap në malin e Libanit. Kjo lule kishte para së gjithash gjatësi në kuptimin që Mbretëresha e bekuar ia kalon çdo krijese në dinjitet dhe pushtet. Maria kishte edhe dy tehe apo gjethe të mprehta, domethënë dhimbjen në zemër për pasionin e të Birit dhe rezistencë të qëndrueshme ndaj sulmeve të djallit, duke mos rënë kurrë mëkat.

I moshuari profetizoi saktë kur tha: 'Një shpatë do të ta shpojë shpirtin’. Në kuptim shpirtëror shpata e goditi aq herë sa ishin plagët që pa t’i hapeshin të Birit dhe që ajo i kishte paraparë. Maria kishte edhe gjerësi të madhe, domethënë mëshirë të madhe. Ajo është dhe ishte aq e mirë dhe e mëshirshme sa preferoi të vuante çdo vështirësie sesa të lejonte që shpirtrat të humbisnin. E bashkuar tani me të Birin, ajo nuk e ka harruar mirësinë e dikurshme por e shtrin mirësinë tek të gjithë, edhe tek më të këqinjtë. Ashtu si dielli shndrit dhe flakëron qiejt dhe tokën, po ashtu nuk ka assnjë që nuk përjeton mirësinë e ëmbël të Marisë, nëse e kërkon atë. Maria ka edhe një majë të hijshme, domethënë përvujtërinë e saj.

Për përvujtërinë e saj ajo i pëlqeu engjëllit kur ajo e quajti vetën shërbëtoren e Hyjit, edhe pse po zgjidhej të ishte Zoja e tij. Ajo e ngjizi Birin e Hyjit në përvujtëri. Ajo u ngjit në fronin më të lartë me anë të përvujtërisë, duke mos dashur asgjë përveç Hyjit. Eja pra, Kanal, dhe përshëndete Nënën e mëshirës, pasi tani ka arritur!"

Pastaj u shfaq Maria dhe u përgjigj: "Anjezë, ti përdore një emër, shtoji edhe një mbiemër!" Anjeza i tha: "Mund të thosha 'më e bukura' ose 'më e virtytshmja,' pasi këtë e meriton me të drejtë vetëm ti, Nëna e shëlbimit të gjithkujt." Nëna e Hyjit iu përgjigj së lumes Anjezë: "Ti po thua të vërtetën, sepse unë jam më e fuqishmja nga të gjithë. Prandaj, unë vetë do të shtoj një mbiemër dhe një emër, konkretisht 'Kanal' i Shpirtit Shenjt. Eja, Kanal, dhe dëgjomë! Ti trishtohesh sepse mes njerëzve qarkullon kjo thënie: 'Le të bëjmë ç’na pëlqen pasi Hyji kënaqet me pak. Le ta shfrytëzojmë botën dhe nderet e saj sa mundemi, pasi bota është bërë për njerëzit.' Në të vërtetë, bija ime, një thënie e tillë nuk buron nga dashuria për Hyjin dhe as synon e as të çon drejt dashurisë së Hyjit. Megjithatë Hyji nuk e harron dashurinë e Vet prej kësaj gjëje, por në çdo moment shfaq mirësi pavarësisht nga mosmirënjohja njerëzore. Ai është si një artizan që po punon një vepër madhështore. Herë nxeh hekurin, herë e lë të ftohet. Hyji është artizani suprem që e bëri botën nga hiçi dhe u ka treguar dashurinë e Vet Adamit dhe pasardhësve të tij.

Por raca njerëzore u ftoh aq shumë sa filluan të bëjnë krime të padëgjuara dhe gati nuk e përfillnin më Hyjin. Për këtë arësye Hyji pati mëshirë dhe fillimisht i paraljmëroi me dashamirësi, por pastaj bëri drejtësi me anë të përmbytjes. Pas përmbytjes, Hyji bëri pakt me Abrahamin duke i shfaqur shenja dashurie dhe i udhëhoqi bijtë e tij me shenja dhe mrekulli të mëdha. Ai i dha ligjin popullit të Vet nga buzët e Tij, duke i konfirmuar fjalët dhe normat e Veta me shenja të qarta. Me kalimin e kohës, populli prapë u ftoh dhe u marros deri në atë pikë sa filloi të adhuronte idhujt. Duke dashur t’i ngrohë zemërftohtit edhe një herë, Hyji, në mirësinë e Vet, dërgoi Birin e Vet në botë.

Ai mësoi rrugën e vërtetë që çon në qiell dhe la për imitim shembullin e përvujtërisë së vërtetë. Edhe pse shumë tani gati e kanë harruar me neglizhencën e vet, Ai prapë flet fjalë të mëshirshme. Megjithatë gjërat nuk do të realizohen të gjitha njëherësh, si tani ashtu edhe më parë. Përpara përmbytjes njerëzit u paralajmëruan dhe iu dha kohë të pendoheshin. Po ashtu, para se Izraeli të hynte në tokën e premtuar, njerëzit fillimisht u provuan dhe premtimi u vonua për ca kohë. Hyji mund ta kishte udhëhequr popullin për dyzet ditë pa u vonuar dyzet vjet, por drejtësia e Tij e lypte që mosmirënjohja e popullit të bëhej e qartë dhe mëshira e Hyjit të dilte në pah e ta bënte popullin e Tij të ardhshëm edhe më të përvuajtur.

Do të ishte kokëkrisje e madhe të pyesësh pse Hyji e bëri popullin të vuajë aq shumë apo pse ka ndëshkim të përjetshëm kur jeta në mëkat nuk mund të zgjasë pambarim. Do të ishte kokëkrisje po aq e madhe po të përpiqeshe të gjeje me mend dhe të kuptoje përjetësinë e Hyjit. Hyji është i përjetshëm dhe i pakuptueshëm. Drejtësia dhe shpërblimi i Tij janë të përjetshëm, mëshira e Tij është përtej mundësive që ka njeriu për të kuptuar. Nëse Hyji nuk do të kishte bërë drejtësi me engjëjt e parë, nga do ta kishim marrë vesh drejtësinë e Tij dhe gjykimin e Tij të drejtë në gjithçka?

Prapë, nëse Ai nuk do të kishte patur mëshirë për njerëzimin duke e krijuar atë dhe pastaj duke e çliruar me mrekulli të panumërta, nga do ta dinim se mirësia e Tij është kaq e madhe apo që dashuria e Tij është kaq e pamatë dhe e përsosur? Meqenëse Hyji është i përjetshëm, drejtësia e Tij është e përjetshme dhe as nuk shtohet as pakësohet. Është njëlloj si kur dikush që planifikon paraprakisht ta bëjë punën në një mënyrë dhe ditë të caktuar.

Kur Hyji ushtron drejtësinë apo mëshirën e Vet, ai e tregon atë duke e realizuar, pasi e tashmja, e shkuara dhe e ardhshmja janë të njohura për të qysh nga përjetësia. Miqtë e Hyjit duhet të qëndrojnë me durim në dashurinë e Hyjit dhe mos ta humbasin paqen edhe pse mund të shohin se dashamirësve të kësaj bote u ecën mbarë. Hyji është si një amvisë e mirë që i vë rrobat e pisëta mes dallgëve për t’i pastruar më mirë nga lëvizja e ujit, duke u kushtuar vëmendje të kujdesshme rrymave ujore që plaçkat të mos zhyten poshtë dallgëve. Po ashtu Hyji i vë miqtë e vet mes dallgëve të varfërisë dhe vtë ështirësive në të tashmen për t’i pastruar për jetën e përjetshme, duke u kujdesur që mos të zhyten nga vuajtjet e tepërta apo vështirësitë e papërballueshme."