Krishti i flet nuses duke përdorur një alegori të admirueshme me një doktor dhe një mbret. Doktori simbolizon Krishtin. Ata që njerëzit mendojnë se do të dënohen, shpesh shpëtohen, ndërsa ata që njerëzit apo opinioni mendon se do të shpëtohen, dënohen.
Libri 3 - Kapitulli 31

Biri i flet nuses duke thënë: "Një doktor mbërriti në një mbretëri të largët dhe të panjohur ku mbreti nuk sundonte por sundohej pasi kishte zemër lepuri. I ulur në fron dukej si gomar me kurorë. Populli i tij i ishte përkushtuar grykësisë, e kishte harruar ndershmërinë dhe drejtësinë dhe urrente këdo që u fliste për të mirën që i priste në të ardhmen. Kur doktori iu prezantua mbretit, duke thënë se ishte prej një vendi të bukur dhe duke pohuar se kishte ardhur për shkak se ishte njohës i sëmundjeve njerëzore, mbreti, i mrekulluar nga ky burrë dhe fjalët e tij, iu përgjigj:

'Unë kam dy të burgosur që do t’u pritet koka nesër. Njëri prej tyre mezi merr frymë, por tjetri është më i fortë dhe i shëndetshëm tani sesa kur hyri në burg. Shko tek ata, shikoji çehret e tyre dhe shih cili gëzon shëndet më të mirë.' Pasi doktori shkoi dhe i vizitoi, ai i tha mbretit: 'Ai që ti thua se është i forte, është gati kufomë dhe nuk do të mbijetojë. Ndërsa për tjetrin ka shpresë.' Mbreti e pyeti: 'Nga e di ti këtë?'

Doktori tha: 'Sepse i pari është plot më substanca dhe avuj të dëmshëm dhe nuk mund të kurohet. Tjetri, që është i dërrmuar, mund të shpëtohet lehtësisht me ajër të freskët.' Pastaj mbreti tha: 'Do të mbledh fisnikët dhe këshilltarët e mi që të shohin urtinë dhe aftësitë e tua dhe ti të fitosh respek në sytë e tyre.' Doktori itha: 'Jo, në asnjë mënyrë mos e bëj këtë.

Ti e di se njerëzit e tu janë xhelozë për nderet. Nëse nuk arrijnë ta përsekutojnë dikë me vepra, atëherë e shkatërrojnë me fjalë. Prit dhe do të ta shpalos urtinë time vetëm ty privatisht. Kështu më kanë mësuar. Kam mësuar të shpalos më tepër urti privatisht se në publik. Nuk kërkoj të fitoj lavdi në tokën tënde të errësirës, por krenohem me dritën e atdheut tim. Përveç kësaj koha e shërimit nuk do të vijë derisa të fillojë të fryjë juga dhe dielli të shfaqet në meridian. Mbreti i tha: ‘Si mund të ndodhë kjo në vendim tim? Dielli këtu lind rrallë pasi ne jemi përtej klimave dhe këtu fryn kryesisht veriu. Ç’të mirë kam nga urtia jote apo nga kjo kohë kaq e gjatë që nevojitet per shërim? Po e shoh se ke vetëm fjalë.' Doktori iu përgjigj: 'I urti nuk duhet të jetë i rrëmbyer. Megjithatë, që të mos të dukem i pabesueshëm dhe jo miqësor, lërmë të kujdesem për këta dy persona. Do t’i çoj në kufijtë e mbretërisë sate ku ajri është më i përshtatshëm dhe pastaj do të shikosh sa vlejnë veprat dhe sa vlejnë fjalët.'

Mbreti i tha: 'Ne jemi të zënë me çështje më të mëdha dhe të dobishme. Pse na shpërqëndron? Apo ç’e mirë na vjen nga mësimi yt? Ne gjejmë gëzim në të mirat e tanishme, në gjërat që shohim dhe kemi. Nuk aspirojmë për shpërblime të ardhshme dhe të pasigurta. Por merri ata të dy, siç kërkon. Nëse arrin të na tregosh ndonjë gjë të madhe dhe të mrekullueshme nëpërmjet tyre, ne vetë do të të shpallim të lavdishëm.' E kështu ai i mori ata të dy dhe i çoi në një klimë të butë. Njëri prej tyre ndërroi jetë, por tjetri, i ripërtërirë nga ajri i mirë, e mori veten.

Unë jam ai doktor që i dërgova botës fjalët e Mia nga dëshira për të kuruar shpirtrat. Edhe pse i shoh sëmundjet e shumë vetëve, të tregova vetëm dy nëpërmjet të cilëve ti mund të admirosh drejtësinë dhe mëshirën Time. Të tregova njërin që djalli e zotëronte fshehtësisht dhe që e priste ndëshkimi i përjetshëm. E megjithatë njerëzve veprat e tij u dukeshin të drejta dhe lëvdoheshin si të tilla. Të tregova një tjetër person të cilin djalli e kontrollonte haptazi, por që Unë thashë se do të shërohej kur t’i vinte koha edhe pse jo në mënyrë të dukshme për sytë e njerëzve, siç po mendoje ti. Ishte drejtësi hyjnore që shpirti i keq filloi ta kontrollonte gradualisht, por e njëjta drejtësi kërkonte që djalli të largohej prej tij gradualisht, pasi në fakt u largua prej tij kur shpirti u nda nga trupi. Pastaj djalli e shoqëroi shpirtin në gjykim.

Gjykatësi i tha: 'Ti e ke ndëshkuar dhe kaluar në sitë si miell. Tani Mua më takon ta kurorëzoj me kurorë të dyfishtë për shkak të dëshmisë së tij. Largohu prej shpirtit që e ke munduar aq gjatë.' Dhe ai tha: 'Eja, shpirt i bekuar, shijoji lavdinë dhe gëzimin Tim me shqisat e shpirtit tënd!' Shpirtit tjetër i tha: 'Duke qenë se nuk kishe fenë e vërtetë dhe prapë të nderonin dhe lëvdonin sikur të ishe besimtar dhe duke qenë se nuk kishe veprat e përsosura që duhet të ketë një i drejtë, nuk do të marrësh shpërblimin që i takon besimtarit. Gjatë jetës ti çuditeshe pse Unë duhej të vdisja për ty dhe pse e përvujtëroja veten për ty.

Tani të përgjigjem se feja e kishës së shenjtë është e vërtetë dhe i çon shpirtrat lart, ndërsa pasioni dhe gjaku Im i lejon të hyjnë në qiell. Prandaj mosbesimi dhe dashuria jote shtiracake do të të plandosin në hiç dhe ti do të jesh hiç përsa u përket të mirave shpirtërore të përjetshme. Përsa i përket faktit përse djalli nuk doli nga tjetri në sy të të gjithëve, Unë përgjigjem: Kjo botë është si kolibe mjerane në krahasim me tabernakulin ku banon Hyji dhe njerëzit e ndezin zemërimin e Hyjit. Prandaj ai doli gradualisht ashtu siç kishte hyrë në të.' "