Nëna i flet bijës për ambicjen e ipeshkvinjve të këqinj; ajo shpjegon me anë të një shëmbëlltyre të gjatë se shumë vetë, në sajë të synimeve të tyre të mira, arrijnë në rangun shpirtëror që ipeshkvinjtë e papërmbajtur e humbasin edhe pse janë thirrur në të fizikisht.
Libri 3 - Kapitulli 4

Nëna e Hyjit i flet nuses së Birit dhe thotë: "Ti qan sepse Hyji i do kaq shumë njerëzit ndërsa ata e duan pak Hyjin. Kështu është e vërteta. Ku është ai sundimtar apo ipeshkëv që nuk e dëshiron postin për të fituar ndere dhe pasuri tokësore por nga dëshira për të ndihmuar personalisht të varfërit? Meqenëse sundimtarët dhe ipeshkvinjtë nuk duan të vijnë në dasmën e përgatitur në qiell, atëherë aty do të vijë i varfri dhe i dobëti, siç do të të tregoj me anë të një shembulli.

Në një qytet jetonte një ipeshkvëv i urtë, i pashëm dhe i pasur e që lëvdohej për urtinë dhe pamjen e vet por, ndryshe nga ç’duhet të bënte, nuk e falenderonte Hyjin që i kish dhënë aq shumë urti. Ai lëvdohej dhe nderohej edhe për pasurinë që kish dhe bënte dhurata të shumta për interes. Dëshironte të kishte pasuri edhe më të mëdha që të mund të bënte edhe më shumë dhurata dhe të nderohej edhe më tepër. Ky ipeshkëv kishte një prift të ditur në dioqezë që mendoi me vete: 'Ky ipeshkëv,' tha ai, 'e do Hyjin më pak se ç’duhet. Gjithë jeta e tij priret nga gjërat tokësore.

Prandaj, nëse i pëlqen Hyjit, do të doja të bëhesha ipeshkëv në vend të tij që t’i jepja lavdi Hyjit. Nuk e dua këtë për nder tokësor sepse e di që një nder i tillë nuk është veç flluskë sapuni, as për pasuri që është e rëndë si plumbi, as për çlodhje dhe komoditete sepse më mjafton çlodhja me masë për ta mbajtur trupin në formë për t’i shërbyer Hyjit. Jo, e dëshiroj vetëm për hir të Hyjit. Dhe edhe pse jam i padenjë për ndere, prapë, për të fituar më shumë shpirtra për Hyjin dhe për t’u bërë i dobishëm për njerëzit me anë të fjalës dhe shembullit tim dhe për të ndihmuar më shumë njerëz me të ardhurat e kishës, me gëzim do ta merrja përsipër detyrën e vështirë të ipeshkvit.

Hyji e di se unë do të preferoja të vdisja njëmijë herë e do të duroja çdo vështirësi sesa të bëhesha ipeshkëv. Unë jam i dobët para vuajtjeve si të tjerët, por prapë ai që aspiron të bëhet ipeshkëv dëshiron një detyrë fisnike. Për këtë arësye do të isha gati ta pranoja titullin e nderuar të ipeshkvit bashkë me barrën e ipeshkvit, edhe pse këtë gjë e dua njëlloj siç dua vdekjen. Nderi më shërben për të shpëtuar sa më shumë shpirtra. Barrën e dua për shpëtimin tim dhe për të treguar dashurinë time për Hyjin dhe shpirtrat. Postin e dua vetëm e vetëm që të jem në gjendje per të ndihmuar bujarisht të varfërit me të mirat e kishës, për të këshilluar shpirtrat më haptazi, për t’i mësuar më vendosshmërisht ata që gabojnë, për t’i vënë fre edhe më tepër trupit tim, për të qenë më këmbëngulës në vetëpërmbajtje që të bëhem shembull për të tjerët.'

Ky meshtar e qortoi vetëm për vetëm ipeshkvin. Por ipeshkvi e mori ters dhe e qortoi priftin para të tjerëve e u mburr për aftësinë dhe maturinë vet. Edhe pse i prekur nga sjellja e ipeshkvit, meshtari i duroi fyerjet. Por ipeshkvi u tall mirësinë dhe durimin e meshtarit dhe foli aq shumë kundër tij sa faji iu la meshtarit të cilin e quajtën gënjeshtar të marrë, ndërsa ipeshkvin e quajtën të drejtë dhe të matur.

Erdhi dita dhe edhe ipeshkvi edhe meshtari ndërruan jetë dhe u thirrën në gjykim para Hyjit. Para Tij dhe në praninë e engjëjve u shfaq një fron i artë me turbanin dhe distinktivin e ipeshkvit. Një numër i madh djajsh e ndiqnin meshtarin për t’u përpjekur të gjenin ndonjë faj të pafalshëm tek ai. Sa për ipeshkvin, ishin të sigurtë se e kishin në dorë njëlloj siç është e sigurt balena për këlyshët që mban gjallë në bark mes valëve. Shumë akuza u paraqitën kundër ipeshkvit; përse dhe me ç’qëllim e deshi postin e ipeshkvit, përse u krenua për të mirat që duhej të përdoreshin për shpirtrat, si i drejtoi shpirtrat që i ishin besuar, në ç’mënyrë i ishte përgjigjur hirit që i kish dhënë Hyji.

Kur ipeshkvi nuk dinte si të justifikohej, gjykatësi u përgjigj: ‘Vendosini ipeshkvit në kokë ekskremente në vend të turbanit dhe zift në duar në vend të dorashkave, baltë në këmbë në vend të sandalleve. Në vend të këmishës dhe veshjeve të linjta të ipeshkvit, vishini rrecka laviresh. Le ta mbulojë turpi në vend të nderit, le të ketë një turmë të tërbuar djajsh në vend të shërbëtorëve.' Pastaj gjykatësi shtoi: 'Vendosini meshtarit në kokë një kurorë të shndritshme si dielli, vishini dorashka të praruara në duar, këpucë në këmbë. Le të veshë petkat e ipeshkvit me çdo nder.'
I veshur me uniformë ipeshkvnore, i rrethuar nga ushtria qiellore, ai iu paraqit gjykatësit si ipeshkëv i nderuar. Ndërsa ipeshkvi u largua si cub me një litar në qafë. Gjykatësi i largoi prej tij sytë e Vet të mëshirshëm e ashtu bënë edhe të gjithë shenjtërit.

Në këtë mënyrë shumë vetë, në sajë të synimeve të mira dhe në kuptim shpirtëror, fitojnë rangun dhe nderin e nëpërkëmbur nga të tjerë që qenë thirrur në kuptim fizik. Të gjitha këto gjëra ndodhin njëkohësisht para Hyjit edhe pse, për hirin tënd, ato u ilustruan me fjalë, pasi njëmijë vjet janë si një orë e vetme për Hyjin. Ndodh çdo ditë që meqenëse ipeshkvët dhe sundimtarët nuk e duan postin ku janë thirrur, Hyji zgjedh për Vete meshtarë të thjeshtë dhe punonjës famullie të cilët jetojnë me ndërgjegje e do të ishin gati të kontribuonin për shpirtrat dhe lavdinë e Hyjit. Për këtë arësye ata do të zënë vendet e përgatitura për ipeshkvinjtë.

Hyji është si një njeri që var një kurorë të artë jashtë derës së shtëpisë së vet dhe u thërret kalimtarëve: 'Çdokush, pavarësisht se cilës shtrese shoqërore i përket, mund ta fitojë këtë kurorë! Do ta fitojë ai që është veshur më fisnikërisht me virtyt.' Ta dish se nëse ipeshkvinjtë dhe sundimtarët janë të urtë me urti tokësore, Hyji është më i urtë se ta në kuptim shpirtëror, pasi ai lartëson të përvuajtërit dhe nuk i pranon krenarët. Ta dish gjithashtu se meshtarit në fjalë nuk iu desh të përkujdesej për kalin kur shkonte për të predikuar apo për punë të tjera e as të ndizte zjarr kur i duhej të hante.

Jo, ai kishte shërbëtorët dhe mjetet e nevojshme për të jetuar pranueshëm. Kishte edhe para, edhe pse jo për përdorim vetjak lakmitar, pasi edhe po të kishte patur gjithë pasurinë e botës ai nuk do të kishte dhënë as edhe një kacidhe të vetme për t’u bërë ipeshkëv. Megjithatë kurrë nuk do të kishte refuzuar të bëhej ipeshkëv, nëse ky do të kishte qenë vullneti i Hyjit. Ai ia dorëzoi vullnetin Hyjit, i gatshëm të pranonte gjithçka, si për mirë e për keq, për nder të Hyjit dhe nga dashuria për Të."