Ambozi i tregon nuses për lutjet që të mirët bëjnë për njerëzit; sundimtarët e botës dhe të kishës krahasohen me timonierët, krenaria dhe veset e tjera krahasohen me stuhitë dhe kalimi tek e vërteta krahasohet me një port; edhe për thirrjen shpirtërore të nuses.
Libri 3 - Kapitulli 5

Është shkruar se miqtë e Hyjit një herë iu lutën Hyjin që t’i çante qiejt e të zbriste për të çliruar popullin e Tij Izraelin. Edhe tani miqtë e Hyjit luten duke thënë: 'Hyj i mirë, ne shohim njerëz të panumërt që vdesin nga stuhi të rrezikshme pasi timonierët e tyre janë lakmitarë dhe dëshirojnë gjithnjë të zbarkojnë në vende ku mendojnë se do të kenë fitim më të madh. Ata i çojnë njerëzit drejt vendeve ku ka oshëtima të llahtarshme dallgësh, ndërsa vetë njerëzit nuk dinë ndonjë port të sigurt. E kështu këta njerëz të panumërt gjenden në rrezik serioz dhe shumë pak prej tyre arrijnë në port të sigurt. Të lutemi, Mbret i çdo lavdie, ki mirësinë ta ndriçosh portin që populli Yt t’i shpëtojë rrezikut e të mos i duhet t’i bindet timonierëve të këqinj por ta udhëheqë drita Jote e bekuar.'

Me timonierët unë kam parasysh të gjithë ata që kanë pushtet material ose shpirtëror në botë. Shumë prej tyre e duan vullnetin e vet aq shumë sa nuk duan t’ia dinë për nevojat e shpirtrave për të cilët janë përgjegjës apo për stuhitë e forta të botës, pasi me vullnetin e tyre të lirë janë bërë pre e stuhive të krenarisë, lakmisë dhe fëlliqësisë. Populli i gjorë i imiton duke menduar se ata janë në rrugë të drejtë. Në këtë mënyrë sundimtarët çojnë drejt ferrit veten dhe vartësit e tyre duke iu nënshtruar çdo dëshire egoiste. Me port unë nënkuptoj rrugëkalimin që të shpie tek e vërteta.

Për shumë njerëz këtë rrugëkalim e ka kapluar terri aq shumë saqë kur dikush u tregon atyre si të mbërrijnë në portin e atdheut qiellor me anë të ungjillit të shenjtë të Krishtit, ata e quajnë gënjeshtar dhe ndjekin ata që zhgërryhen në çdo mëkat të mundshëm, duke mos i besuar fjalëve të atyre që predikojnë të vërtetën e ungjillit.
Drita që kërkojnë miqtë e Hyjit simbolizon mesazhin hyjnor për botën në mënyrë që dashuria për Hyjin të ringjallet në zemrën e njeriut dhe drejtësia e Tij të mos harrohet apo neglizhohet. Prandaj, për shkak të mëshirës së Tij dhe të lutjeve të miqve të Tij, Hyjit i pëlqeu të të thërrasë në Shpirtin Shenjt që ti të shikosh, dëgjosh dhe kuptosh shpirtërisht e t’u tregosh të tjerëve çka dëgjon sipas vullnetit të Hyjit."