Virgjëra i flet nuses duke e krahasuar ipeshkvin botëdashës me një kacek plot ajër apo me një kërmill të shtrirë në fëlliqësi dhe për gjykimin e këtij ipeshkvi që ndryshon kryekëput nga Ipeshkvi Ambroz.
Libri 3 - Kapitulli 7

Shkrimi thotë: 'Ai që e do shpirtin e vet në këtë botë, do ta humbasë.' E ky ipeshkëv e deshi fort shpirtin e vet dhe në zemrën e tij nuk kishte prirje shpirtërore. Ai mund të krahasohet me një kacek me ajër në një kovaçanë. Sikurse në kacek mbetet prapë ajër edhe pasi shuhet qymyri dhe metali i përskuqur rrjedh, po ashtu këtij njeriu i mbetën po të njëjtat prirje edhe pse nuk i mohoi asgjë vetes dhe e shpenzoi kohën kot. Vullneti i tij priret nga krenaria dhe epshi. Për shkak të këtyre veseve, me shembullin e vet të keq, ai u jep shkas njerëzve zemërgurë të zhyten në mëkat dhe të përfundojnë në ferr.

Ipeshkvi i mirë Ambroz nuk sillej kështu. Zemra e tij ishte plot me vullnetin e Hyjit. Ai hante dhe flinte me masë. E zboi dëshirën për mëkat dhe e kalonte kohën dobishëm dhe në mënyrë të moralshme. Ai fare mirë mund të quhet një kacek virtytesh. Shëroi plagët e mëkatit me fjalët e së vërtetës. Me shembullin e tij të mirë ndezi flakë ata që ishin ftohur në dashurinë e Hyjit. Me pastërtinë e jetës së vet ua uli ethet atyre që digjeshin nga dëshira mëkatare. Kështu ai ndihmoi shumë vetë t’i shpëtonin ferrit, pasi dashuria hyjnore mbeti në të deri në fund të jetës.

Ndërsa ky ipeshkëv është si kërmill që zgërryhet në pisqëllet e veta dhe zvarritet përtokë. Në të njëtën mënyrë ky njeri zgërryhet dhe gjen kënaqësi në ndyrësi, e tërheqin gjërat tokësore dhe jo ato të përjetshme. Do të doja që të reflektonte mbi tre gjëra: E para, mënyrën se si e ka ushtruar detyrën priftërore. E dyta, kuptimin e shprehjes ungjillore: 'Vishen si dele, por janë ujqër grabitqarë nga brenda.' E treta, arësyen pse zemra e tij digjet për gjërat e përkohshme dhe është e ftohtë për Krijuesin e gjithë gjërave."