Virgjëra i tregon nuses për përsosmërinë dhe madhështinë e saj, për dëshirat e çrregullta të mësuesve të tanishëm dhe për gënjeshtrën me të cilën ata i përgjigjen pyetjes që u bën Virgjëra e lavdishme.
Libri 3 - Kapitulli 8

Nëna thotë: "Unë jam gruaja që ka qenë gjithmonë në dashurinë e Hyjit. Qysh nga fëmijëria kam qenë krejtësisht në shoqërinë e Shpirtit Shenjt. Nëse do një shembull, mendo si rritet arra. Ndërsa zgjerohet dhe rritet lëvozhga, rritet edhe arra brenda dhe nuk mbetet vend bosh për gjëra të jashtme. Po në këtë mënyrë edhe unë isha plot me Shpirtin Shenjt qysh nga fëmijëria. Ndërsa rritesha me trup dhe në moshë, Shpirti Shenjt më mbushte plot e përplot e nuk mbetej vend në mua ku të hynte mëkati. Prandaj unë jam ajo që kurrë nuk bëri mëkat të lehtë apo të rëndë. Digjesha nga dashuria për Hyjin aq shumë saqë nuk më pëlqente tjetër gjë përveçse të bëja vullnetin e Hyjit, pasi në zemrën time flakëronte zjarri i dashurisë hyjnore.

Hyji, i bekuar mbi gjithçka përgjithmonë, që më krijoi me dhe më mbushi me pushtetin e Shpirtit Shenjt, më donte me zjarr. Prej pasionit të dashurisë, Ai më dërgoi lajmëtarin e Vet dhe më kumtoi vendimin e Tij për të më bërë Nënën e Hyjit. Kur e kuptova cili ishte vullneti i Hyjit, atëhere me zjarrin e dashurisë që kisha në zemër për Hyjin, menjëherë nga buzët e mia dolën fjalë bindjeje të vërtetë dhe iu përgjigja lajmëtarit duke thënë: 'U bëftë mbi mua sipas fjalës sate.' Taman në atë çast Fjala u bë njeri brenda meje. Biri i Hyjit u bë biri im.

Ne të dy kishim një bir që ishte edhe Hyj edhe njeri, ashtu si unë jam edhe Nënë edhe Virgjër. Ndërkohë që im Bir Jezu Krishti, Hyj i vërtetë dhe më i urti i njerëzve, ndodhej në krahërorin tim, më dha urti aq të madhe saqë jo vetëm mund t’i kuptoja mësimet e të diturve, por edhe mund të kuptoja nëse zemra e tyre ishte e sinqertë, nëse fjalët u buronin nga dashuria për Hyjin apo thjesht prej dijeve. Prandaj ti që i dëgjon fjalët e mia duhet t’i thuash atij të dituri se unë kam tre pyetje për të: E para, preferon të fitojë simpatinë dhe miqësinë e ipeshkvit në kuptim trupor, apo t’i paraqesë Hyjit shpirtin e ipeshkvit në kuptim shpirtëror? E dyta, e gëzojnë më tepër paratë e shumta apo mungesa e tyre? E treta, cilën nga këto të dyja preferon: ta mbajnë për të ditur dhe të ketë post në rangjet e larta për hir të lavidsë tokësore apo ta quajnë thjesht vëlla dhe të numërohet mes njerëzve të thjeshtë.

Le t’i shqyrtojë me kujdes këto tre pyetje. Nëse dashuria e tij për ipeshkvin është trupore dhe jo shpirtërore, atëherë do të thotë se ai i thotë ipeshkvit gjëra që atij i pëlqen t’i dëgjojë dhe nuk e ndalon të kryejë veprat mëkatare që dëshiron të bëjë.
Nëse preferon më tepër të ketë para sesa të mos ketë, atëhere ai do pasurinë më tepër se varfërinë. Prandaj të krijohet përshtypja se ai i këshillon miqtë e vet që të fitojnë sa më shumë të munden dhe jo të heqin dorë me gëzim nga gjëra që nuk u nevojiten. Nëse për hir të nderit tokësor ai preferon famën e të diturit dhe një vend nderi, atëhere ai e do krenarinë më tepër se përvujtërinë dhe kjo e bën që para Hyjit të duket më tepër si gomar se i ditur. Në këtë rast është sikur të përtypte kashtë që nuk ngop, pasi e tillë është dija akademike pa dashuri, dhe jo miell të pastër dashurie, pasi dashuria hyjnore kurrë nuk lulëzon në një zemër krenare."

Kur i dituri u justifikua duke thënë se ai do të preferonte t’ia paraqiste Hyjit shpirtin e ipeshkvit në kuptim shpirtëror, se do të preferonte të mos kishte para dhe, së treti, se nuk donte t’ia dinte për famën e të diturit, Nëna tha përsëri: "Unë jam ajo që dëgjoi të vërtetën nga buzët e Gabrielit dhe besoi pa dyshuar. Prandaj e Vërteta mori trup dhe gjak nga trupi im dhe mbeti në mua.

Unë linda po atë të Vërtetë që ishte në vetvete edhe Hyj edhe njeri. Duke qenë se e Vërteta, që është Biri i Hyjit, deshi të vinte tek unë e të banonte në mua dhe të lindte prej meje, unë e kuptoj fare mirë kur njeriu thotë të vërtetëm apo gënjen. I bëra të diturit tre pyetje. Do ta kisha pranuar përgjigjen e tij nëse e vërteta do të ishte në fjalët e tij. Por në to nuk kishte të vërtetë. Prandaj po i bëj tre paralajmërime. E para është se ka disa gjëra që ai i do dhe i dëshiron në këtë botë por që nuk do t’i realizojë dot. E dyta është se ai ka për ta humbur shpejt çka zotëron me pasion tokësor. E treta është se të vegjlit do të hyjnë në qiell. Të mëdhjenjtë do të mbeten jashtë sepse porta është e ngushtë."