Krishti i ankohet nuses për romakët dhe i tregon për vendimin e rreptë që do të marrë ndaj tyre nëse vdesin në mëkat.
Libri 4 - Kapitulli 10

Biri i Hyjit thotë: "O, Romë, ti m’i shpërblen keq nderet që të kam bërë. Unë jam Hyji që ka krijuar gjithçka dhe e tregova dashurinë me vdekjen e mundimshme trupore, vdekje që desha ta vuaj për të shpëtuar shpirtrat. Tre janë shtigjet nga të cilat desha të vij tek ti dhe ti në të treja më ngrite kurth. Bëre gati një shkëmb të madh në lartësi për të më shkërmoqur në shtegun e parë. Vendosë një heshtë të mprehtë në shtegun e dytë për të ma zënë rrugën që më sillte tek ti. Gërmove një hendek në shtegun e tretë që të bija brenda dhe të mbytesha. Çfarë them nuk duhet kuptuar në kuptim fizik, por shpirtëror. Po u flas banorëve të Romës që sillen në këtë mënyrë dhe jo miqve të Mi që nuk pajtohen me veprat e tyre.

Shtegu i parë nga ku zakonisht hyj në zemrën e njeriut është frika e Hyjit. Në lartësi ata kanë vendosur një alamet shkëmbi, domethënë kryelartësi të madhe që nuk i druhet gjykatësit të cilit askush nuk mund t’i bëjë ballë. Ata thonë me vete: 'Po më kaploi frika e Hyjit, do ta shkërmoq me kryelartësinë e zemrës sime.' Shtegu i dytë nga i cili vij është frymëzimi hyjnor që shpesh vjen edhe me anë të predikimit dhe mësimit. Në këtë shteg më pengojnë me heshtë kur gjejnë gëzim në mëkat dhe janë të vendosur të qëndrojnë në ligësi derisa të munden. Kjo është heshta që e pengon hirin e Hyjit të vijë tek ta. Shtegu i tretë është ndriçimi i Shpirtit Shenjt në çdo zemër, ndriçim që e ndihmon njeriun të kuptojë natyrën dhe madhështinë e asaj që kam bërë dhe kam vuajtur për të. Gërmojnë një hendek të thellë kur thonë me vete: 'Qejfet e mia i dua më shumë se dashurinë e Tij. Më ngazëllejnë gëzimet e kësaj jete.' E kështu i mbysin dashurinë hyjnore dhe të gjitha veprat e Mia si në një hendek të thellë.

Të gjitha këto m’i bëjnë banorët e Romës me fjalë dhe vepra. I mbajnë për hiç fjalët dhe veprat e Mia dhe, në vend që të më falenderojnë, më mallkojnë dhe fyejnë Mua, nënën Time dhe shenjtërit e Mi, me shaka dhe seriozisht, kur janë të gëzuar ose të zemëruar. Nuk jetojnë sipas normave të krishtera, siç urdhëron Kisha e Shenjtë, më duan aq sa më duan djajtë. Djajtë preferojnë më mirë të durojnë përgjithmonë mjerimin e tyre dhe të qëndrojnë në ligësi sesa të më shohin dhe të rrinë me Mua në lavdinë e amshuar. Këta janë ata që refuzojnë ta marrin Trupin Tim që shugurohet nga buka e altarit, siç e caktova Unë, dhe që është ndihmesë e madhe kundër tundimevë të djallit. Sa mjeranë janë ata që e shpërfillin këtë ndihmë ndërsa janë ende të shëndetshëm dhe e refuzojnë si të ishte helm ngaqë nuk duan ta lënë mëkatin!

Tani do të vij nga një shteg i panjohur për ta me anë të fuqisë Sime hyjnore për t’u hakmarrë ndaj atyre që e përbuzin natyrën Time njerëzore. Dhe ashtu si ata kanë përgatitur tre pengesa në shtigjet e tyre që të më pengojnë të vij, po ashtu Unë do të përgatis tre pengesa për ta që do t’i hidhërojnë për së gjalli dhe për së vdekuri. Shkëmbi Im është një shkëmb i befasishëm dhe i paparashikuar që do t’i shkërmoqë e do t’i bëjë t’i lënë pas tërë dëfrimet dhe shpirti i tyre do të vij fillikat në gjykimin Tim. Heshta Ime është drejtësia Ime e ajo do t’i ndajë prej Meje dhe ata kurrë nuk do ta shijojnë Atë që i shëlboi dhe kurrë nuk do ta kundrojnë bukurinë e Atij që i krijoi. Hendeku Im është errësira e ferrit ku do të bien e do të jetojnë përjetësisht në mjerim. Të gjithë engjëjt e Mi në qiell dhe të gjithë shenjtërit do t’i dënojnë e të gjithë djajtë dhe shpirtrat në ferr do t’i mallkojnë.

Këtë po e them për ata që ndodhen në kushtet e përshkruara më sipër, qofshin klerikë rregulltarë ose shekullarë, apo burra dhe gra laikë apo bijtë dhe bijat e tyre që kanë arritur moshën kur mësohet se Hyji ndalon çdo mëkat e prapë mëkatojnë e ia mbyllin dyert dashurisë së Hyjit dhe e humbasin frikën e Tij.
Unë kam tani po atë vullnet që kisha kur isha në kryq. Jam po Ai që isha atëherë kur ia fala mëkatet cubit pasi kërkoi mëshirë dhe i hapa dyert e qiellit. Ndërsa për cubin tjetër, atë që më përçmoi, i largova barrierat e ferrit e ai do të vuajë atje përjetësisht për mëkatet e veta."