Krishti i flet nuses dhe i tregon asaj se ajo është si pipëz e Shpirtit Shenjt me të cilën Ai krijon muzikë të këndshme në botë për lavdinë e Tij dhe për të mirën e njerëzve. Për këtë arësye, Ai dëshiron ta veshë atë me argjendin e një sjelljeje dhe urtie të virtytshme nga jashtë dhe me arin e përvujtërisë dhe pastërtisë së zemrës nga brenda.
Libri 4 - Kapitulli 100

Biri i thotë nuses: "Ti duhet të jesh si pipëz me të cilën instrumentisti luan muzikë të këndshme. i zoti i pipëzës e vesh atë me argjend nga jashtë që të duket më e çmueshme, por me ar të fortë nga brenda. Edhe ti duhet të vishesh me argjendin e një sjelljeje të virtytshme dhe urti njerëzore me qëllim që të kuptosh çfarë i detyrohesh Hyjit dhe të afërmit si dhe çfarë nevojitet për shpëtimin e përjetshëm të trupit dhe shpirtit. Nga brenda duhet të vishesh me arin e përvujtërisë që të dëshirosh të më pëlqesh vetëm Mua dhe askujt tjetër dhe të mos kesh frikë kur për hirin Tim nuk u pëlqen të tjerëve.

Instrumentisti bën edhe tre gjëra të tjera për pipëzën e vet. Së pari e mbështjell me mëndafsh që të mos ndotet. Së dyti bën një kuti për ta mbajtur. Së treti bën një dry për kutinë që mos ta vjedhin. Edhe ti duhet të mbështillesh me pastërti që të mos dëshirosh më të ndotesh nga epshi apo dëshira.

Përkundrazi, duhet të përpiqesh të rrish vetëm pasi shoqërimi me njerëz të këqinj e prish sjelljen e virtytshme. Dryni simbolizon ruajtjen me kujdes të të gjitha shqisave dhe aftësive të tua të brendshme që të mbrohesh nga mashtrimet e djallit në të gjitha veprimet e tua. Ndërsa çelësi është Shpirti Shenjt. Ai e hap zemrën tënde, taman siç dëshiroj Unë, për lavdinë Time dhe për të mirën e njerëzve."