Nusja sheh gjykimin e shpirtit të një murgu para Krishtit gjykatës. Virgjëra e Bekuar ndërmjetëson për të dhe djalli e akuzon ashpër për mëkate të rënda.
Libri 4 - Kapitulli 102

Nëna e Hyjit i drejtohet të Birit duke thënë: "Dua të të kërkoj një nder të madh. Edhe pse Ti di gjithçka, po e them për hir të asaj që ndodhet e pranishme këtu." Biri përgjigjet: "Çdo gjykim më është dhënë Mua dhe më duhet të gjykoj gjithçka. I drejti ka nëntë karakteristika të mira. Së pari, dëgjon me vëmendje; së dyti, di t’i dallojë akuzat; së treti, synon të gjykojë drejt; së katërti, shqyrton shkaqet e çështjes gjyqësore; së pesti, shqyrton sa kohë ka zgjatur problemi, pasi sa më tepër vonon drejtësia aq më i madh është dëmi; së gjashti, shqyrton cilësitë e dëshmitarëve, nëse ata janë të besueshëm, nëse dëshmitë përkojnë me njëra-tjetrën, nëse njëra nga palët në gjyq ka më tepër dëshmitarë se tjetra; së shtati, nuk është as i rrëmbyer as i avashtë në gjykim, as trembet nga i forti e as ka frikë se mos humbet nderin për shkak të së vërtetës; së teti, nuk do t’ia dijë për lutjet dhe rryshfetet e askujt; së nënti, është i drejtë në gjykim dhe e gjykon të varfrin njëlloj si të pasurin, vëllain apo të birin njëlloj si të huajin, e nuk e shkel të vërtetën për interesa personale. Prandaj, Nënë e dashur, thuaj ç’ke për të thënë!"

Nëna u përgjigj: "Dy vetë përleshen me njëri-tjetri dhe dy shpirtra janë në ta, një shpirt i mirë tek njëri dhe një i keq tek tjetri. Ata luftojnë për çka Ti ke fituar me gjakun Tënd, njëri për të vrarë dhe tjetri për të dhënë jetë. Bindja dhe dashuria gjenden tek njëri, urrejtja dhe krenaria tek tjetri. Vendos pra ashtu siç duhet!" Biri u përgjigj: "Sa dëshmitarë ka miku yt dhe sa tjetri?" Nëna u përgjigj: "Miku im ka pak dëshmitarë, ndërsa tjetri ka shumë dëshmitarë." Biri u përgjigj: "Do të gjykoj me drejtësi." Nëna tha: "Miku im nuk kërkon asgjë. Po Unë, Zoja e tij, kërkoj që të mos ngadhnjejë e keqja." Biri u përgjigj: "Do të bëj siç do ti. Megjithatë, siç e di, vendimi fizik i paraprin atij shpirtëror dhe askush nuk dënohet nëse nuk ka kryer mëkat."

Nëna: "Biri im, edhe pse ne dimë gjithçka, unë po pyes në emër të asaj që është e pranishme se cili është vendimi fizik dhe cili vendimi shpirtëror në këtë rast?" Biri: "Vendimi fizik është që shpirti i tij duhet të ndahet shpejt nga trupi dhe shkaktare të vdekjes do të ketë dorën e vet. Vendimi shpirtëror është që shpirti i tij duhet varur në trekëmbëshin e ferrit që nuk është prej litarësh por prej flakësh përvëluese, pasi ai është dele e padenjë që është larguar nga tufa."

Pastaj një prej murgjërve agustinianë iu drejtua gjykatësit dhe tha: "Zot, ky njeri s’ka të bëjë fare me Ty. Ti e thirre per të bërë jetë të veçuar dhe ai e harroi këtë. E ka shkelur premtimin e bindjes. Emri i tij është fshirë. Veprat e tij janë hiç." Gjykatësi u përgjigj: "Shpirti i tij nuk është i pranishëm në sallën e gjyqit që të mund të përgjigjet." Djalli i tha: "Përgjigjem unë. Ti vërtet e thirre nga stuhitë e botës në një jetë të veçuar, por unë e thirra nga maja më e lartë në honin më të thellë. Ai m’u bind menjëherë. Emri i tij është i lavdishëm në sytë e mi."

Gjykatësi: "Shpjego ç’di për të." Djalli tha: "Patjetër, edhe pse këtë e bëj pa dëshirë. Ti e thirre nga andrallat e stuhishme të botës në limanin e qetë të jetës shpirtërore, por ai nuk e çmoi këtë e u dha edhe më shumë pas interesave tokësore. Maja më e lartë është pendesa dhe rrëfimi i sinqertë. Kush gjendet në këtë majë bisedon me Ty, të Plotfuqishmin, dhe përjeton mëdhështinë Tënde. Unë e hodha kokëposhtë nga maja më e lartë në çastin kur vendosi të mëkatonte deri në fund, në çastin kur nuk iu duk gjë të mëkatonte dhe nuk deshi t’ia dijë për drejtësinë Tënde.

Honi më i thellë janë grykësia dhe lakmia sepse, si hone të pamatë, nuk ngopen. Aq e pangopur ishte lakmia e tij! Kish emrin e murgut dhe të jesh murg do të thotë të jesh i vetëpërmbajtur edhe në gjërat e ligjshme. Por ky emër u fshi prej tij dhe tani ai quhet Saul. Ashtu sikurse Sauli u largua nga udha e bindjes, ashtu ka vepruar edhe ai. E ka shkelur premtimin e bindjes. Ashtu si buzët e një dërrase të thyer nuk mund të puthiten kur druri kalbet, ashtu edhe dëshira e këtij njeriu për qiellin dhe dashuria e tij për Hyjin, që janë si dy buzët apo pikat e bashkimit të bindjes, nuk u puqën bashkë në bindjen e tij, pasi ai bindej vetëm për hir të përfitimeve tokësore dhe të vullnetit të vet. Edhe veprat e tij ishin si të miat. Edhe pse unë nuk them meshë e as këndoj e nuk bëj gjëra të tjera që bën ai, prapë se prapë kur ai i bën të gjitha ato sipas vullnetit tim, atëherë ai bën veprat e mia, pasi mund të thuhet se veprat e tij janë të miat. Kur ai mban meshë, ai të afrohet Ty me mendjemadhësi dhe ajo mendjemadhësi e mbush edhe më shumë me ligësinë time. Ai këndon për hir të lëvdatave njerëzore. Kur i kthej shpinën, ai më kthen shpinën. Sa herë që dua, ai e kthen barkun nga barku im, domethënë ai i kënaq dëshirat e tij sensuale siç dua unë. Gjithçka që bën, e bën për jetën e tanishme dhe për për shkak të vullnetit të tij. Prandaj veprat e tij janë veprat e mia."

SQARIM
Më pas u shfaq shpirti i verbër dhe duke u dridhur. Një etiopas e ndoqi derisa arriti tek gjykatësi i ulur në një fron të madh pranë të cilit gjendej një turmë e madhe. Etiopasi tha: "O Gjykatës, merr vendim për këtë shpirt. Tani shpirti i tij është vetë i pranishëm dhe vendimi fizik tashmë është ekzekutuar." Etiopasi tha: "Ti the se dora e tij duhej të ishte vdekja e tij. Kjo gjë tashmë ndodhi." Gjykatësi: "Kjo mund të kuptohet në dy mënyra. Ose një veprim i keq u bë shkak për vdekjen e tij ose dora e tij fizike ia mori jetën trupit të tij fizik." Etiopasi u përgjigj: "Është e vërtetë. Mënyra e turpshme e jetesës ia vrau shpirtin dhe padurimi i hapi në trup plagën nga e cila vdiq." Gjykatësi i tha: "Ti the më parë se ky shpirt i ka ndjekur dëshirat e tua deri më një, se je përpjekur ta hedhësh poshtë nga maja më e lartë dhe se ai e ktheu barkun nga ty. Prandaj le të dëgjojmë ç’ka për të thënë shpirti!"

Pastaj Gjykatësi u kthye nga shpirti dhe i tha: "Shpirt, ti pate aftësi mendore për të dalluar të mirën nga e keqja. Përse e nëpërkëmbe nderin tënd priftëror?" Shpirti u përgjigj: "Pata aftësi mendore por preferova të ndiqja vullnetin tim sepse nuk besoja se diçka kaq e madhe mund të fshihej pas gjërave aq të thjeshta në dukje." Gjykatësi pastaj tha: "Ti e dije se mënyra rregulltare e jetesës së përsosur kërkonte përvujtëri dhe bindje. Përse iu fute asaj si ujk i maskuar si dele?" Shpirti tha: "Për t’i shpëtuar qortimit të botës dhe për të patur një jetë të qetë." Gjykatësi u përgjigj për herë të tretë: "Vëlla – por jo vëllai im – nëse e shihje shembullin e vëllezërve të tu të shenjtë dhe i dëgjoje fjalët e shenjtërve, përse nuk i ndoqe?" Shpirti u përgjigj: "Gjithçka e mirë që dëgjova dhe pashë ishte e neveritshme dhe e rëndë për mua sepse me vete pata vendosur të ndiqja vullnetin tim dhe të bëja siç doja vetë dhe jo siç kishin bërë shenjtërit."

Gjykatësi foli për herë të katërt: "A nuk agjëroje dhe luteshe e shkoje shpesh në rrëfim?" Shpirti: "Shpesh agjëroja dhe lutesha e në rrëfim pranoja gjërat më të vogla që të bëja figurë të mirë, por fshihja më të mëdhatë për të mos bërë figurë të keqe." Gjykatësi: "A nuk pate lexuar se çdo njeri duhet të japë llogari deri në fund, domethënë deri edhe për gjënë më të vogël?" Pastaj, sikur të ishte duke vajtuar me të madhe, shpirti tha: "Me të vërtetë, Zot, pata lexuar dhe thellë-thellë e dija këtë, por mendoja se mëshira Jote ishte aq e madhe sa nuk do të ndëshkoje askënd përjetësisht. Pastaj unë dëshiroja të pendohesha në moshë të thyer, por dhimbja dhe vdekja erdhën aq papritur sa kur desha të shkoj në rrëfim më kish ikur kujtesa dhe më ishte lidhur gjuha si me zinxhir."

Djalli bërtiti: "Gjykatës, kjo është e pabesueshme! Shoh që ky shpirt po e dënon vetë veten e tij. Pra kot që vazhdon ta rrëfejë ligësinë e vet. Gjithsesi nuk guxoj të vë dorë mbi të pa vendosur Ti." Gjykatësi u përgjigj: "Çështja u mbyll." Atëherë etiopasi dhe shpirti u zhdukën sikur të ishin lidhur bashkë. Ikën poshtë me një kërcitje të fortë shkreptime.
Pastaj Gjykatësi tha: "Gjithë kjo ndodhi brenda një çasti por, që ti ta kuptoje, u duk sikur zgjati ca që ti të mund të shihje, të kuptoje dhe t’i trembesh drejtësisë së Hyjit."