Bashkë me të lumin Denis dhe shenjtër të tjerë, Nëna e Hyjit i lutet të Birit për Francën për shkak të luftës mes dy mbretërve që krahasohen me dy bisha të egra.
Libri 4 - Kapitulli 104

Nëna i flet të Birit duke thënë: "Ti je i bekuar, Biri im. Shkruhet se mua më quajtën të bekuar sepse të mbajta në krahëror. Ti u përgjigje se i bekuar është ai që i dëgjon dhe i mban fjalët e tua. Bir, unë jam ajo që i mbajti fjalët e tua në zemër dhe kujtesë. Prandaj, po të kujtoj si iu përgjigje pyetjes së Pjetrit për faljen e mëkatarit deri në shtatë herë. Ti the se mëkatari duhet falur deri në shtatëdhjetë here shtatë herë, duke nënkuptuar me këtë se je i gatshëm të tregosh mëshirë sa herë që njeriu e përvujtëron veten me dëshirën për t’u përmirësuar." Biri u përgjigj: "Unë dëshmoj se fjalët e Mia ishin rrënjosur thellë në ty njëlloj si fara e mbjellë në tokë pjellore që jep fryt njëqindfish e veprat e tua të virtytshme japin fryt të mirë. Pra kërko ç’të duash!"

Nëna u përgjigj: "Bashkë me Denisin dhe shenjtër të tjerë trupat e të cilëve prehen në tokën e Francës, edhe pse shpirtrat e tyre janë në qiell, të kërkoj: ki mëshirë për këtë mbretëri! Po flas figurativisht për hir të kësaj gruaje të pranishme në shpirt. Më duket sikur shoh dy bisha tepër të egra, secila në llojin e vet. Njëra bishë është jashtëzakonisht grykëse dhe kullifit ç’të mundet. Sa më tepër ha, aq më tepër ndjehet e uritur dhe lakmia e saj nuk ngopet kurrë. Bisha tjetër përpiqet të ngrihet mbi gjithë të tjerat. Këto bisha kanë tre tipare të shëmtuara. Së pari një ulërimë të llahtarshme; së dyti, janë plot zjarr të rrezikshëm; së treti, çdonjëra dëshiron t’ia kullufisë zemrën tjetrës. Njëra prej tyre, me dhëmbët në kurrizin e tjetrës, po përpiqet t’ia gllabërojë zemrën duke e kafshuar për vdekje. Tjetra e ka gojën në gjoksin e tjetrës dhe prej aty don t’ia kapë zemrën. Ulërima e tmerrshme e këtyre bishave dëgjohet shumë larg dhe të gjitha bishat e tjera që vijnë gojëhapur do të digjen nga zjarri që nxjerrin këto dy bisha e do të gjejnë vdekjen. Bishave që vijnë gojëmbyllur do t’u rripet lëkura e do të mbesin lakuriq.

Këto dy bisha simbolizojnë mbretërit e Francës dhe të Anglisë. Njëri mbret nuk ngopet kurrë, pasi nis luftëra nga lakmia. Mbreti tjetër përpiqet të ngrihet mbi të tjerët. Kështu që të dy janë plot me zjarrmi zemërimi dhe lakmie. Ulërima e bishave thotë këtë: 'Prano arin dhe pasuritë tokësore e mos e kurse gjakun e të Krishterëve!' Secila bishë ia dëshiron vdekjen tjetrës, prandaj çdonjëra po kërkon ndonjë vend ku mund ta lëndojë tjetrën. Njëra po përpiqet ta plagosë tjetrën në shpinë, pasi dëshiron që pretendimi i saj i padrejtë të konsiderohet i drejtë dhe pretendimi i drejtë i tjetrës të konsiderohet i padrejtë. E dyta po përpiqet t’ia plagosë zemrën tjetrës nga gjoksi, pasi e di se çështja e saj është e drejtë dhe prandaj po shkakton shumë dëme pa dashur t’ia dijë për humbjet dhe mjerimin e të tjerëve dhe pa shfaqur asnjë fije dashurie hyjnore në drejtësinë e vet. Përpiqet të depërtojë tek bisha meqenëse pretendimi që ajo ka për mbretërinë është më i drejtë, por ka krenari dhe zemërim krahas drejtësisë së pretendimit të vet. Tjetra ka pretendim më pak të drejtë e prandaj digjet nga lakmia.

Bishat e tjera që vijne gojënhapur janë ato që vijnë të shtyra nga lakmia. Njerëz që janë mbretër me emër, por që në të vërtetë janë trathtarë, ua mbushin gojët e hapura. Ata u hedhin në gojë para dhe dhurata të shumta dhe i bëjnë të digjen për luftë e kështu gjejnë vdekjen. Pronat e tyre i lënë pas, trupat përfundojnë në tokë dhe krimbat e djallit ua brejnë shpirtrat. Kështu që këta dy mbretër po trathtojnë shumë prej shpirtrave që Im Bir ka shpëtuar me gjakun e Vet. Bishat të cilave u rripet lëkura janë ata njerëz të thjeshtë që kënaqen me çka kanë. Ata shkojnë në luftë me synimin dhe besimin se e drejta është me ta dhe se po bëjnë luftë të drejtë. Ata humbasin lëkurën, domethënë trupat, nga vdekja, por shpirtrat e tyre hyjnë në qiell. Prandaj, Biri im, ki mëshirë!"

Biri u përgjigj: "Meqenëse ti sheh gjithçka në Mua, shpjego, ndërsa gruaja e pranishme po dëgjon, për ç’arësye duhen dëgjuar këta mbretër." Nëna u përgjigj: "Unë dëgjoj tre zëra. I pari ështrë ai i këtyre mbretërve. Njëri prej tyre po mendon me vete kështu: 'Nëse marr çka më takon, nuk dua çka u përket të tjerëve, por kam frikë se do humbas gjithçka.' Për shkak të kësaj frike, pra frikës nga qortimet e njerëzve, ai më drejtohet me lutje dhe më thotë: 'Mari, lutu për mua!' Mbreti tjetër po mendon kështu: 'Ah sikur të isha si dikur! Jam i marrë fund.' Kështu që edhe ai kthehet nga unë. Zëri i dytë është i njerëzve të thjeshtë që më luten çdo ditë për paqe. Zëri i tretë është i të zgjedhurve të Tu që thërrasin dhe thonë: 'Nuk qajmë për të vdekurit, as për humbjet, as për varfërinë, por për shpirtrat që gjenden në rrezik të vazhdueshëm. Prandaj, Zoja jonë, lutju Birit tënd që shpirtrat të shpëtohen!' Për këto arësye, Biri im, ki mëshirë për ta!"

Biri u përgjigj: "Është shkruar se atij që troket do t’i hapet, ai që thërret do të marrë përgjigje dhe atij që kërkon do t’i jepet. Por ashtu sikurse kushdo që troket ndodhet jashtë, edhe këta mbretër janë jashtë pasi nuk më kanë brenda vetes. Prapë se prapë, për hatrin tënd, do t’u hapet atyre që luten."