Krishti i flet nuses për paqen që duhet vendosur mes mbretërve të Francës dhe Anglisë. Nëse mbretërit e bëjnë veshin shurdh, ata do të ndëshkohen rreptë.
Libri 4 - Kapitulli 105

Biri thotë: "Unë jam mbreti nga i cili duhet patur frikë dhe që duhet nderuar. Unë po u dërgoj atyre fjalët e Mia për hir të lutjeve të Nënës Sime. Unë jam paqja e vërtetë. Kudo që ka paqe, aty patjetër jam Unë. Nëse këta dy mbretër të Francës dhe Anglisë dëshirojnë të kenë paqe, Unë do t’u jap paqe të qëndrueshme. Por paqja e vërtetë nuk mund të kihet pa dashur të vërtetën dhe drejtësinë. Prandaj, meqenëse njëri prej mbretërve ka pretendim të drejtë, dëshiroj që paqja të arrihet me anë të një martese. Në këtë mënyrë mbretëria do të ketë pasardhës të ligjshëm. Së dyti, Unë dua që ata të jenë një mendje dhe një zemër në përhapjen e fesë së krishterë kudo që kjo mund të bëhet në nderin Tim. Së treti, ata duhet të heqin taksat e papërballueshme dhe skemat mashtruese dhe t’i duan shpirtrat e bashkëkombasve të tyre.

Nëse mbreti që tani mbretëron refuzon të bindet, le ta dijë me siguri se nuk do t’ia dalë mbanë në përpjekjet e tij por do ta përfundojë jetën me trishtim dhe do ta humbasë mbretërinë mes mundimesh të mëdha. I biri dhe familja e tij do të mbeten në hasmëri, qortime dhe çnderim të tillë sa do çuditet gjithë bota. Nëse mbreti që ka pretendim të drejtë bindet, atëherë Unë do ta ndihmoj dhe do të luftoj përkrah tij. Nëse nuk do të bindet, atëherë as ai nuk do t’i realizojë dëshirat e veta, do të humbasë çfarë ka dhe fundi i trishtë do ta bëjë t’i harrojë kohët e lumtura. Sidoqoftë, nëse populli francez tregon përvujtëri të vërtetë, atëherë mbretëria do të ketë një pasardhës të ligjshëm dhe paqe."