Krishti i thotë nuses të mos ketë frikë ta ndërpresë agjërimin për t’iu bindur atit të saj shpirtëror, pasi kjo gjë nuk përbën mëkat. Ai e këshillon të tregohet e qëndrueshme, t’i bëjë ballë vazhdimisht tundimeve dhe të synojë të ndjekë shembullin e Virgjërës Mari, të Davidit dhe të Abrahamit.
Libri 4 - Kapitulli 106

Biri thotë: "Përse trembesh? Edhe sikur të haje katër herë në ditë, kjo nuk do të të llogaritej si mëkat nëse vepron kështu me lejen e personit të cilit je e detyruar t’i bindesh. Pra mos ki frikë. Duhet të jesh si një ushtar që, edhe pse ka marrë plagë të ndryshme në betejë, u shkakton plagë edhe më të rënda armiqve dhe bëhet edhe më i zellshëm për të luftuar sa më tepër përndiqet nga armiqtë. Edhe ti duhet t’i kundërpërgjigjesh armikut dhe të qëndrosh e palëkundur. Duhet të kesh edhe synim të drejtë për të qëndruar në të mirën.

Ti i kundërpërgjigjesh djallit sa herë që nuk e lëshon veten në tundim dhe i bën ballë trimërisht, kur i kundërvë përvujtërinë krenarisë, vetëpërmbajtjen grykësisë. Ti je e qëndrueshme kur nuk mërmërit kundër Hyjit kur gjendesh në tundim por, përkundrazi, i je mirënjohëse Hyjit dhe duron me gëzim gjithçka e ia vë gjithë fajin mëkateve të tua. Ti ke synim të drejtë atëherë kur dëshiron shpërblim vetëm kur ky është në përputhje me vullnetin Tim, kur e braktisesh tërësisht në duart e Mia.

Luçiferi nuk pati virtytin e parë, pra nuk iu kundërpërgjigj armikut, pasi menjëherë iu dorëzua mendimeve të veta. Për këtë nuk e përmbajti veten dhe ra. Meqë askush nuk e shtyu në ligësinë e tij, nuk do të ketë se kush të ndreqë çka bëri. Juda nuk pati virtytin e dytë, atë të qëndrueshmërisë. Përkundrazi, ai u dëshpërua dhe vari veten. Pilati nuk pati virtytin e tretë, pra nuk pati synim të drejtë, pasi zgjodhi t’u pëlqejë Judenjve dhe të ruante nderin e vet dhe jo të më lironte Mua.

Ndërsa Nëna Ime pati virtytin e parë, kundërpërgjigjen ndaj armikut, pasi për çdo tundim që pati, ajo u kundërpërgjigj me virtytin përkatës. Davidi pati virtytin e dytë, pasi u tregua i durueshëm në vështirësi dhe nuk u dëshpërua kur ra në mëkat. Abrahami pati virtytin e tretë, synim të përsosur, sepse, pasi u largua nga atdheu i vet, ishte gati edhe të sakrifikonte birin e tij të vetëm. Ti duhet të ndjekësh shembullin e këtyre të të treve aq sa mundesh!"