Krishti e nxit nusen, domethënë shpirtin, që gjithmonë dhe me dashuri të qëndrojë në pendesë të sinqertë, dashuri hyjnore dhe bindje të palëkundur. Ai i dënon ata që e përbuzin bindjen, abstinencën dhe durimin. Ai gjithashtu e paralajmëron njeriun e përshpirtshëm që të mos lejojë që ndërgjegja t’i ashpërsohet dhe verbohet.
Libri 4 - Kapitulli 107

U shfaq një engjëll me shkëlqim të mrekullueshëm. Engjëj të tjerë u shfaqën tek i flisnin dhe thonin: "Mik, përse po i ofron një arrë boshe Hyjit tonë?" Engjëlli u përgjigj: "Edhe pse tashmë ju dini gjithçka, do ta shpjegoj këtë për hir të gruas këtu të pranishme. Unë kurrë nuk trishtohem në praninë e Hyjit tonë kur bëj vullnetin e Tij për të mirën e shpirtrave, pasi kurrë nuk jam larg pranisë së Tij. Edhe pse nuk po i ofroj një arrë të ëmbël, po i ofroj diçka të pëlqyeshme, një çelës prej ari të kulluar, një vazo të artë dhe një kurorë me gurë të çmuar.

Çelësi simbolizon pendesën e sinqertë për mëkatet. Pendesa e hap zemrën e Hyjit dhe e lë mëkatarin të hyjë. Vazo simbolizon kënaqësinë dhe dashurinë hyjnore. Hyji pushon aty me shpirtin. Kurora simbolizon bindje të hareshme, të palëkundur. Këto janë tre gjërat që Hyji im kërkon në një shpirt të shenjtë.

Edhe pse shpirti që më është besuar i ka shpërfillur këto tre gjëra, prapë se prapë po i jap Hyjit çka ky shpirt i ka ofruar dhe lavdia e Hyjit nuk do të jetë më e pakët. Çelësi i pendesës është aq i rëndë për këtë njeri sa nuk do fare të mendojë për të. Vazo e dashurisë hyjnore është aq e padurueshme për të sa nuk e duron fare erën e saj. Si mund të duket i këndshëm gëzimi hyjnor aty ku epshi i trupit ka zënë rrënjë? Dy të kundërta nuk mund të rrinë bashkë në të njëjtën vazo. Edhe kurorën e bindjes ky njeri e ka të rëndë ta mbajë, pasi vullneti i vet i pëlqen aq shumë sa i duket më mirë të bëjë vullnetin e vet se vullnetin e Hyjit.

Engjëlli pastaj iu drejtua Hyjit dhe tha: "Ja, Zot, vazo, çelësi dhe kurora të cilat ky shpirt nuk i meritoi. Ja, po të thyesh lëvozhgën, brenda gjen shumë pisqëlle dhe jo mjalt të ëmbël. Përkundrazi, në qendër të lëvozhgës gjendet një gjarpër. Lëvozhga simbolizon zemrën. Kur vdekja e thyen, është plot me dëshira për botën dhe këto janë si pisllëqe. Gjarpri është shpirti. Shpirti duhet të jetë më i shndritshëm se drita e diellit, më i nxehtë se flaka, por është shndërruar në gjarpër helmues që nuk helmon tjetër përveç vetes, për të keqen e vet."

Pastaj Zoti i foli nuses dhe tha: "Do të ta tregoj gjendjen në të cilën ndodhet ky njeri me anë të një krahasimi. Është sikur dikush të ishte duke ndenjur në këmbë dhe dikush t’i afrohej. Kur gjenden ballë për ballë, ai që po ecte thotë: 'Zotëri, mes nesh ka një hendek. Më trego rrugën nga duhet të kaloj, pasi shoh se je pakrahasimisht i fuqishëm, i këndshëm përtej çdo imagjinate, dhe i mirë si ai nga i cili vjen çdo mirësi dhe pa të cilin askush nuk është i mirë.' Tjetri përgjigjet: 'Mik, do të të tregoj një rrugë të trefishtë por që çon në të njëjtin drejtim. Kur i futesh është shkëmbore në fillim por e butë në fund, e errët në fillim të udhëtimit por e shndritshme ndërsa përparon, e vështirë për ca kohë por e këndshme në fund.' Tjetri u përgjigj: 'Vetëm ma trego rrugën dhe do t’i futem me kënaqësi. Me ç’shoh ka rrezik nëse vonohem dhe gabimet janë të dëmshme, por nëse e përshkoj është në interesin tim. Pra ma plotëso dëshirën dhe tregomë udhën e vërtetë.'

Unë jam krijuesi i gjithësisë, Unë nuk ndryshoj dhe jam gjithnjë i palëkundur. Ai që po më afrohej kur kish rënë në dashuri me Mua dhe nuk donte tjetër sa ç’më donte Mua. I dola përballë atëherë kur e ngushëllova hyjnisht shpirtin e tij dhe gëzimet e botës dhe epshet iu bënë të neveritshme. I tregova një rrugë të trefishtë jo duke i folur më zë fizik por duke e frymëzuar shpirtij e tij në fshehtësi, ashtu sikurse tani po e frymëzoj shpirtin tënd haptazi.

Së pari i tregova se duhet të më bindet Mua, Hyjit të vet, dhe eprorëve. Por ai m’u përgjigj duke menduar me vete: 'Nuk do të bindem. Eprori im është njeri i vështirë dhe pa shpirt prandaj nuk mund t’i bindem me gëzim.' I tregova edhe një rrugë të dytë, largimin nga epshi i trupit dhe ndjekjen e vullnetit Tim, lënien e pijes dhe ushtrimin e abstinencës. Këto dy rrugë çojnë në bindje të vërtetë. Por ai m’u përgjigj: 'Kurrë! Unë jam i dobët si natyrë. Prandaj do të ha e fle boll. Do të merrem me fjalë që të mos mërzitem dhe do të bëj shaka që të jem në formë.' I tregova edhe një rrugë të tretë, durimin, pasi durimi çon në abstinencë dhe bindje të shenjtë. Por ai m’u përgjigj: 'Kurrsesi. Nëse nuk kundërveproj ndaj fyerjeve, do të më marrin për të marrë. Nëse vishem më keq se të tjerët, do të turpërohem para të gjithëve. Nëse kam ndonjë të metë fizike, duhet ta kompensoj duke u kujdesur për të tjerët.' "

"Në këtë mënyrë," tha Zoti, "ndërgjegja e tij dhe Unë u përleshëm derisa në fund ai u largua nga Unë dhe më ktheu shpinën në vend të fytyrës. Në ç’kuptim ma ktheu? Duke dashur të bindej vetëm në çka i pëlqente dhe duke dashur të tregohej i bindur vetëm nëse kjo nuk i dëmtonte aspak miqësinë me botën. Tani djalli po përpiqet ta bejë krejtësisht të verbër dhe memec. Ai po përpiqet t’i lidhë duart dhe t’i lidhë këmbët dhe ta çojë në terrin e ferrit. E verbon kur ai mendon si vijon: 'Hyji më shëlboi me mundimet e Veta. Ai nuk do të lejojë që të përfundoj në ferr pasi Ai është i mëshirshëm. Hyji nuk i vë shumë mend mëkateve sepse njerëzit e fyejnë gjithë kohën.' Kjo tregon se besimi i tij është i paqëndrueshëm. Por le të lexojë ungjillin Tim për të parë ç’llogari do të kërkoj për fjalët dhe sa më shumë do të jem kërkues për veprat. Le të kërkojë e do të shohë se i pasuri nuk u varros në ferr për vjedhje por për shpërdorim të pasurisë që i ishte dhënë. Djalli e bën memec kur ai i merr vesh shembullin dhe fjalët e miqve të Mi dhe pastaj thotë: 'Askush nuk mund të jetojë kështu në ditët e sotme.' Kjo tregon se ai ka shumë pak shpresë. Unë padyshim jam Ai që u ka dhënë miqve të Vet aftësinë për të jetuar ndershëm. Edhe atij mund t’i jap një aftësi të tillë, mjaft që ta vërë shpresën tek Unë.

Djalli ia lidh duart sa herë që ai do diçka më shumë se Mua, kur bëhet më i zellshëm për çka i përket botës dhe jo për lavdinë Time. Prandaj le të tregohet i kujdesshëm që të mos bjerë në kurthin e djallit ndërsa i përkushtohet botës, pasi djalli ngre kurthe kur njeriu është më pak i vëmendshëm. Djalli ia lidh këmbët kur ai nuk i kushton vëmendje mendimeve dhe dëshirave të veta, kur nuk i kushton vëmendje tundimeve, kur përpiqet t’i bëjë qejfin të afërmit dhe trupit të vet më tepër seç i kushton vëmendje shpëtimit të shpirtit të vet. Prandaj le të reflektojë se Unë kam thënë në Ungjill se kush vë dorën në parmendë nuk duhet të shikojë prapa dhe se ai që i ka hyrë një mënyre të lavdërueshme jetese nuk duhet të kthehet prapa.

Djalli ia prangos zemrën sa herë që ai e prir vullnetin drejt së keqes e mendon vetëm për nderet tokësore dhe rreket t’i fitojë dhe ruajë ato. Djalli e çon në errësirë sa herë që ai mendon kështu: 'Pak më intereson nëse shpëtohem apo humbas.' Mjerë ai që katandiset në këtë pikë!

Megjithatë Unë do të rend ta takoj si baba nëse kthehet tek Unë. Si? Duke synuar të bëjë sa më shumë që mundet. Ashtu sikurse biri i njeriut nuk martohet me një grua kundër vullnetit të saj, po ashtu nuk është e ligjshme për Birin e Virgjërës. Vullneti njerëzor është mjet me anë të të cilës dashuria hyjnore futet në shpirt. Ashtu si një gurëthyes që do të thërrmojë gurë fillimisht gjen të çara ku mund të fusë veglat më të vogla dhe më pas ato më të mëdha derisa sa gurët të thyhen, po kështu edhe Unë së pari shikoj për vullnetin e mirë e pastaj derdh hirin Tim në të dhe më pas, sa më shumë njeriu vepron dhe bën përparime me vullnetin e tij, aq më shumë shtohet hiri Im në të dhe zemra prej guri i shndërrohet në zemër mishi dhe zemra prej mishi bëhet zemër shpirtërore."

SHPJEGIM
Ky ishte prior në rajonin e Siçilisë afër një mali vullkanik. Edhe zbulesa e mëposhtme ka të bëjë me të.
SHTOJCË
Biri i Hyjit thotë: "Ky vëlla habitet përse apostujt e Mi, Pjetri dhe Pali, janë harruar për një kohë kaq të gjatë në katakombe. Unë përgjigjem: Shkrimi i Artë thotë se Izraeli qëndroi në shkretëtirë për një kohë të gjatë për shkak se ligësia e Paganëve, tokat e të cilëve Izraeli do të merrte nuk e kishte mbushur ende kupën. Kjo vlen edhe për apostujt e Mi. Koha e hirit nuk kishte arritur ende që trupat e apostujve të mi të nderoheshin; më parë lypsej të kalohej një kohë prove dhe pastaj të vinte kurorëzimi dhe gjithashtu sepse nuk kishin lindur ende ata persona që do të kishin nderin të nderonin apostujt.

Tani ti mund të pyesësh nëse trupat e tyre morën ndonjë nderim gjatë kohës që ishin në varr. Përgjigja Ime është se engjëjt e Mi u kujdesën dhe i nderuan trupat e bekuar. Zona e katakombave ishte si një vend ku do të mbillen trëndafila dhe bimë të tjera dhe që punohet me kujdes paraprakisht. Njëlloj u përgatitën dhe nderuan paraprakisht katakombat që më pas engjët dhe njerëzit do t’i nderonin. Ju siguroj se ka shumë vende në botë ku prehen trupa shenjtërish, po asnjë vend nuk është si ky. Nëse do të numëroheshin të gjithë shenjtërit trupat e të cilëve prehen këtu, zor se do të besohej se janë aq të shumtë. Ashtu si një i sëmurë forcohet nga aroma dhe shija e një ushqimi të mirë, po ashtu ata që vijnë tek ky vend me synim të drejtë gjallërohen shpirtërisht dhe marrin falje të vërtetë për mëkatet, secili sipas besimit dhe mënyrës së jetesës."

Ky vëlla u prek thellë nga fjalët e Zonjës Brixhidë dhe u pendua. Ai për tre netë dëgjoi një zë që i thoshte: "Nxito, nxito! Eja, eja!" Ditën e katërt ai u sëmur dhe vdiq në Romë pasi mori Sakramentet.