Krishti i flet nuses dhe i thotë se tre shenjtër i pëlqenin në mënyrë të veçantë. Këta ishin Virgjëra Mari, i Lumi Gjon Pagëzori dhe Maria Magdalena.
Libri 4 - Kapitulli 108

Biri flet: "Tre shenjtër më kanë pëlqyer në mënyrë të veçantë. Këta ishin Nëna ime, Gjon Pagëzori dhe Maria Magdalena. Nëna ime edhe kur lindi edhe para se të lindte ishtë aq e bukur sa nuk kishte njollë në të. Djajtë e kuptuan këtë dhe provuan siklet të tillë sa – për t’u shprehur figurativisht – u duk sikur zërat e tyre kumbonin nga ferri duke thënë: 'Ka lindur një virgjër aq virtytshmërisht dhe mrekullisht sa shkëlqen mbi këdo në tokë dhe qiell dhe arrin deri në fronin e Hyjit. Edhe nëse e sulmojmë me tërë grackat tona, ajo i shkatërron të gjitha – ato shkatërrohen si fill liri e copëtohen si litarë të vjetër. Nëse vijmë kundër saj me gjithë ligësinë dhe fëlliqësinë tonë, ajo i përplas përtokë si kallamishte të prera me drapër. Nëse mbjellim sensualitet dhe dëshira tokësore në të, ato shuhen si një shkëndijë e fikur nga një përrua.'

Kur lindi Gjon Pagëzori, kjo shkaktoi pakënaqësi të tillë tek djajtë sa u duk sikur një zë kumbonte nga ferri duke thënë: 'Ka lindur një fëmijë i mrekullueshëm. Si t’ia bëjmë? Nëse e sulmojmë me krenari, ai nuk na e vë veshin dhe aq më pak dëshiron t’i bindet sugjerimit tonë. Nëse i ofrojmë pasuri, ai na kthen shpinën dhe refuzon të shikojë dhe nëse i ofrojmë kënaqësi sensuale, ai sillet si i vdekur dhe nuk e ndjen fare.'

Kur Maria Magdalena u kthye tek Hyji, djajtë thanë: 'Si mund ta shtiem prapë në dorë? Kemi humbur një goxha pre. Është larë aq shumë me ujin e lotëve të vet sa nuk guxojmë t’i hedhim sytë mbi të. Është mbuluar me aq shumë vepra të mira sa asnjë njollë mëkati nuk mund t’i ngjitet. Është aq e flaktë dhe e zellshme në shërbimin e Hyjit dhe në shenjtëri sa nuk guxojmë t’i afrohemi.'

Këta shenjtër e konsideronin shpirtin si sundimtar dhe trupin si skllav. Shpirti i secilit prej tyre kishte tre tipare: Së pari, nuk donte tjetër veç Meje; së dyti, nuk vepronte kundër vullnetit Tim; së treti, nuk neglizohonin asgjë që kishte të bënte me Mua. Edhe pse kishin shpirt të tillë, prapë se prapë nuk e përçmonin trupin e as nuk i jepnin helm në vend të ushqimit apo ferra në vend të veshjeve e as nuk shtriheshin të pushonin mbi ndonjë fole milingonash. Jo, ushqeheshin me masë për lavdinë Time dhe për të mirën e shpirtit, visheshin për të mbuluar trupin dhe jo për t’u krekosur, flinin në shtrat për të pushuar.

Megjithatë, nëse do e dinin se Mua do të më pëlqente dhe nëse do t’u kisha dhënë hirin Tim, ata do të ishin mëse të lumtur të pranonin substancat më të hidhura për ushqim dhe ferra për rroba e do të ishin shtrirë mbi fole milingonash. Por duke patur parasysh se Unë jam i drejtë dhe i mëshirshëm në çdo drejtim, ata u treguan të drejtë me trupat e vet duke i vënë fre impulsive të paligjshme, por tregoheshin edhe të mëshirshëm me trupin duke i plotësuar nevojat që ai të mos vdiste prej stërmundimeve.

Ti mund të pyesësh: Meqenëse heremitëve dhe etërve të shenjtë u dhashë aq shumë hir sa u mjaftonte të hanin vetëm një herë në javë dhe të tjerë janë ushqyer e shërbyer nga engjëjt, përse nuk u dhashë këtyre të treve një hir të tillë? Përgjegjem: Etërve të shenjtë iu mundësua një agjërim i tillë për tre arësye. E para për të vënë në dukje hirin dhe fuqinë Time, që njerëzit ta merrnin vesh se, nëse Mua më pëlqen, Unë mund ta mbaj trupin në jetë pa ushqim njëlloj siç e mbaj shpirtin në jetë pa ushqim trupor. Arësyeja e dytë ishte për të dhënë shembull që njerëzit ta mësonin se mundimet trupore dhe vështirësitë e çojnë shpirtin në qiell. Arësyeja e tretë ishte shmangia e mëkatit, pasi dëshirat sensuale të papërmbajtura çojnë në ndëshkim. Prandaj, me qëllim që njerëzit të mësonin vetëpërmbajtjen dhe moderimin, vetë Unë, Hyj dhe njeri – edhe pse mund të kisha jetuar në tokë pa ushqim – përdora ushqime dhe gjëra të tjera që i nevojiteshin trupit, që njerëzimi të më jetë mirënjohës Mua, Hyjit të vet, dhe të zotërojë të mira me masë në tokë dhe liri të përsosur me shenjtërit në qiell."