Nëna thotë se njerëzit e përshpirtshëm, pasi kthehen tek Hyji me pendesë dhe dashuri, duhet të kompensojnë gjithë kohën që kanë humbur më parë, në mënyrë që të mos i ofrojnë Hyjit arra bosh.
Libri 4 - Kapitulli 109

Nëna thotë: "Ndonjëherë kur ndonjë zotërie i jepen arra, disa prej tyre dalin bosh dhe këto duhet mbushur që t’i pëlqejnë atij. Kështu ndodh edhe me veprat shpirtërore. Shumë njerëz kryejnë shumë vepra të mira dhe pesha e mëkateve u lëhtësohet në sajë të tyre e kështu nuk përfundojnë në ferr. Por ata mund të kenë kaluar shumë momente të zbrazta përpara kryerjes së veprave të mira dhe mes një vepre të mirë dhe një tjetre, kështu që ato duhen mbushur nëse ka ende kohë për të punuar. Në rast të kundërt, pendesa dhe dashuria kompensojnë çdo mangësi.

Kështu Maria e Magdalës i dha arra – domethënë vepra të mira - Hyjit. Mes tyre kishte disa bosh, pasi për një kohë të gjatë ajo kishte mëkatuar. Megjithatë ajo e plotësoi gjithçka që mungonte me ndihmën e kohës, durimit dhe përpjekjeve. Gjon Pagëzori i dha arra të mbushura Hyjit pasi i pati shërbyer Hyjit qysh në rini dhe ia kish ofruar Atij gjithë kohën. Apostujt i ofruan Hyjit arra gjysëm të mbushura, pasi një pjesë të mirë të kohës para se të ktheheshin tek Hyji ata e kishin kaluar në mënyrë jo të përsosur. Unë, Nëna e Hyjit, i ofrova Atij arra të mbushura dhe më të ëmbla se mjalti, pasi isha plot me hir dhe ndenja në hirin e Tij gjithmonë. Prandaj po të them se edhe pse mëkatet mund t’u falen njerëzve, ata duhet që, sa ende kanë kohë, të ndreqin kohët e zbrazta që kanë jetuar me anë të durimit dhe veprave të dashurisë."