Shën Anjeza lëvdon dhe bekon Virgjërën e lavdishme dhe i lutet Virgjërës për bijën. Si përgjigjen Zoti dhe Virgjëra dhe fjalët ngushëlluese që ata i thonë nuses. Kjo botë krahasohet me një kusi.
Libri 4 - Kapitulli 11

Anjeza thotë: "O, nëna Mari, virgjër e virgjërave, ti mund të quhesh me të drejtë agimi i ndezur nga dielli i vërtetë, Jezu Krishti. Vallë po të quaj agim për shkak të gjakut tënd mbretëror apo pasurive dhe ndereve? Sigurisht që jo. Ti me të drejtë quhesh agim për shkak të përvujtërisë sate, dritës së besimit dhe betimit për jetë të panjollë. Ti je lajmëtari që i paraprin diellit të vërtetë, je gëzimi i të drejtëve, dëbuesja e djajve, ngushëllimi i mëkatarëve. Për hir të martesës që Hyji lidhi me ty në kohë, unë lutem që bija jote të qëndrojë në nderin dhe dashurinë e Birit tënd."

Nëna e Hyjit u përgjigj: "Ç’ke parasysh kur thua ‘martesë’? Ma thuaj për hir të asaj që po dëgjon!" Anjeza u përgjigj: "Ti me të vërtetë je nënë, virgjër dhe nuse. Martesa më e bukur u celebrua kur natyra njerëzore u bashkua në ty me Hyjin pa e përlyer e pa e humbur hyjninë e Vet. U bashkuan virgjëria dhe amësia, thjeshtësia virgjërore nuk u cënua dhe ti u bëre njëkohësisht nënë dhe bijë e Krijuesit tënd. Ti linde në kohë Atë që kish lindur nga Ati qysh nga përjetësia dhe ka kryer gjithçka me Atin.
Shpirti Shenjt, brenda, jashtë dhe rrotull teje të bëri të frytshme kur ti i dhe pëlqimin lajmëtarit të Hyjit. Biri i Hyjit që lindi prej teje ishte brenda teje edhe para se lajmëtari i Tij të vinte tek ti. Prandaj ki mëshirë për bijën tënde!

Ajo është si një varfanjake që jeton në luginë e s’ka gjë tjetër përveçse ndonjë gjallese të vogël, si pulë apo patë. E don aq shumë Zotërinë që banon në malin e luginës saqë i jep çdo gjë të gjallë që ka. Zotëria i thotë: 'Unë kam gjithçka me bollëk dhe nuk kam nevojë për dhuratat e tua. Mos po më jep vogëlima me shpresën që unë të ta shpërblej me gjëra më të mëdha?' Ajo i thotë atij: 'Nuk po t’i jap këto sepse ke nevojë, por si mirënjohje që ke lejuar një grua të gjorë si unë të jetojë me ty në malin tënd dhe sepse shërbëtorët e tu më respektojnë. T’i jap këto pak të mira që kam që ta dish se do të bëja më shumë po të mundesha dhe se nuk jam mosmirënjohëse për sa ke bërë për mua.' Zotëria përgjigjet: 'Meqenëse më do kaq fort, do të të marr lart në mal dhe do të të jap ty dhe të tuve veshje dhe ushqim vit për vit.' Kështu ka ndodhur me bijën tënde. Ajo të dha gjënë e vetme që kish, domethënë dashurinë për botën dhe fëmijët. Prandaj të takon të kujdesesh për të me mirësinë tënde."

Nëna i drejtohet nuses së të Birit: "Qëndro fort, bijë. Unë do t’i lutem tim Biri dhe Ai do të të japë ushqim vit për vit dhe do të të çojë në malin ku me mijra e mijra engjëj i shërbejnë Atij. Po t’i numëroje të gjithë ata që kanë lindur nga Adami e deri tek i fundit që do të lindë në botë, do të shihje se engjëjt janë dhjetëfish në numër në krahasim me njerëzit . Bota në fakt është si kusi gatimi. Zjarri dhe hiri nën kusi janë miqtë e botës, ndërsa miqtë e Hyjit janë kafshatat e zgjedhura të ushqimit që gjendet në kusi. Kur shtrohet tryeza, zotërisë i jepet ky ushqim. Ndërsa kusia do të flaket në zjarr e zjarri nuk do të shuhet kurrë."